Ballina Aktualitet Regjistri i ri, qytetarët me një kod unik për adresën që mund...

Regjistri i ri, qytetarët me një kod unik për adresën që mund ta identifikojnë përmes e-Albania

62
0

Brenda pak javësh Shqipëria do të ketë Regjistrin Unik të Adresave. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Vangjush Stavro, thotë për Tv Klan se çdo objekt banimi apo biznesi do të ketë adresën e sakte me emërtimin e rrugës dhe numrin e objektit.

“Të mos vendoset një adresë e rëndomtë që mund të jetë thjesht rruga “Siri Kodra”. Duhet të përdorë adresën e saktë çdo qytetar, që ka të bëjë, me bashkinë ku ndodhet, njësinë administrative, rruga, numrin e ndërtesës, kodin postar dhe hyrjen”, tha ai.

Të gjithë qytetarët do të kenë një kod unik për adresën e tyre të cilën mund ta identifikojnë përmes e-Albania.

“Regjistri Kombëtar i Adresave është burim marrje informacioni për institucionet, por edhe për qytetarët. Kodi unik nënkupton që do të jetë një kod alfanumerik që do të përcaktojë banesën e qytetarit”, tha ai.

Stavro thotë se nuk do të ndryshojë adresa për ata qytetarë, të cilët tashmë e kanë të plotë vendbanimin e tyre me emërtim rruge dhe numër. Por administratorët e njësive janë të detyruar të emërtojnë çdo rrugë, në të kundërt do të merren masa administrative ndaj bashkive.

“Adresat aktuale nuk ndryshojnë. Punonjësit e urbanistikës që kanë për detyrë përditësimin e informacionit për adresat e banorët duhet të veprojnë sa më parë kur ka një rrugë pa emër. Në qoftë se nuk përditësohet do jetë problem për shumë banorë dhe do marrim masa administrative ndaj bashkive”, tha Stavro.

Po ashtu edhe studentët të cilët ndjekin studimet e larta në një qytet larg vendbaminit të tyre, duhet të deklarojnë vendqëndrimin në e-Albania./TV Klan