Bosnje-Hercegovina ka bërë hapa përpara, por rruga drejt BE është ende e gjatë. Me hapjen e negociatave të anëtarësimit BE donte të jepte një sinjal gjeopolitik, se BH është pjesë e Europës së lirë.
Për pak nuk do të ishte realizuar. Komisioni Europian ia kishte rekomanduar me urgjencë krerëve të shteteve e qeverive në samitin e tyre në Bruksel(21-22.03) të hapnin negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën. Por vetëm të mërkurën parlamenti holandez me një shumicë të ngushtë votoi kundër kërkesës që duhej të ndalte negociatat e anëtarësimit me Bosnjen. Kryetari i qeverisë në detyrë, Mark Rutte mundi të jepte kështu miratimin të enjten në samitin e BE për të arritur vendimin unanim të të 27 vendeve anëtare për hapjen e negociateve me Bosnje-Hercegovinën. Rutte megjithatë theksoi se janë edhe të paktën pesë kushte të tjera që duhet të plotësohen para së të fillojnë formalisht bisedimet. Fillimisht BE me qeverinë e Bosnje-Hercegovinës duhet të nënshkruajë një marrëveshje kornizë për negociatat. Edhe kjo duhet të miratohet unanimisht. Vetëm pas kësaj mund të thirret konferenca e parë qeveritare, në të cilën hapen kapitujt e parë të negociimit që lidhen me shtetin ligjor, ekonominë, arsimin dhe transportin.
“Ende jo gati, por shumë përpara”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e uroi në twitter Bosnje-Hercegovinën. Për të ky hap tjetër që hedh Bosnje-Hercegovina është një sinjal edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që negociojnë me BE, si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. “Ajo që për mua vlen, është që shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të kenë besim tek ne. Premtimi është dhënë që para 20 vjetësh. Tani na duhen hapa të tjerë”, tha Scholz në Bruksel. Kosova është tani i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk negocion me BE.
Vendim me karakter simbolik
Diplomatët e BE thonë se për Bosnje-Hercegovinën do të ndryshojnë pak gjëra pas vendimit. Hapi aktual që ndërmori BE ka vetëm një karakter simbolik për t’i sinjalizuar edhe Rusisë, se Bosnje-Hercegovina është plotësisht pjesë e “kampit perëndimor”, megjithë përpjekjet e përfaqësuesit të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik për të trazuar situatën.
Fqinjët e Bosnjes e kanë uruar vendin. “Vendimi ynë është një mesazh i mrekullueshëm për të gjitha vendet dhe institucionet”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, që e ia mveshi Kroacisë një pjesë të suksesit të Bosnje-Hercegovinës. Në fund të fundit shumica e figurave drejtuese janë kroatë. Kryetarja aktuale e Këshillit Ministror Boshnjak është kroatja etnike, Borjana Kristo. Ajo falënderoi pjesëmarrësit në samitin e BE për vendimin. “Vendosmëria e të gjithëve dhe përpjekjet kanë kontribuar në përmbushjen e kushteve të nevojshme. Ne do të vazhdojmë kështu që puna jonë të kurorëzohet në progres dhe zhvillim për Bosnje-Hercegovinën.”
Por Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt e shikon ende të gjatë rrugën që ka përpara ky vend. Për Deutschland Funk ai tha, se demokracia në Bosnje-Hercegovinë është ende mjaft e brishtë, 21 vite pas luftës. Por në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës duhet të transmentohet mesazhi, se Bosnje-Hercegovina është pjesë e Europës së lirë, tha Schmidt. /DW