Ballina Kulturë Prezantohet libri i historianit Gjet Ndoji i titulluar: “Qeverisja e Shqipërisë gjatë...

Prezantohet libri i historianit Gjet Ndoji i titulluar: “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së II Botërore”

195
0

Në kuadrin e veprimtarive kushtuar librit u organizua takim me autorin Gjet Ndoj në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu ” për të prezantuar librin e tij më të ri të titulluar: “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së II Botërore”.
Historiani Gjet Ndoj erdhi në këtë sallë pas disa përurimeve të suksesshme si në Pejë e Gjakovë .
“Qëllimi i këtij botimi është që shqiptarët të informohen për punën dhe kontributin e madh që nacionalistët dhanë në këtë periudhë specifike e tejet të vështirë të luftës botërore sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës, në fushën e albanologjisë, ballkanologjisë, duke zbuluar të vërtetën e cila në ditët tona është denatyralizuar.
Interes paraqet fakti që autori përdor për herë të parë, termat: “Shqipëria e vjetër dhe Shqipëria e re”; Tokat e lirueme, të cilat formojnë Shqipërinë etnike.
Lexuesit dhe studiuesit në këtë vepër marrin informacion të veçantë për shumë ngjarje të cilat janë pak ose aspak të njohura ose më keq, të shtrembëruara në përputhje me interesat politike të klasës së dalë nga lufta e dytë Botërore si: mbi arsimin dhe kulturën shqiptare, rreth simboleve shqiptare, mbi çështjen e hebrenjve; ngjarjet e 4 shkurtit 1944 apo edhe mbi Lidhjen e Prizrenit.
Punimi përbëhet nga tri pjesë ku kemi periudhën e parë dhe të dytë përgjatë kohës së pushtimit italian, ku vepruan 6 kabinete qeveritare shqiptare si edhe periudha e III, ajo e vendosjes së ushtrisë gjermane në vendin tonë, kohë ku vepruan Regjenca dhe 4 kabinete qeveritare.
Çdo pjesë është ndarë në kapituj dhe çdo kapitull më nënçështje duke e sjellë informacionin në një format tepër praktik për lexuesin.
Ky libër, është një minierë pasi përmbledh 630 referenca dhe 2500 dokumente të nxjerra nga Arkivi i shtet shqiptar dhe ai i Forcave të Armatosura.
Takimi u moderua nga moderatorja Teuta Dhima e ndërsa në fund Autori shpërndau edhe disa kopje të librit për të pranishmit në takim.