Ballina Kronika Qarkullonin me armë në makinë të blinduar, arrestohen 4 persona në Tiranë....

Qarkullonin me armë në makinë të blinduar, arrestohen 4 persona në Tiranë. Mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës

27
0

Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar tip “Audi”. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.

Ngjarja u zbulua gjatë kontrolleve të ushtruara nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, pranë stadiumit “Arena Kombëtare”. Gjatë kontrollit të automjetit, ku ndodheshin katër shtetas, policia gjeti një pistoletë në një çantë të zezë të vendosur në pjesën e pasme të makinës.

Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, 40-vjeçarit E. R., punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet edhe një tjetër armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në pranga ranë E. R., 40 vjeç, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, dhe E. S., 46 vjeç. Dy prej tyre rezultojnë ushtarakë, ndërsa njëri punonjës i Gardës së Republikës.

Përveç armës së gjetur në automjet, e cila u sekuestrua si provë materiale, policia sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga policia, që dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari I. Sh.

Për pistoletën e gjetur gjatë kontrollit fizik të punonjësit të Gardës po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Të katër shtetasit akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej tyre. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë.