Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ndaj padisë civile të biznesmenit Klodian Allajbeu kundër VNA.al, duke shprehur shqetësimin se procesi gjyqësor mund të shërbejë si një instrument presioni ekonomik ndaj gazetarisë investigative.
Në një deklaratë publike të datës 23 nëntor, AGSH thekson se kërkesa e Allajbeut për 5 milionë lekë dëmshpërblim, fshirjen e artikujve investigativë nga arkiva e VNA.al dhe përgënjeshtrimin e tyre ngre dyshime serioze për një padi të karakterit SLAPP, siç njihen proceset gjyqësore që mund të përdoren për të frikësuar ose heshtur gazetarët dhe mediat.
Padia lidhet me një seri investigimesh të VNA.al mbi tenderët, koncesionet dhe kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, përfshirë marrëdhëniet e kompanive të lidhura me Allajbeun me institucionet shtetërore.
Sipas AGSH-së, hetimi i mënyrës se si përdoren paratë publike dhe ngritja e pyetjeve mbi vendimmarrjen e institucioneve janë pjesë e misionit themelor të gazetarisë.
Asociacioni e konsideron veçanërisht shqetësuese kërkesën për fshirjen e artikujve, duke theksuar se arkivat e mediave janë pjesë e kujtesës publike dhe nuk mund të zhduken pa respektuar standarde të larta ligjore.
Duke iu referuar standardeve evropiane kundër padive SLAPP, AGSH i kërkon Gjykatës së Tiranës të garantojë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Organizata sqaron se çdo individ ka të drejtë të mbrojë reputacionin e tij në gjykatë, por kjo e drejtë nuk duhet të kthehet në një mjet presioni financiar ndaj mediave që hetojnë çështje me interes publik.
AGSH ka shprehur solidaritetin me redaksinë e VNA.al dhe ka njoftuar se do ta ndjekë nga afër procesin gjyqësor.
“Asnjë gazetar apo redaksi nuk duhet të vendoset përpara zgjedhjes mes ushtrimit të gazetarisë investigative dhe rrezikut të përballjes me pasoja financiare që mund të cenojnë ekzistencën e medias”, thekson Asociacioni.
Deklarata mbyllet me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Gazetaria investigative nuk është kërcënim për demokracinë. Kërcënim për demokracinë është përpjekja për ta heshtur atë.”
https://www.facebook.com/share/p/19yfUf9VK5/?mibextid=wwXIfr







