Ballina Dossier ‘Kur në Kino-‘Rozafat’, u lexue prentenca me vdekje për tetë persona dhe...

‘Kur në Kino-‘Rozafat’, u lexue prentenca me vdekje për tetë persona dhe At Mati Prenushi…’, Kujtimet e fratit të famshëm

43
0

Nga At Zef Pellumbi 

Mbas atij udhëtimi të gjatë e të vështirë, mbërrijta te Ura e Ngushtë. U ndalova: m’u duk se po frynte nji tjetër erë, me freski. Mbështetun ndër parmaket, kqyra ku uji vërshonte me turr e me zhurmë. Valët shkumbëzuese, edhe pse pa pushim të lëvizuna, ishin po aty, sikur të nguluna! E pra ujët e shumtë, vinte i ri…gjithmonë i ri…! Njerzit dhe veprat e njerzimit! Thohet se Bota ecë! Së pakut, kështu thonë të gjithë të rijtë, që mund jenë edhe pleq. Shumkush, për mos me thanë “gjithkush“, mendon se i jep nji diçka të re botës, njerzimit! Kurrgja e re nën këtë diell! Ndërsa ujët rrjedh, bota po aty. Kur po lexoj Biblën, o kur po kundroj piramidat atje në shkreti, pyes: si asht e mundun, që njeriu i shekullit të XX-të, në kulm të qytetnimit material, të jetë po aq barbar, sa ai i 40 shekujve përpara?!

Ngjarjet që ktu tregohen, nuk janë fantazi, as trillime a shpifje, të njaj propagande politike, por përshkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historic, që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk asht në fundin e botës, o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu, janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori, kërkon të falun, mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon, që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë, se; pse ndodhën ato… Pse?!

Dhuna bahet pushtet 

Dhuna tiranike e quejtun “proletare”, e ushtrueme ditë e natë, gjithkund e pa pushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnueme me britmat e slloganet papagale dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerzve servile, o t’paguem: mbas gjithë atyne pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia duelën me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane, ia duel me u ba Qeveri.

Me 9 maj 1945, ra Gjermania. Erdhi urdhni, për me u ra të gjitha kumboneve. Për botën, duhej t’ishte gezim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat, nga grupet e reparteve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojme botën anë e m’anë,
e do t’valoje përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri partizan”!

Mbas darke, siç mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës, njani tha: ndigjoni fjalët e kangës: aman, sa shumë djelmët i paska ky Stalini, në kët dhenë tonë! Lene ma – iu përgjegj nji plak – se këtu pat djelm baba Sulltani e, kushdo që të na sundojë, na e thrrasim babë o xhajë. Por kjo luftë që mbaroi, sa do të zgjasi pa fillue nji tjetër: ajo e treta!

– Pse po interesohesh ti?! Sikur t’ishin këta të rijt, hajde de, por ti…?!Para njizet vjetësh, sigurisht që jo.
– Un – tha – mendoj që Çurçilli, nuk ka si e duron Stalinin që ka zaptue gjysën e Europës, prandej së shpejti, anglezët e rusët, do të jenë në luftë.

– Anglia ka paktin njizetvjeçar të miqsisë, me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet, se e zen lepurin me qerre.

– Nuk asht pune paktesh – tha nji tjetër – por Çurçilli vetë, për me shkatrrue Gjermaninë, ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë, biznesmenëve të Amerikës e, gjysën tjetër, Rusve. Gjatë histories, shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës, i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë, ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik i Luftës së Dytë Botnore”, pamvarsisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e, gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe, me lypë nji copë bukë prej jankive.

– Ai që ban, din çka ban – tha plaku. – Un mendoj, që ai bashkë me Amerikën, nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.

– Po ti, Pater Gjon – pyeti nji tjetër, – çka mendon.

– Un ndryshoj – tha At Gjon Shllaku. – Kjo luftë asht ba, për me i sjellë botës, nji epokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës, na çon te nji bashkpunim i të gjitha kombeve.

– Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve, të presidentit Wilson: ajo ma shum e nxit luftën, se e kundërshton.

– Kjo Lufta e Dytë – tha At Gjoni – u ba luftë ideologjike. Në njanën anë demokracitë kapitaliste, bashkë me komunizmin dhe në tjetrën, fashizmi e nazizmi, që flitshin për nji Rend të ri. Kështu ky bashkpunim, ka me i përpunue njerzit që; hem kapitalistat, të përqafojne idetë e socializmit, edhe komunizmi, ka me u ba demokratik e dikur, do të jetojnë bashkë.

