Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke denoncuar rënien në nivele historike të kapitalit të institucionit, i cili sipas statistikave zyrtare ka arritur në vlerën negative prej 31.6 miliardë lekësh në fund të muajit tetor.
Sipas Këlliçit, zhvlerësimi i rezervave valutore lidhet me forcimin e lekut, ndërsa pas këtij fenomeni qëndrojnë edhe paratë e pista të trafikut të drogës dhe korrupsionit, ku kryeministri Edi Rama i garantoi guvernatorit imunitet shtesë për ta mbrojtur nga drejtësia.
Sejko zhvlerëson kapitalin e Bankës së Shqipërisë, Edi Rama e pajisi 1 muaj më parë me imunitet para drejtësisë!
Banka e Shqipërisë duket se ka hyrë në një aventurë të rrezikshme që ka çuar në rënien më të madhe historike të kapitalit të saj. Kjo do të kishte pasoja të rënda për ekonominë dhe për vendin.
Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit tetor vlera e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ishte negative në vlerën e 31.6 miliardë lekëve. Këto janë nivelet më të ulëta historike.
Arsyeja kryesore është zhvlerësimi i rezervës gjithnjë e më të madhe valutore të mbajtur nga Banka Qëndrore, duke qënë se ajo është në monedhë të huaj.
Kjo rezervë shërben si siguri dhe mjet i domosdoshëm për të përballuar nevojat emergjente që mund të ketë ekonomia dhe sektori financiar.
Bilanci i Bankës së Shqipërisë raportohet në monedhën vendase dhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut në kursin e këmbimit e ka ulur vlerën e rezervave të mbajtura në valutë të huaj.
Për vitin 2025, humbjet nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Të gjitha këto janë efektet e futjes në ekonominë tonë të parave të pisëta, të eurove të trafikut të drogës dhe të korrupsionit.
Para këtij fenomeni, Guvernatori ka qëndruar indiferent dhe nuk ka marrë masat e duhura. Ndërkohë që ka treguar fleksibilitet dhe shpejtësi marramendëse kur vjen puna për të liçensuar bankën fantazmë digjitale të miqve të Kryeministrit, Jet Bank, për të cilën nuk ka bërë transparencën e duhur, me gjithë kërkesat tona të përsëritura për informim.
Guvernatori ndërkohë e di mirë lojën e rëndë që është duke luajtur dhe pasojat e saj, ndaj edhe u pajis me imunitet ekstra me ligj, për të pasur mbrojtje nga drejtësia. Një ligj që Edi Rama e kaloi në parlament si shpërblim për gadishmërinë e Guvernatorit për t’i shërbyer Kryeministrit të narkoshtetit të vetëm në Europë.







