HEJ DARDAN!
Ti s’po mërzitesh, or vlla në gen,
Në dot s’të thirrkam “Kosovar”!
Se brenda gjakut tënd sot gjen,
Një Dardan me plis krenar.
Si të thërras unë, pa më thuaj!
Ne jemi njëjtë në shpirt e mish!
“Kosovar” është emri huaj,
“Dardan”, emër perëndish.
Kujtohu pak, se çfarë legjendash,
Historia fsheh së thelli!
Tinëzisht hallesh dhe brengash,
Kosovar emri të ngeli.
Kështu të thirrën hasmit e vjetër,
Domosdo me një qëllim!
Që ti t’u ndjeje dikush tjetër,
Por jo kurrë, si vllau im.
“Kosovar” ky emër ngjan,
Emër i kotë, që kurrë s’më bind!
Hej Dardan, o bir Titan!
Që mijra motesh vdes e lind.
Le të bashkohemi anembanë
Sup më sup e dorë më dorë!
Epirotë, Albanë, Dardanë,
Që të gjithë jemi Arbnorë!
A s’hedh tej ca zhele e cule,
Vishi ti xhubletë e plis!
Mos e ndrro një troll me lule,
Me tokën shterp’ e dhena pis!
Ti s’po mërzitesh, or vlla në gen,
Në dot s’të thirrkam “Kosovar”!
Çdo çast tek gjaku yt e gjen,
Një Dardan, vigan krenar!
EKLIPS DASHURIE
Ah kjo Hënë e mysët, që feks në dy kahet,
Edhe të përmbyset, me të madhe mbahet!
Me një tufë rrezesh, rihet edhe hahet,
Në vesë mëngjesesh e praruar lahet.
Bën dhe sikur bie, bën sikur këputet,
E brishtë sa ndihet, e plotë, sa duket!
Merr e jep ca shënja dhe Tokës ç’i lutet,
Si bija tek nëna, në gji thellë t’i futet.
Ageve aguar, lart në sfond tek ngrihet,
Muzgjesh perënduar, tutje ndërsa fshihet.
Me yjet e zgjuar, mpleksur ç i mban fijet,
Loz e dashuruar, si drita me hijet!
LIRIKË MALLI
Unë në njërin skaj, ti në tjetrin skaj.
Ndaç po deshe qesh, ndaç po deshe qaj.
Se jemi kaq larg, bota nuk ka faj.
Ajo veç vërtitet n’orbitën e saj.
Me frytet e gushtit, po më josh në maj.
Bo bo nga të vete, o po nga t’ia mbaj!
Valle e dashurisë, nuk hidhet kollaj.
Fjalën do ta pres, mëndjen do ta ndaj!
Ti në njërin skaj, unë në tjetrin skaj.
Kot tē bëj lëvdata, po më kot të shaj.
Shpirti im ka gaz, xhani yt ka vaj.
Kur të rrjedhin lotët, lotët dot s’ti thaj.
Rritur në një vend, rrojmë nën dy qiej.
Këtej Dielli lind, perëndon andej.
Në më bëre borxh, borxhin dot s’ta kthej.
Zemrën në ma fale, s’kam si ta rrëmbej.
Ti në njërin cep, unë në tjetrin cep.
Këtej Hëna than, andej Hëna pjek.
Kur unë jam në mal, ti gjendesh në det.
Globi rrotullohet, n’orbitën e vet.
Meraku të djeg, malli po më tret.
Zgjatet loja zgjatet, zgjatet me lezet.
Të dy po humbasim, nëpër dit’ e net.
Ëndrrat i bëmë çift, kurmet i lamë tek.
DASMA
“Lonte beu, moj lonte beu,
Lonte beu me hankonë”
Populli
Fushat çelin lule, malet tresin borë,
Fiset sërë-sërë, lloj e lloj dasmorë.
Dy shami mëndafshi, hidhen dorë më dorë,
Djali bëhet dhëndër, vajza vë kurorë.
O një goxha saze, ç’e prin tamburaja.
Dy palë çorape, sa ardhur nga paja,
Sa shkojnë ndë thembra, hop vijnë ndë maja.
Hop, këmbët e tij, hop, këmbët e saja!
