Ballina Kulturë “Kuqo” komunisti, apo “Kuqo” demokrati?

“Kuqo” komunisti, apo “Kuqo” demokrati?

451
0

Nga Josif Papagjoni

Pak vite më parë pata shkruar një artikull për romanin “Testamenti i një mitomani” të Leka Bungos; ishte një vepër plot ëndje, kishte ritëm, humor që buronte gjithandej, përqeshte sa me sarkazmin therrës aq dhe me groteskun, gjer edhe me farfuritë anekdotike, me batutat, thagamat, shpotitë. E shkuara komuniste përtej tmerrit dhe tragjizmit, tanimë na bënte për të qeshur me idiotësitë e saj, me marrëzitë dhe absurdin. Ishte një roman që më mbresoi tepër tek e lexova dhe s’kishe se si të mos qeshja. E veçantë ishte edhe thurja e habitshme, paradoksale në llojin e vet me rrëfimin dhe përfytyrimin e një mitomani (alogjik dhe i kthyer përmbys), të cilat plekseshin me të vërtetat e hidhura të jetës, dje dhe sot, falë një teknike narrative qesëndisëse. Romani ecejakej në bashkëjetesat e logjikes me alogjiken, e të vërtetës me marrëzinë, e të besueshmes me trillin, të pamundurën, gënjeshtrën, fantasten. Kohët dhe njerëzit bëheshin lëmsh.
Ja ku këtë roman, ngjarja e të cilit është se nuk ka “ngjarje” në kuptimin klasik tradicional të dramës si gjini letrare (pasi ajo vjen si një mori episodesh, pandehmash dhe çartjesh, të cilat së toku na dhurojnë një sintezë sarkastike të jetës) – këtë roman pra e pash si shfaqje në Teatrin Kombëtar me titullin e shkurtuar “Testamenti”, regjisor Leka Bungo. Para se të them dy fjalë shtesë për të, do doja të ndaja entuziazmin tim për kënaqësinë e epërme që më dha loja e Viktor Zhustit.
Ne kemi një visar, i rrallë në llojin dhe dritën e vet, plak dhe i ri njëherësh, gjithë energji dhe fuqi transformuese, që quhet Viktor Zhusti. Mbase e teproj, por ky rol më duket nga brilantët më të bukur e më rrezatues të karrierës së tij të gjatë. Unë e kam parë në dhjetra role, por si ky Kuqoja i kësaj shfaqjeje, me këtë mjeshtëri e përsosje në të gjithë elementet e aktrimit, me këtë përpunim të mrekullueshëm të fjalës, logjikës së saj, me begatinë e intonacioneve, me gjetjen mimike, me përshtatshmërinë psikofizike, moshën dhe tipin e qesëndisur, jo, nuk e kam hasur më parë tek ai. Nuk e kam hasur në mënyrë kaq perfekte, kaq të besueshme, kaq natyrore. Ai sikur e ka shkrirë gjithë përvojën e vet aktoriale aty. Ka një siguri absolute në administrimin e energjisë së tij psikike dhe përcjelljen e saj në sallë. Unë thashë ca fjalë për romanin e Leka Bungos, do them më poshtë dhe ca të tjera të lidhura me këtë shfaqje, por them se ajo (shfaqja) mu duk kryekreje e Viktor Zhustit. Ne thuajse e harrojmë autorin përmes tij, ndonjëherë edhe regjisorin. Ja që kështu ngjet në teatër. Është lumni kur germës së hedhur në letër i gjendet jetësuesi i saj në skenë, aktori. Njësoj edhe për gjetjet regjisoriale. Nuk e marr dot me mend se si mund të ishte në interpretimin e një tjetër aktori ky tekst dhe sa sukses do të kishte, sepse në zërin, shtatin, përpunimin plastik, sjelljen, mënyrën e shikimit, gjestin, portretin, qëndrimin ndaj personazhit, të ujdisurit e vetes me tipin e krijuar, gjer dhe te mustaqet, çizmet, kapuçin, kapotën, buzën e shtrembër, kudo e kurdo, interpretimi i Viktorit ishte i paqortueshëm, mund ta quaja brilant. Kurrënjëherë nuk e pash të nxitohej, kurrënjëherë nuk dallova uniformitet dhe njëjtësi në shqiptimin dhe përcjelljen e fjalës te spektatori, kurrënjëherë ritmi i tij nuk ra teposhtë, brendësimi i gjendjes psikike dhe përjetimet e tij kurrënjëherë nuk i pash të vakta, me temperaturën në rënie, përkundrazi gjithmonë në vlim, gjithmonë i thyeshëm, i ndryshueshëm, me plot lakime intonative e ngjyrime zanore, të gjitha të bukura, nga ku buiste një humor pa britma e tepri, pa shtrembërime e jashtësi, por nga karakteri. Qe një humor i brendshëm, burimor, i vetvetishëm, organik, një humor pa një simptomë të vetme banaliteti a vulgariteti (paçka se mendja e personazhit e