– Kurrgja nuk po na thue pater Gjon – tha përsëri plaku. Komunizmi e demokracia, janë krejt dy shejtana të kundert dhe nuk mund aviten, kurr bashkë. Hori e pasaniku, jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi, asht si ai djalli, që kur rrin pa punë, çohet e rrahë e, mbytë fëmijët e vet. Mjerisht ne, na ka përfshirë ky e, na do të vuejm, deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vije nji tjetër, me e hjekë qafet…!

Ndërkaq ndër të gjitha qytetet, administrata erdh tue u forcue e, pak a shum, filloi me i sistemue edhe forcat, deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e, disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile, edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej, se të çfare ushtrije mund ishin.

Edhe nëpër zyra, filloi me marrë punën në dore, ndonji nieri që ishte me mjaft shkollë, megjithse, pak kush të kryente punë, por të dërgojshin, herë te ai o, te nji tjetër, deri që të shumtën e herës, të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligje financiare e monetare, me urdhnesa drakoniane: Vulosën kartmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin, e ruejtun me shekuj ndër qypa.

Ndër komisjonet e tatimit, emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët, as nuk i pyeste kush e, ma vonë, ranë edhe në burg. Së fundi, banë edhe shumë reforma e, filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në kët kohë, u zhvilluen edhe veprimtari të randsishme kulturore. Shumë njerz, edhe filluen të mendojne, se këta e kishin marrë punën mbarë e, përnjimend me vullnet të mirë, se ishin djelm të mirë, që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar, aq të mbrapambetun.

Por shumë prej njerzve të dijtun, e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Françeskane, kishim nji kujdestar Kishet, që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji të mbete mendore dhe kushdo që e shifte, tallej me te me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shifte n’oborr të Kuvendit, apo në kjostër, e merrte mbrapa tue qeshë e, i thonte: “O more Mark, sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande, që nuk shef se çka ndodh: Hajde t’i ndrrojmë krenat bashkë”! Marku ikte si fëmija, se ndoshta mendonte, se kokat mund ndrrohen me të vërtetë.

Deri aty kish vojtë puna: me ia pasë lakmi nji të marri.!

Kujtoj 

Ishte shkurt i vjetit 1946. Në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit, At Frano Kiri, kishte thirrë nji mbledhje të avoketënve ma të përmendun, me qëllim që me organizue mbrojtjen që do t’i bahej At Gjon Shllakut, si edhe organizatës “Bashkim Shqiptar” në Gjyqin e Popullit. Dihej se prokuror komunist, ishte Aranit Çela. Nji gjysë ore mbasi u err, erdhën kto persona: Av. Dhimitër Bojaxhiu, av. Ranko Cervenkoviqi, av. Tedeskini, av. Myzafer Pipa; ishte edhe nji avokat tjetër, që nuk po më kujtohet emni, muer pjesë edhe Prof. Kolë Prela.

Un ishem aty me makinë shkrimi, i gatshëm për çdo kërkesë. – At Frano Kiri, u kujtoi se kjo mbledhje, nuk duhej të zgjaste ma shumë se tri orë, mbasi Shkodra, ishte në gjendje shtet-rrethimi, e u parashtroi kërkesën që; At Gjon Shllakut, i duhej shpëtue jeta, me çdo kusht. Folën me rradhë e pa rradhë. Për të gjithë, gjendja ishte shumë e randë. Prof. Kolë Prela, ishte deputet, mik i ngushtë i At Gjon Shllakut. Kishte ardhë me formulue nji deklaratë mbrojtje, për t’ia paraqitë gjykatës. Megjithkëtë avokatët, me prognozen e tyre, nuk ishin optimiste dhe vejshin në dyshim, edhe t’ardhmen e Profesorit deputet.

Por ai ishte i vendosun për të, edhe në rast se do t’i kushtonte jetën. Nxuer nji copë letër të tutulueme prej xhepi, ku kishte shenjue pikat kryesore, mbi të cilat do të formohej deklarata mbrojtëse. U diskutuen këto pika. U formulue edhe deklarata; un e rraha në makinë dhe ua lexova; kjenë të gjithë të nji mendje. Atëherë filloi çashtja, se cili prej avoktave, duhej ta merrte përsipër mbrojtjen. Të gjithë, ia propozuen Myzaferit.

Ai përgjegji se; do t’ishte shumë i nderuem, ta mbronte At Gjonin, bile ishte nji detyrë, ndaj françeskanve, porse në kët process, ishte i ngarkuem randë edhe me mbrojtjen e nji prej kryesuesve të “Bashkimit Shqiptar”, e kështu mund të binte në sy, e në vend që me e mbrojtë, edhe mund ta rrezikonte. Atëhere iu suellën avokat Dhimitrit, por edhe ky, kishte ngarkesë të madhe. Pothuej gjatë gjithë këtij takimi, avokat Tedeskini kishte ndejë pa za. Iu suellën atij.

