Ballina Kosovë ​Kaos dhe rrezik, pasagjerët e Wizz Air mbesin të mbyllur në aeroplan...

​Kaos dhe rrezik, pasagjerët e Wizz Air mbesin të mbyllur në aeroplan për 4 orë, rrëfejnë qytetarët

19
0

“Mbrëmë ka qenë në pyetje më së shumti jeta e njeriut, sepse vështirë kemi arritur të ngopemi frymë” rrëfejnë qytetarët, të cilët ishin të mbyllur me orë të tëra në aeroplan gjatë natës së mbrëmshme. Kjo për shkak se fluturimi prej Prishtinës në Londër i kompanisë Wizz Air, i paraparë në orën 20:50, është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkaqe të panjohura, duke shkaktuar kështu kaos dhe rrezik për shëndetin e pasagjerëve.

Të mbyllur brenda në aeroplan në “Aeroportin e Prishtinës” për rreth katër orë, udhëtarë nuk u servuan as me pije e ushqim, madje as tualeti nuk kishte kushte të përdorej. Të njëjtit nuk kishin asnjë informacion nga kjo kompani dhe nga aeroporti se çfarë po ndodhte me ta.

Sfidë tjetër për këta qytetarë, mbetet edhe puna që kanë lënë atje, e që mund ta humbasin për shkak pamundësisë të paraqiten me kohë.

Pasagjeri Emin Krasniqi derisa tregon se si qëndruan me orë të tëra në aeroport fillimisht e më pas në aeroplan, është shprehur i shqetësuar se si kompania, si edhe aeroporti nuk kanë dhënë informacione lidhur me këtë çështje.

Ai thotë se nata e mbrëmshme ka qenë tmerruese, e më shqetësues është fakti që nuk ka marrë askush përgjegjësi deri më tani.

Krasniqi: Mbrëmë ka qenë në pyetje më së shumti jeta e njeriut, sepse disa vështirë kanë marrë frymë

“Kemi pas të fluturojmë mbrëmë në ora 08:50 për në Londër me Wizz Air, kemi ardhë me kohë, mirëpo së pari nuk na kanë lajmëruar që ka vonesë dhe ka ardhur një orë me vonesë, pas një ore kemi filluar të hynim në aeroplan. Kur kemi hyrë, ka filluar të bijë borë dhe jemi bllokuar në aeroplan për mbi katër orë na kanë mbajtur si kafshë, as nuk kanë servuar ujë, as në tualet nuk ka pas as ujë t’i lajmë sytë, njerëzve filloi t’i bijë të fikët dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi, as aeroporti, as aeroplani, as të lëshojnë klimën, as me na qit jashtë, derisa e ka hap emergjencën një grua, është detyruar ta hapë atë derë, dhe më pas filloi piloti ta thërras dikë t’i sjellë shkallët të zbresim në tokë…Kemi tentuar të kontaktojmë kompaninë por është e kotë, po na dërgojnë në informacion, dhe prej aty në kompani. Më vjen inati se në vend tonin askush të mos merret me këtë punë duke qenë në dijeni se kemi qenë të mbyllur për orë të tëra në aeroplan… Mbrëmë ka qenë në pyetje më së shumti jeta e njeriut, sepse disa me vështirësi kanë marrë frymë”, thotë Krasniqi.

Edhe pasagjerja Shqipe Selimi u shpreh e mllefosur me gjendjen në të cilën ndodhet. Ajo derisa thotë se po bëhen dy ditë duke u sjellë në aeroport, akuzon kompaninë për shërbime të dobëta.

Selimi: Maltretim i madh dhe luajnë me neve, përveç kësaj po humbasim edhe punën atje

“Vimë të shpenzojmë në Kosovë, kur ta shikojmë asgjë, por sërish duhet të vimë se është vendi jonë, nuk e refuzojmë, por shkaku që dy ditë jemi këtu duke prit, ja sot ose nesër. Kemi fëmijë e punë, aty i humbasim, se nuk të pyesin ku kemi qenë dhe si, bile nuk na tregojnë, vetëm të na tregojnë kur saktë udhëtojmë, por kështu jemi të maltretuar. Maltretim i madh, dhe luajnë me neve…Vajza atje janë duke prit atje e paguaj hotelin që dy ditë në Londër, ka hup punën e fakultetin”, thotë Selimi.

Nërkaq Xhevdet Bajra, gjithashtu në pritje të fluturimit, derisa tregon për natën e mbrëmshme, thotë se kjo kompani çdoherë ka probleme me fluturime, mirëpo shton se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Bajra: Kjo kompani gjithmonë ka probleme e vonesa

“Po kërkojmë të dimë nëse po na lejojnë të shkojmë me këtë aeroplan apo për nesër…Mbrëmë na kanë dërguar në hotel, kemi prit rreth tre orë derisa erdhën autobusët…Kjo kompani gjithmonë ka probleme e vonesa…Jemi ankuar, por nuk ju intereson”, thotë Bajra.

Përveç problemeve me fluturim, udhëtari Ekrem Halili thotë se ndonëse do të udhëtonte me nënën e tij, i është dashur që për shkak të numrit të lejuar tashmë, ajo të shtyjë për një ditë tjetër fluturimin, pasi sipas tij, janë hequr 85 udhëtarë.

Halili: Problem të parin e kam që më kanë ndrarë me nënën, kemi pas të udhëtojmë dytë,

“Problem të parin e kam që më kanë ndarë me nenën, kemi pas të udhëtojmë dytë, por ajo po mbetet këtu, tashmë i kanë heq 85 udhëtarë, po thonë se dera e sigurisë përafërsisht merr 85 udhëtar në qoftë se ka me agjenci. Asnjë këtu nuk janë të informuar mirë, nuk duhet kur udhëtojmë…Por. njerëzit kanë mbetur mbi tre orë , ujë nuk i kanë dhënë askujt, më e keqja është se kemi prit mbi një orë të na sjellin shkallët në fillim… E keqja është se stafi i aeroportit shumë i dobët për informacion…Kurrë me orar nuk vinë (aeroplanët)…por nuk kemi me çfarë të vimë tjetër”, thotë Halili.

Ndërkaq e pyetur për këtë çështje, zëdhënësja e Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, tha se për çdo ankesë që është kundër kompanive ajrore, qytetarët apo udhëtarët duhet të drejtohen tek Departamenti i Aviacionit Civil brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Gara: Për çdo ankesë kundër kompanive ajrore udhëtarët duhet të drejtohen tek Departamenti Aviacionit Civil brenda Ministrisë së Infrastrukturës

“Për çdo ankesë që është kundër kompanive ajrore qytetarët apo udhëtarët duhet të drejtohen tek Departamenti Aviacionit Civil brenda Ministrisë së Infrastrukturës, i cili janë edhe autoriteti përkatës për këto çështje“, thotë Gara.

KosovaPress ka kontaktuar edhe më kompaninë e Wizz Air, mirëpo të njëjtit kanë thënë se “nuk kanë ide se çfarë do të ndodhë me fluturimin”.