Ballina Opinion Meloni, Rama dhe gjysëm të vërtetat

Meloni, Rama dhe gjysëm të vërtetat

287
0

Nga Fatos Çoçoli

Vizita e dytë në Shqipëri e kryeministres së sotme të Italisë, Giorgia Meloni, në Gjadër dhe Lezhë, u zhvillua një ditë përpara nisjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, sot në datën 6 qershor deri më 9 qershor 2024. Pavarësisht se arësyeja kryesore e vizitës është inspektimi në vend i punëve të ndërtimit të kampit të Gjadrit, strehimit të përkohshëm në Shqipëri, për emigrantët e paligjshëm afrikanë që zbarkojnë në tokën italiane, kjo lëvizje nuk mund të mos marrë ngjyra përtej marrëdhënieve Itali-Shqipëri.Si Meloni, ashtu dhe Presidentja e sotme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë udhëtuar kohët e fundit së bashku në vendet e Afrikës Veriore, për të përfunduar marrëveshje për të frenuar fluksin e emigrantëve afrikanë në Evropë. Zonja von der Leyen kandidon në këto zgjedhje evropiane parlamentare për të marrë për herë të dytë drejtimin e BE-së. Ka nevojë të domosdoshme të gjejë aleanca paszgjedhore me të djathtën e moderuar në Evropën e Bashkuar. Dhe kjo e djathtë sot përfaqësohet më së miri nga Partia “Vëllezërit e Italisë” e kryeministres Meloni. Nga sondazhet e kryera në këta pesë muaj të parë të këtij viti, forcat populiste të djathta, shumica kundër Evropës së Bashkuar, kryesojnë shumë shtete anëtare të BE-së. Kryesojnë në Francë,  Itali, Holandë, Poloni, Austri, Belgjikë, në Republikën  Çeke, Hungari dhe Sllovaki. Forcat progresiste dhe të majta në Evropën e Bashkuar duhet të kërkojnë me çdo kusht aleancë dhe bashkëpunim me forcat e moderuara të djathta. Për interesat madhore të sigurimit të një drejtimi progresist të Bashkimit Evropian(qeveria e tij quhet Komisioni Evropian), aleancat pas-zgjedhore duhet të jenë objektivi numër një i forcave të majta e progresiste në Gjermani dhe në vende të tjera kryesore të Bashkimit Evropian. Meloni, krahas fuqisë si garantuese e Evropës së Bashkuar si e njohim sot, në lidh aleancë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është edhe arkitektja e marrëveshjes së pensioneve Itali-Shqipëri. Shqiptarët kanë kontribuar në arkën e shtetit italian në tre dekadat 1993-2023, në mënyrë të jashtëzakonshme. Zyrtarët e shtetit italian janë të ndërgjegjshëm për këtë. Mirëpo ishte qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, që e jetësoi kthimin e një pjese të këtyre parave në pensione për qytetarët shqiptarë, që kanë punuar me kontrata të rregullta dhe kontribuar në buxhetin e shtetit italian.  Nëse shteti italian që këtë vit do të ketë gati fondet për pagesat për 4 mijë pensionet e para të qytetarëve shqiptarë që kanë kontribuar me punë me kontratë të rregullt për të, me një mesatare 600 euro në muaj, i bie 2.4 milionë euro në muaj ose 30 milionë euro në vit. Marrëveshja do të zbatohet për sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar (pasjetuesit). Ajo përfshin edhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen, si dhe sigurimin e papunësisë. Është marrëveshje e plotë dhe shumë e mirë. Ndërkohë, në konferencen e djeshme për shtyp me Melonin në Lezhë, kryeministri Rama përmendi shpesh sulmet me gjysëm të vërteta të disa mediave italiane, për të denigruar vendin tonë. Pavarësisht se këto media e bëjnë për të mpakur rëndësinë e Marrëveshjes Meloni-Rama për kampin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë në Shqipëri, ato tregohen të padrejta ndaj shqiptarëve. Pjesëmarrja me intervistë e kryeministrit të vendit tonë në emisionin “Report” të kanalit të tretë të televizionit shtetëror italian “RAI 3” na mësoi disa të vërteta. Së pari, gjysëm të vërtetat janë hashashi më i fortë për qytetarët e thjeshtë të informuar vetëm nga televizionet që përzgjedhin të shohin dhe rrjetet sociale që klikojnë. Populizëm është të flasësh atë që duan qytetarët e thjeshtë të dëgjojnë, pa u merakosur fort nëse mund t’i mbash premtimet që ata duan që t’u bësh dhe ti ua bën. Edhe në Evropë, forcat populiste kanë marrë revansh mbi ato progresiste. Kryeministri Rama, në intervistën e dhënë tre ditë më parë për emisionin “Report” të kanalit të tretë të televizionit shtetëror italian “RAI”, theksoi pikërisht gjysëm të vërtetat e servirura nga puntata e parë  e emisionit, kushtuar marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, për kampin e emigrantëve të paligjshëm në Gjadër të Lezhës. Në mënyrë që të denigrohej marrëveshja e arritur nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Shqipëria u paraqit si një narkoshtet. Duket e vështirë që të kuptohet nga qytetarët tanë, se si një kanal televiziv shtetëror i shtetit fqinj kërkon të denigrojë punën dhe rezultatet e partisë së sotme që qeveris në Itali, për llogari të një force tjetër politike që drejtuesit e RAI-t i ka sjellë në karriget që mbajnë, por ja që kështu është. Gjigandi televiziv shtetëror italian RAI i ngjan një hani me dhjetë porta, në drejtim të ndikimeve politike në të. Emisioni i RAI 3 kishte portretizuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë së Shqipërisë si te lidhur me krimin e organizuar shqiptar, pa ia publikuar përgjigjet e tij me shkrim, për atë që ai mendonte se ishte e vërteta e tij. Ky trajtim me dy standarde ishte gjysëm e vërteta tjetër e emisionit të televizionit shtetëror italian RAI 3. Kryeministri Rama i kërkoi me të drejtë emisionit dhe gazetarit italian intervistues që e përfaqësonte, se pse ulej poshtë Shqipëria në puntatën e parë, për të sulmuar qeverinë italiane se me çfarë shteti po bënte marrëveshje! Këtë ua kërkoi edhe të gjithë gazetarëve italianë të pranishëm në konferencën e djeshme për shtyp në Lezhë. Lind pyetja: mes sa gjysëm të vërtetash jetojmë e bashkejetojme ne këtu në Shqipëri? Ato janë shumë. Na takon t’i shkoqisim me durim, pse vetëm kështu mund të formësohet dalëngadalë besimi se ky shteti ynë një ditë do të bëhet.