Ballina Europë Dëshmojnë terroristët e Moskës: Unë i qëllova njerëzit, sulmin e bëmë për...

Dëshmojnë terroristët e Moskës: Unë i qëllova njerëzit, sulmin e bëmë për para

43
0

Ky që shihni në këto pamje, sipas mediave ruse është një prej autorëve të dyshuar të sulmit terrorist që ndodhi të premten në Moskë. Mediat ruse thonë se ai është me origjinë nga Taxhikistani dhe se flet rusisht ndërsa në rrëfimin e tij para forcave të sigurisë pranon se qëlloi ndaj njerëzve në Pallatin e Koncerteve.

Agresori thotë se përpara se të kryente mizorinë e së premtes, ai kishte qenë në Turqi. Kur u pyet se çfarë bëri, ai u përgjigj: “Unë qëllova njerëzit.”

I dyshuari shtoi se ai e kishte kryer krimin për para, duke theksuar se atij i ishin premtuar 500,000 rubla ose rreth 5 mijë e 500 dollarë ku gjysma e tyre i ishte transferuar në llogarinë e tij para sulmit, version që mbetet ende për t’u verifikuar nga ekipet e hetimit.

Ai ka pohuar sipas mediave ruse se nuk i njihte organizatorët e vërtetë të sulmit pasi e kishin rekrutuar përmes aplikacionit të mesazheve Telegram dhe e kishin pajisur me disa armë për te kryer sulmin.

Ky është një tjetër prej agresorëve. Sipas mediave në Rusi, ai ka përshkruar se një njohje e tij e re në Telegram gjate 10 ditëve të fundit kishte blerë një makinë të cilën e përdorën për të kryer sulmin.

Për ngjarjen janë arrestuar 11 persona, mes tyre 4 autorë direkt të ngjarjes. Ata janë kapur në një rajon, jo shumë larg kufirit ukrainas.

Sulmi terrorist, la pas mbi 133 viktima  dhe mbi 140 të plagosur në një salle koncertesh që thuajse është shkatërruar nga zjarri dhe që kishte një kapacitet prej 7500 vendesh. Personat e armatosur hapën zjarr pak para se grupi rock i epokës sovjetike “Picnic” të performonte.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Putin  e cilësoi sulmin një akt terrorist barbar

“Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë. Tashmë është e qartë se ne u përballëm jo vetëm me një akt terrori të planifikuar në mënyrë cinike, por me një vrasje masive të paramenduar. Kriminelët kishin një qëllim të caktuar për të vrarë, duke qëlluar me gjakftohtësi qytetarët tanë në sy. Të katër autorët aktualë u përpoqën të fshiheshin dhe po lëviznin në drejtim të Ukrainës. Në total, 11 persona u ndaluan”, tha ai.

Ky është sulmi më vdekjeprurës në Rusi për gati 20 vjet dhe vjen pasi Presidenti Vladimir Putin fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese për të siguruar një mandat tjetër.

Me vëmendjen e përqendruar në luftën e vendit me Ukrainën fqinje, Putin kishte trumbetuar një mesazh të sigurisë kombëtare përpara se rusët të shkonin në zgjedhje duke argumentuar se ajo është e fortë dhe do të bëjë çdo gjë për ta mbrojtur atë.