Ti, – i thanë – je ma i përshtatshmi, për kët mbrojtje. Ti nuk ua acaron nervat prokurorit, e gjyqtarëve, se je gjithmonë i qetë. Duhet ta mbrojsh. Atëherë ai foli:

– Të dashtun kolegë, un kam studiue për Drejtsi.
– Po mirë, – i thanë ata – edhe na të gjithë për Drejtsi kemi studiue.
– Mirë, mirë, – u përgjegj ai, – un thom për vedi, që kam studiue për drejtësi.
– Po çdo me thanë ti me këto fjalë, se na nuk kemi studjue?!
– Jo, jo – tha – ju mos u nxehni. Punën e kam, se këto procese gjyqsore të këtyne e, sidomos këto; “Gjyqe të Popullit”. nuk kanë të bajnë fare me drejtsinë.

Mbas këtyne fjalëve, megjithse deri n’ato çaste gjendja ishte shumë e randë e shqetësuese, shpërtheu nji ilaritet i përgjithshëm. Kur u kthye përsri serioziteti, Tedeskini u shpjegoi se; “këta” At Gjon Shllakut, i kishin vu akuzën si kryetar i Demokristjanes dhe, rregullat e shoqatave fetare: “Antoniane”, “Bijat e Zojës” e “I treti urdhën”, i paraqitshin si statute organizatash politike. “Këta”, nuk mund kuptojnë asgja, jashtë fjalve: politikë, spiun e terrorist, prandaj kjo mbrojtje për të, ishte e pamundun, mbasi ishte antilogjike. Vetë fakti, që akuza lidhte organizatën “Bashkimi Shqiptar”, me këto organizata fetare e, educative, jepte sinjalin e nji sulmi të tërbuem anti-katolik.

Prandej, në këto rrethana, mbrojtjen duhej ta merrnin mbi vedi, avokatë të nji feje tjetër. Muzaferi tha, se jo vetëm ishte gati për kët mbrojtje, por ai para komunistave këtu, kishte nji minus të madh, sepse ai vetë edhe pse mysliman, kishte studjue në gjimnazin françeskan, derisa ishin mbyllë shkollat e klerit në 1933, dhe kështu logjika partizane, do ta nxirrte të kompromentuem, si bashkëpunëtor. – Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. – Nuk e mbaj mend aq mirë, se si avokatët i ndanë mbrojtjet: ata ishin të gjithë bashkë, nji grup mbrojtësish.

Megjithkëta, po gjatë seancës gjyqsore, prokurori Aranit Çela, kërkoi arrestimin e Myzafer Pipës, si bashkëpuntor i “Demokristjanes” e “Bashkimit Shqiptar”. Nuk u arrestue atë ditë, por disa muej ma vonë, me Lëvizjen e Postripës. Mbas sa vuejtjesh e torturash, vdiq i pushkatuem në oborrin e seksionit të Sigurimit të Shtetit, nën pretekstin se “deshti me ikë”.

Seksioni i Sigurimit të Shtetit në atë kohë, e kishte selinë e vet në shpi të Pjetër Çurçisë, afër Sahatit të Inglizit. Oborri i vogël mbrapa, me nji pjeshkë në mes, ajo trumë bishtshkurtë te dera, ato shkallë mbi WC, ato podrumet ngjitun.

O Zot i Madh, vetëm ti e din se aty u kryen krimet ma të mëdhajat e tokës! Ai oborr aty, asht krejt i lamë me gjak, të pafajshëm. Gjatë këtij moji, kishin organizue banda rrugaçash, që silleshin nëpër lagjet katolike të Shkodres, kryesisht rreth institutive fetare, për gjithë nate, gjithmonë natën vonë, tue u çirre me sa za kishin: “Vdekje tradhëtarve”! “Poshtë pllumbi i paqes” ose, “Poshtë pllumbi i Papës”.

Sulmuen dyert e Kishës, sikur të dojshin me i shpërthye. Na kallshin frigë e tmerr: gjindeshim si delet mbrenda nji vathi, të rrethuem prej ujqve të tërbuem. Po ndër ato dit në Tirane, u ba pushkatimi i At Anton Harapit, i cili, në njanën anë, e shtoi edhe ma shume etjen për gjak, ndërsa na tjerët, shifshim nji hekatombë të hapun, që na priste. Me 22 shkurt, u dha sentenca e gjyqit. Me pushkatim:

1. At Gjon Shllaku
2. At Gjon Fausti
3. At Danjel Dajani
4. Mark Çuni
5. Gjergj Bici
6. Gjelosh Lulashi
7. Fran Miraka
8. Qerim Sadiku

Tjeret u dënuen prej 5 vjet, deri përjetë. Prej të dënuemve me vdekje, iu fal jeta Gjergj Bicit, i cili bani shumë burg, u lirue, u martue, bani përsri burg, derisa vdiq. Tjerët vuejtën dënimin, disa në Burrel dhe e shumta ndër kampet e çfarosjes së “punës së detyrueme“.

