Ballina Politika Banderola për Blinken-in, shpërthen analisti Bushati: Servilizëm i pushteteve ndaj ‘padronëve’!

Banderola për Blinken-in, shpërthen analisti Bushati: Servilizëm i pushteteve ndaj ‘padronëve’!

50
0

Analisti Andi Bushati duke folur gjatë një interviste televizive tha se me informacionet e deritanishme vizita e Blinken-it në Shqipëri nuk pritet të jetë në kuadrin e atyre vizitave që kanë lënë gjurmë.

I pyetur mbi banderolën te Universiteti i Tiranës, Bushati foli për “servilizëm të pushteteve ndaj ‘padronëve’ të tyre”, duke shtuar se ka parë edhe më keq me pritjen që i bëhej Çu En Lai-t apo Hrushovi-t. Lidhur me protestën e opozitës Bushati theksoi se ajo do të jetë një thikë me dy presa, pasi nëse do të ketë masivitet do të tregojë që militantët e përkrahin procesin e bashkimit, ndërsa nëse pjesëmarrja do të jetë e dobët mund të kthehet në bumerang.

Mbi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Bushati thotë:

“Akoma nuk dimë ndonjë gjë konkrete, përveç anës ceremoniale, anës që Shqipëria ka qenë në një linjë me Amerikën sa i përket pritjes së refugjatëve afganë, Ukrainës, etj.etj. Në këtë kuptim bëhet një vizitë rutinë, qoftë edhe falënderuese për rolin e Shqipërisë. Ka vizita të shtetarëve amerikanë që janë historike, si ajo e Baker dhe George W. Bush. Ka edhe vizita që s’lënë ndonjë gjurmë të madhe. Deri tani kjo është te këto të dytat”.

Mbi banderolën në fasadën e UT për pritjen e Blinkenit, analisti shprehet:

“Është një traditë e vjetër kjo. Unë që jam marrë me dokumentare historikë për disa vite kam parë edhe më keq se kaq, kam parë pritjen që i bëhej Çu En Lai-t apo Hrushovi-t, pra një lloj servilizmi të pushteteve ndaj padronëve të tyre. Aq më tepër që fasada e Universitetit është bërë si kënd emulacioni privat i Ramës, para ca kohësh u vu Murinjo që thoshte e kam mik kryeministrin e Shqipërisë, ose si në asnjë vend të Europës janë celebruar dëshmorët e grushtit të shtetit në Turqi.

Në rastin konkret janë qeveritarët që festojnë dhe populli qëndron indiferent, madje bezdiset nga trafiku dhe bllokimi i rrugëve. Opozita në përgjithësi nuk takohet me shtetarët e lartë që vizitojnë Tiranën, me përjashtim të ndonjë rastit ë rrallë. Aq më tepër që ky është rast specifik, pasi kjo opozitë është kërcënuar që do të hani bar po mbajtët Berishën, dhe ata e mbajtën, dhe në këtë rast do të ishte i pakonceptueshëm një takim me opozitën”.

I ndalur te padia e opozitës për Portin e Durrësit, Bushati thotë:

“Edhe sikur ta bënte me gjasme s’do kishte asgjë të keqe. Sepse kjo opozitë e akuzon SPAK-un dhe drejtësinë që luan me dy standarde. Do të shfrytëzoj çdo rast për t’i provuar publikut që SPAK vepron me dy standarde. S’besoj që e ka bërë me qëllim, pasi që ditën e parë që ka shpërthyer ky skandal, opozita ka qenë konstante në denoncimin e kësaj afere”.

I pyetur mbi protestën e 20 shkurtit, analisti shprehet:

“Opozita s’ka punë tjetër, veç se të organizojë protesta dhe të bëj kritikën e qeverisë. Në çdo rast s’mund të kritikohet një opozitë nëse organizon një protestë. Problemi sot është që opozita sot po propagandon akoma jo bindës një proces bashkimi. Kjo protestë është thikë me dy presa, pasi nëse në njërën anë do arrijë të mbledhë njerëz, do tregojë forcë, do të krijojë një protestë të ngjashme me ato të korrikut të shkuar, atëherë do t’u tregojë njerëzve që ky proces bashkimi po përkrahet edhe nga militantët e saj.

Por nëse protesta do të jetë dështim, si dy protestat e fundit, kur pati shumë pak pjesëmarrje, atëherë mund t’i kthehet në bumerang. Përmes protestës do të shohim se sa militantët i përkrahin proceset udhëheqësisë, ka vlerë vetëm për këtë sepse për momentin protestat që organizon kjo opozitë s’kanë asnjë fuqi që të trondisin qeverisjen e Ramës”.