tilla qe). Edhe pse rrëfimet dhe përjetimit e këtij Kuqost janë ndoca çmenduri të “mençura” e ndoca idiotësi të “mprehta, me zotërimin që Viktor Zhusti kishte ndaj gjithçkaje, na solli të vërtetat domethënëse të jetës dhe njeriut shqiptar, gjer edhe të një sistemi politik. Ti qesh me marrëzitë dhe mitomanitë, por edhe vramendesh për kohën (duhet thënë kohët), edhe ngacmon kujtesat dramatike e tragjike të komunizmit që lamë pas por që, për dreq, bishtin ky lugat na e paska lënë mbi tokë e na tundet para hundës edhe sot. Sepse ti gjen edhe te teksti edhe te loja, hije të këtij sistemi diabolik në mendësinë tonë, diku e shkrirë dhe e fshehur, diku e hapur, por përherë nën emra të tjerë. Komunizmi nuk ka vdekur, është një monstër që pjell vetveten sepse ende gjen te ne plehun social e shpirtëror për t’u ri-rrënjëzuar.
·
Çfarë është ky personazh me emrin alegorik Kuqo: matuf, i çmendur apo një mitoman? Të trija janë, mbase dhe më shumë. Falë çaprashitjeve të tij dhe testmanetit që dëshiron t’u lërë njerëzve, ai vjen edhe si një delirant e militant komunist, besnik ndaj liderit të vet, edhe si një hedhurinë përmes mendjes së tij të shprishur. Me alogjizmin e vet ai shkakton humor, nuk është më i rrezikshëm si dikur. Koha historike i ka mbaruar, por jo mendësia. Kjo krijesë, gati si një metaforë, i ka shërbyer shkrimtarit si ndërlidhëse kohërash falë një narrative mbushur me gjësende qesharake. Në fakt, veç në dukje ato janë qesharake, në brendi kanë nënkuptime dramatike. Në mos një i çmendur me tërësej, së paku përballë ne kishim një tip (a steriotip) të parapëlqyer nga kategoria e komikes, nga humori, pra një sherrbudalla, një të gjymtë e të rrjedhur mendërisht përmes të cilit t’i tall të tjerët, jo vetëm personazhin (i cili s’është veçse instrumenti yt). Ca nga mosha, ca nga deliret, ca nga piciret dhe ca nga vetë mprehtësitë e autorit dhe të lojës mbresuese të Zhustit, në sallë erdhën nën velin e qesharakes thërmokla pezmesh e tragjedish që i kemi pasur dhe ende vazhdojmë t’i kemi si gjembat nën këmbë…
Te kjo shfaqje pata dhe një ndjesi të bukur. Teksa krijuesit e saj merrnin duartrokitjet e merituara të publikut, Viktor Zhusti lajmëroi në ekzaltimin e tij prej miku dhe shoku ndaj autorit dhe regjisorit, se bash ai, Leka Bungo, kishte pikërisht në ditën e kësaj premiere teatri, 80 vjetorin e tij. Gjë e bukur ta festosh kështu ditëlindjen! Si e ujdisur për bukuri qe kjo surprisë për Lekën, për t’i dhënë kënaqësi sa për suksesin e shfaqjes aq dhe, ca më shumë, për ndihmesën e tij ndër vite si regjisor, dramaturg, kineast, njeri i teatrit, televizionit, kulturës. Duartrokitja dashamirëse e publikut i dha një nga çastet më të bukura të jetës, besoj. Romani “Testamenti i mitomanit” i kthyer në një vepër dramatike, dhe më tutje në një shfaqje, na solli, thuajse në paradigmën e një Shvejku, apo mbase një “anti-Shvejku” – një sinkroni e diakroni historike të shumëfishtë të shqiptarëve, ku koha përzihet qëllimisht dhe humbet caqet, ku bëmat dhe gjëmat e komunizmit dje herë-herë ngjajnë si dy pika uji me bëmat dhe gjëmat e periudhës postkomuniste, tek e ashtuquajtura “demokraci” sot. Ja që rëndom kjo “demokraci” s’është veçse një keqkuptim dhe deformim i madh i saj. Bungo dhe Zhusti, me një kokëkrisur e plak të matufepsur si Kuqon e tyre, sollën një Shqipëri në krizë, autokratike, ku mendësia komuniste pjell ende këlyshët e vet me prirjet e saj autoritariste, korruptive, qesharake, gjer dhe kriminale të kastave politike, ku “A”-ja dhe “Zh”-ja, edhe pse aq larg në dukje, janë aq pranë, bulëza të një sistemi. Andaj me një gjetje të kuptimshme, diku në fund thuhet se këtë vend do ta drejtojë Tarasi i tretë (Enver Hoxha si Tarasi i parë, Ramiz Alia si i Tarasi i dytë dhe… dhe… Sali Berisha, Edi Rama… apo… dikush tjetër, si Tarasi i tretë – pra një mbretëri). Këta Ta-rrasa nuk i ndahen shqiptarëve, janë pjella të njëri-tjetrit.
