Paraditen e kësaj të premtje (12 Janar) grupi parlametar i Partisë Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e radhës.
Janë zbardhur debatet midis deputetëve të opozitës që lidhen me bashkimin.
Deputeti Tomor Alizoti kërkon që mbledhjet të bëhen në seli, ndërsa deputeti Luan Baçi kërkon një rezolutë për Berishën, e cila është kundërshtuar nga kreu i grupit Gazment Bardhi.
Pjesë nga debati:
Alizoti: Ne duhet të bëjmë partinë, duhet të bëjmë mbledhjet në seli, na duhet bashkimi real politik. Pastaj na duhet që secili deputet të shkojë në zonën e vet dhe të takojë qytetarët për problemet e tyre. Ne duhet të kemi një qëndrim si grup parlamentar për Berishën. Unë nuk kam qenë me Sali Berishën, as kam qenë ministër i tij, por duhet të mbrojmë figurat politike të opozitës.
Baci: Të bëjmë një rezolutë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Sali Berisha dhe sulmi politik që po bën SPAK. Dhe ju duhet ta njihni që ai është kryetari jonë. Siç ne kemi njohur Gaz Bardhin si kryetar grupi, duhet njohur Sali Berisha si kryetar partie dhe sigurisht edhe sulmi politik që po i behet.
Bardhi: Nuk mendoj që ka nevojë për rezoluta. Duhet të merrni me çështjet që i takojnë grupit parlamentar dhe betejës tonë me Edi Ramën. Z. Berisha e ka bërë të qartë që nuk përfshinë grupin parlamentar në këtë çështje.
Nallbati: Edhe unë nuk mendoj që e ndihmojmë Sali Berishën me rezoluta. Sali Berishën, PD dhe opozitën e ndihmojmë vetëm duke forcuar partinë dhe duke mundur Edi Ramën. Të tjerat janë servilizma pa vlerë që nuk ndihmojnë askënd. Ne duhet të mendojmë sesi forcohet PD dhe opozita.