S’bën derman klarina, lodra s’bëka fajde.
“Eja moj të keqen!”, “Xhan t’u bëfsha hajde!”
Po griset një dajre, po çmendet një gajde,
“Eja moj të keqen!”, “Xhan t’u bëfsha hajde!”
Qeshka Hëna sonte, sa për dy mëngjese.
Në vënd të orizit, hidhen bulza vese.
Lumi u bë verë, yjet u bënë meze!
Dasma ç u bë dritë, vallja ç u bë rreze!
Gazi lëshoi frerë, hallet shkuan tej.
Këmbët, porsi erë, kryet, porsi diej.
Ç’u harlisën kurmet, o po gjer në qiej.
Loz e loz një hanko, lot e lot një bej.
ODE PËR HAFIZE LESKOVIKUN
“Kushtuar Hafize Leskovikut
Artistes së madhe Shqiptare
Mërgoi dhe vdiq në Stamboll”
Autori
Vënë jetë e shkurtër, mbi udhën e gjatë,
Njomet zhur i djegur, me lotin e ngratë.
Rrotë e arabasë, po qan me lëngatë,
Tutje po çon diellin, prapa po lë natë.
Oh ky dhé i huaj, këngën jo, s’ta qas,
Trupi të shkon tutje, zëri jehon pas.
Kraharor i gjorë, gjëmon me tallaz,
Seç i mbajtka iso, vaji arabasë.
“Ç’ke moj araba, ç’ke të keqen-ë!
Punët, që ne kemi, do të ndreqen-ë
Xhan të keqen-ë, xhan moj araba!
Hallet, që ne kemi, qënkan të mëdha”.
Ç’pati që pushoi erë e Grebenesë?!
Po dëgjoka zënë, zënë e Hafizesë,
Oh kjo këngë e saja, kujt i ra në pjesë?!
Xhanin do ja ngjallë, shpirtin do ja vdesë!
Leskovik i mallit, më mbushe me brëngë,
Ti më fale derte, unë të fala këngë.
Trëndafilë e zemrës, ta shkulën me rrënjë,
Në saksi Stambolli, ta mbollën për shënjë.
“Ç’ke moj araba, ç’ke të keqen-ë?!
Punët, që ne kemi, do të ndreqen-ë.
Xhan të keqen-ë, xhan moj araba!
Hallet, që ne kemi, qënkan të mëdha”
QELBËSI ( fabul)
Një ditë, nën hijen e një shtogu,
Teksa flinin mbi ca thekër,
Macen, akuzon maçoku,
Se ka shkuar me një tjetër:
“Vërtet nuk shoh, sepse jam qorr,
Por mos kujto se po ma hedh,
Se unë e di me cilin horr,
Ma ke dredhur dhe ma dredh.”
Mendon tjetra ngushtë zënë:
“Thua bufi është spiuni,
Apo pula t’i ketë thënë,
Cili pra, më pa tek lumi?!
Të jetë çerri bashkë me galën,
Mos ndofta një milingonë,
Tek veshi ia solli fjalën?!”
Ndërsa maçi prapë vazhdon:
“Më tradhëton me qelbës horrin
Dhe me mënd kërkon spiunin,
Që më njoftoi mua qorrin
Dhe harron, harron parfumin!”
Thotë një bletë duke zukatur:
“Eh, maçoku qorr, i mjerë,
Një qelbës, ai paska nuhatur,
Po sa të tjerë që s’bien erë?!”
DIEJ E DJAJ
Mëmëdhe për ty sot ndjej,
Një paradoks, që dot s’e mbaj!
Kur qiellit tënd vërtiten diej,
Në ç’djepe tersi tund kaq djaj?!
As të lëvdoj një fjalë s’po gjej,
Po zemra jo, s’më bën të shaj!
Kur mitra jote lind veç diej,
Në ç’zgavër pjell e rrit kaq djaj?!
Dhe Historinë, si do ta kthej,
Të vërtetën dot s’e ndaj!
I fale botës goxha diej,
Me turp të bënë, ca palo djaj.
Do shkojë ky brez, do flaket tej,
Se domosdo dhe pati faj!
I verber qe dhe s’njohu diej,
Memec u bë ortak me djaj.