Skenografia inventive e Beqo Nanajt shfrytëzon një element militar jo pak të hasur në art: një bunker të madh në qendër të skenës. Mendimi i parë: Shqipëria si bunker. Kjo nuk sjell diçka të re. Bunkeri hapet dhe brenda tij gëlon një qenie, ndez dhe shuan qirinjtë sa herë ikin e vijnë dritët, në një Shqipëri ende në terr. Bunkeri kësisoj kuptimësohet, merr funksion. Është streha e një veterani plak matuf, që në shfaqje e ka emrin Kuqo (i kuqi), ndërsa në roman Luftari. Jo thjesht njeriu, por krejt bëmat dhe idetë  e tij. “Njeriu-Bunker” nis e frymon. Na rrëfen historinë e tij, më mirë të themi të mendjes së tij. Dikur u ka bërë gjëmën njerëzve, sikurse më pas është burgosur nga vetë diktatura të cilës i shërbeu. A s’qe Enver Hoxha ai që burgosi, likujdoi e vrau bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke përmbushur sentencën se “revolucioni ha bijtë e vet”, një shportë karavidhesh, ku të gjithë janë kundër të gjithëve duke ngënë kokat e shoqi-shoqit? Falë paradoksit dhe absurdit, kohët, ngjarjet, njerëzit, ata historikë dhe ata jo historikë, vetëm përzihen, ngatërrohen, zhvendosen sa andej-këndej. Sensi logjik dhe zinxhiri i keqkuptimeve shthuren të dyja qëllimisht duke krijuar prej këndej ngjashmëritë midis tyre, çka sjell për pasojë, fuqinë e abstragimit dhe universalizimin e vetë dukurisë. Një mori batutash sjellin jo thjesht humor nga përplasja e paradokseve, e alogjikes dhe të pamundurës, por edhe mendjemprehtësi me një semantikë që na shtyn në mendime. Bie fjala, në Konferencën e Pezës, hartimi i programit të koncertit përshëndetës për delegatët ishte: “Tri këngë, dy pushkatime, një valle”. Ose antiheroi ynë, Kuqoja, për të zbatuar luftën e klasave si parimin kryesor të komunizmit, vret kunatin, burrin e motrës, teksa ai që e urdhëronte, pra Tarasi, kunatin e vet sakaq e paskesh armikun politik. Ose teksa ky antihero shkon në një miting në qendër të Tiranës ku pritet të vijë vetë Musolini, në vend që t’i bëj atentat atij merr vesh se ka vrarë dirigjentin e orkestrës në koncertin që jepej aty. Ose në qeverinë e re postkomuniste fenomeni i nepotizmit shfaqet si deformim qesharak i saj, ku gjithë ministrat e zgjedhur janë nga Tropoja. Po kështu loja me 28 apo 29 nëndorin, e cila vjen si një parodi pa fund; spiunimet dhe përgjimet, letrat anonime, shtrembërimet e të vërtetës nga mediet e sotme etj. Duket sikur janë po e njëjta gjë, vazhdim i po atyre metodave si dje, ashtu dhe sot. Ky Kuqua i shfaqjes “Testamenti”, në mos ka vdekur do vdes së shpejti, ashtu i shastisur dhe i idiotizuar siç është katandisur, por, ama, nuk vdes kollaj fenomeni “Kuqo”. Eh, komunizmi nuk vdiska kollaj…