Në Kino-Teatrin “Rozafat”, kur u lexue sentenca me vdekje për 8 persona, salla e kinemasë, pothuejse nuk ra mbrendë, nga duartrokitjet e çmenduna e brimet e çjerruna, te asaj zhumilje që kishte përvetsue e monopolizue emnin “popull” dhe e shfrytzonte atë, për t’i dhanë ngjyrën ultrakriminale, gjithë popullit shqiptar.

Na prej Kuvendit Françeskan, me vëmendjen ma të përqendrueme, ndiqshim nga radio zhvillimin e gjygjit ,drejt nga salla e Teatrit “Rozafat“. Kur u dha ky vendim makabër, në vend të njaj heshtje mortore, u ndigjue rrahje shuplakëve, triumfante të nji sadizmi të pashoq. U filluen me çjerrje kangët e hakmarrjes, të shoqnueme me shfaqje aq të egra e shtasore, sa, At Mati Prendushi, nuk mund u mbajt pa thane, me të madhe: “Të lumtë o Serbian, se sot ia dole, me ia paraqitë tanë botës se shqiptari, me bisht ose pa bisht, asht nji egërsinë e vërtetë”!

E ajo egërsi vazhdote çfaqjet e veta të terrorit përditë e përnatë, rreth institucioneve katolike. Gazetat e radioja, mburreshin me këtë sukses të madh, kundra “anmiqve të popullit“. “Drejtsia Popullore” (ec e gjeje, vështrimin e këtij termi juridik) me fantazi të madhe, ia kishte dalë me e ba mizën buell, tue u nisë nga hovi guximtar i ndonji djaloshi të shkolluem e, veprimet e papjekuna të disa fëmijve, t’i paraqiste ato, sikur t’ishin organizata terroriste, të drejtueme prej atyne njerzve, ose institutive, që partia komuniste donte me i zhdukë.

Me ankth pritej çdo të ndodhte. Para se me dalë drita e datës 4 mars 1946, breshnitë e zgjatuna të armve, thyen atë heshtje të thellë, që ndan terrin e dritën. Ato breshni, vijshin prej Vorreve Katolike, në breg të Zallit te Kirit. Qyteti u zgjue i tmerruem. Ishte nji zakon partizan, që të pushkatuemët, me i lanë ashtu të shtrimë, rrah përmbi tokë, që popullit me i shti frigën. Gjithkush e kuptoi, se çka ka ndodhë. Prej të gjitha anve, njerz vrapuen aty, me pa. Ata që shpijat i kishin afër, mbrrijtën aq shpejt, sa e gjetën ende të nxehtë gjakun e tyne, tue gurgullue. Kje ndonji, që nxori nji shami të bardhë dhe e ngjeu në gjakun e At Gjon Shllakut.

Por mandej, roja partizane e vendosun aty, nuk i lejonte që t’aviten, ma afër se 2-3 metër. Ishin gjashtë të shtrimë në mënyrë të çrregullt, siç ishin rrxue prej automatikve të skuadrës së pushkatimit. U shifej në krye, vetëm goditja e fundit e dhanun secilit, prej prokurorit. Skuadra partizane e pushkatimit, kishte kthye me atë kamjon, tue këndue me histeri, kangët e njoftuna partizane. Atë ditë, ata u shpërblejshin nga komanda, me dy racjone gjelle. Njani prej tyre, në konfidencë të madhe, i kishte thanë nji djaloshit katolik: “Kurr s’kam parë asi trimash”, pasi të gjithë vdiqën tue thirrë me të madhe: Rrnoftë Krishti!.

Deri mbas mesdite, trupat e tyne mbetën aty të shtrimë e, populli shkoi me i pa. Atëherë erdhi nji skuadër tjetër partizane, u hapi nji vorr të përbashkët, kund nji gju të thellë, dhe i varrosi aty, në varg, me sa e sa të tjerë që përpara tyne, ishin pushkatue mbas murit të Vorreve Katolike, nën hijen e dy çinarve të mdhaj: Ata dy çinarë, janë dhe sot dishmitarë, të gjithe atij gjaku të derdhun pa faj, ndër rrajët e tyne. Un shpesh shkoj aty e, me duket sikur flas me ta dhe shoh se qysh atëherë, kanë fillue me u brejtë, e me u plakë”! Memorie.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu