Ballina Bota Agjencia e OKB-së ‘ndez sirenat e alarmit’ për ngrohjen globale

Agjencia e OKB-së ‘ndez sirenat e alarmit’ për ngrohjen globale

15
0

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për motin po ngre alarmin lidhur me ngrohjen globale, duke përmendur rritjen në nivele rekord vitin e kaluar të gazeve që shkaktojnë efektin serrë, temperaturat në të gjithë planetin dhe shkrirjen e akullnajave.

Raporti i fundit i Organizatës Botërore Meteorologjike për klimën thekson shqetësimet lidhur me objektivat botërore për të kufizuar rritjen e temperaturës së planetit në jo më shumë se 1.5 gradë celsius nga nivelet para-industriale.

Periudha nga marsi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024 shënoi rritje temperature përtej kufirit, duke arritur mesatarisht 1.56 gradë Celsius, sipas Agjencisë Evropiane për motin, Copernicus.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, deri nga fundi i vitit, 90% e oqeaneve u përballën me një valë të nxehti. Akullnajat që vëzhgohen që nga vitet 1950, shënuan humbje rekord të depozitave. Akulli në Antarktik shënoi nivelet më të ulëta ndonjëherë.

“Tendenca afatgjatë e nxitur nga gazet që shkaktojnë efektin serrë po rrit temperaturat globale, po rritet nxehtësia e oqeaneve dhe po shkrihen akullnajat”, thotë John Kennedy, shkencëtar me agjencinë e Kombeve të Bashkuara për motin dhe autor kryesor i raportit për gjendjen globale të klimës.

Përmes një deklarate që përkon me raportin, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, thekson koston njerëzore si rezultat i motit ekstrem të shkaktuar nga ngrohja globale.

“Ndikimi është i ashpër dhe brutal me një fuqi vdekjeprurëse. Raporti detajon motin ekstrem në mbarë botën gjatë vitit 2023 dhe gjurmët e lëna nga efektet shkatërruese. Mijëra të vdekur dhe miliona njerëz të shpërngulur. Shkatërrime në sektorin e bujqësisë dhe humbje të mëdha ekonomike. Ndryshimi i klimës ka ndikime shkatërruese në zhvillimin e qëndrueshëm”.

Raporti thotë se gjatë vitit 2023 rreth 330 milionë njerëz u përballën me pasiguri ekstreme ushqimore, çka mund të jetë ndikuar edhe nga pandemia. Kjo shifër përpara pandemisë ishte rreth 149 milionë njerëz. Sipas raportit, duket qartë se moti ekstrem luajti një rol madhor në zhvendosjen e popullsisë së rrezikuar. Raporti thotë se valët e të nxehtit, përmbytjet, thatësira dhe zjarret shkaktuan kaos dhe mjerim për miliona njerëz në të gjithë botën.

Rritja e energjisë së rinovueshme me rreth 50% gjatë vitit 2022 përbën “një fije shprese”, sipas raportit, i cili thotë se janë të pamjaftueshme kontributet financiare për fondin global për të ndihmuar vendet e rrezikuara që t’u përshtaten ndryshimeve klimatike.

Raporti thotë se fondi global arriti në 63 miliardë dollarë në vitin 2022 ndërsa vlerëson se deri në vitin 2030 vendet në zhvillim do të kenë nevojë për 212 miliardë dollarë./ VOA