Ballina Bota Ilaçi për abortin, Gjykata e Lartë në SHBA e prirur ta lejojë

Ilaçi për abortin, Gjykata e Lartë në SHBA e prirur ta lejojë

17
0

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dukej e prirur të martën që të ruajë qasjen tek ilaçet që janë përdorur në gati dy të tretat e aborteve gjatë vitit të kaluar. Kjo është çështja e parë gjyqësore e lidhur me abortin që kur gjykatësit konservatorë vendosën dy vite më parë për rrëzimin e vendimit gjyqësor Roe kundër Wade, që garantonte të drejtën e abortit në rang kombëtar.

Pas gati 90 minutash paraqitje të argumenteve, u duk se pati konsensus se kundërshtarët e abortit që kanë paraqitur një padi kundër miratimit të ilaçit mifepristone nga Agjencia për Ushqimet dhe Barnat (FDA), nuk e kanë të drejtën ligjore për ta kundërshtuar këtë masë.

Një vendim i tillë i Gjykatës së Lartë do të linte në fuqi rregullat që u mundësojnë pacientëve ta marrin këtë ilaç nëpërmjet postës, pa patur nevojë për të bërë një vizitë personalisht tek mjeku dhe që ta marrin këtë ilaç për të abortuar brenda 10 javëve të para të shtatzënisë.

Elizabeth Prelogar, përfaqësuesja kryesore juridike e administratës së Presidentit Biden në Gjykatën e Lartë, tha se gjykata duhet ta bëjë të qartë se mjekët dhe organizatat kundër abortit, që paraqitën padinë kundër lehtësimit të masave nga FDA-ja për ilaçin mifepristone, nuk kanë asnjë lloj baze ligjore për veprime të tilla.

Madje edhe tre nga gjykatësit e shumicës që mbështetën rrëzimin e vendimit Roe kundër Wade, parashtruan pyetje me skepticizëm për bazat ligjore të avokates që përfaqësonte kundërshtarët e të drejtës për abort. Gjykatësit Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh janë emëruar në Gjykatën e Lartë nga ish Presidenti Donald Trump.

Kundërshtarët e abortit i kërkojnë Gjykatës së Lartë të anulojë një vendim të një gjykatësi konservator të apelit, që do ta kufizonte qasjen tek ilaçi mifepristone, një ndër dy ilaçet që përdoren për abortet.

Rikthimi i vëmendjes së Gjykatës së Lartë tek çështja e abortit po ndodh në një sfond politik dhe rregullator që u formësua nga vendimi i vitit 2022 për abortin, që i nxiti shumë shtete të drejtuara nga republikanët të vendosin masa ndalimi, ose kufizime të forta ndaj abortit.

Mifepristone është një ndër dy ilaçet, që së bashku me misoprostol, që përdoren për abortin nëpërmjet ilaçeve. Ndër vite është shtuar numri i grave që kanë zgjedhur këtë mënyrë aborti. Mbi 6 milionë gra kanë përdorur ilaçin mifepristone që nga viti 2000./VOA