Ballina Europë Mbreti Charles drejt abdikimit? Dyshime për përkeqësimin e shëndetit, përflitet kurorëzimi i...

Mbreti Charles drejt abdikimit? Dyshime për përkeqësimin e shëndetit, përflitet kurorëzimi i Princit William në vitin 2027

26
0

Shqetësimet për gjendjen shëndetësore të mbretit Charles III kanë rikthyer spekulimet për një abdikim të mundshëm të monarkut britanik në favor të djalit të tij të madh, Princit William.

Sipas RadarOnline, që citon burime anonime pranë familjes mbretërore, gjendja shëndetësore e monarkut dyshohet se është përkeqësuar pas një turneu nëntëditor në Karaibe. Një prej burimeve pretendon se Charles mund të heqë dorë nga froni gjatë vitit 2027, duke i hapur rrugën kurorëzimit të William.

Mbreti Charles, i cili mbushi 78 vjeç më 14 nëntor, u diagnostikua me kancer në shkurt të vitit 2024. Familja mbretërore nuk e ka bërë publik llojin e sëmundjes, ndërsa në dhjetor të vitit 2025 Pallati Buckingham njoftoi se monarku i ishte përgjigjur shumë mirë trajtimit.

Në rast abdikimi, Princi William, 44 vjeç, do të pasonte të atin në fron, ndërsa bashkëshortja e tij, Kate Middleton, do të merrte titullin e mbretëreshës bashkëshorte.

Abdikimi do të përbënte një zhvillim historik për monarkinë britanike. Rasti i fundit daton në dhjetor të vitit 1936, kur mbreti Edward VIII hoqi dorë nga froni për t’u martuar me amerikanen Wallis Simpson.

Megjithatë, deri më tani, Pallati Buckingham nuk ka konfirmuar as përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të mbretit, as ekzistencën e një plani për abdikimin e tij apo kurorëzimin e Princit William në vitin 2027. Pretendimet mbeten të paverifikuara në mënyrë të pavarur.