Ballina Europë Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare gjatë Kampionatit Evropian

Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare gjatë Kampionatit Evropian

19
0

Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare në të gjithë kufijtë e vendit gjatë Kampionatit Evropian të futbollit në qershor dhe korrik, njoftoi të martën, 26 mars, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.

Faeser tha për gazetën e përditshme Rheinische Post se do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë gjatë turneut të futbollit “për të qenë në gjendje të mos i lejojmë të futen brenda kriminalët e mundshëm të dhunshëm”.

Lojëtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll përshëndesin tifozët pas ndeshjes me Zvicrën. 18 nëntor 2023.

Autoritetet janë të vendosura të ofrojnë mbrojtje kundër ekstremistëve islamistë dhe ekstremistëve të tjerë, kundër huliganëve dhe të tjerëve, si dhe t’i sigurojnë rrjetet kundër sulmeve kibernetike, tha ajo.

Komentet e Faeserit vijnë pak ditë pas një sulmi ndaj një salle koncertesh në Moskë, përgjegjësinë për të cilin e mori një grup i lidhur me Shtetin Islamik.

Megjithatë, vendimi për t’i kthyer kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit pritej kohë më parë.

Kjo është bërë një praktikë standarde për vendet në zonën e lëvizjes së lirë në Evropë, e njohur si Zona Schengen, gjatë ngjarjeve të mëdha sportive dhe samiteve të mëdha.

Gjermania është duke kryer kontrolle kufitare tashmë në lindje me Poloninë dhe në jug me Republikën e Çekisë, Austrinë dhe Zvicrën, për shkak të emigrantëve.

Kampionati Evropian fillon më 14 qershor. Gjermania, si nikoqire, e luan ndeshjen hapëse kundër Skocisë në Munih.

Finalja e Evropianit do të zhvillohet në Berlin më 14 korrik. /REL/