Ballina Kulturë Krijimtaria letrare e Ali Aliut në një aktivitet shkencor

Krijimtaria letrare e Ali Aliut në një aktivitet shkencor

57
0

Tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut” organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Arteve e Kosovës. Ajo zhvillohet në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së studiuesit të njohur. Veprimtaria në Prishtinë do të hapet sot nga akad. Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vijim, gjatë tri seancave, do të paraqiten referime për anë të ndryshme të personalitetit të shumanshëm të studiuesit Ali Aliu, anëtar i ASHAK, anëtar i jashtëm i ASHSH dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë së Veriut: për vepra monografike të tij, të botuara e ribotuara disa herë dhe të përkthyera në shumë gjuhë të fqinjëve e të popujve të Europës (Matteo Mandalà); për modernitetin dhe bashkëkohësinë e studimeve të tij (Sabri Hamiti); për stilin e kritikës (Nysret Krasniqi) dhe rolin si përurues i letërsisë shqipe në antologji (Arian Leka, Resul Shabani); për origjinalitetin si krijues e si njeri (Zija Çela, Fatmir Sulejmani); për konceptimin e letërsisë shqipe përtej kufijve të nënsistemeve (Shaban Sinani); për vështrimin retrospektiv e perspektiv të veprës së tij (Zejnullah Rrahmani). Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime (bashkë me ribotimet jo në të njëjtin vend; vepra më e botuar dhe më e përkthyer (në shumicën e gjuhëve të Ballkanit “Don Kishoti ndër shqiptarët”. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj.