Ballina Ekonomia Paga 900 euro për administratën, ekspertja: Si do të ndikojë në skemën...

Paga 900 euro për administratën, ekspertja: Si do të ndikojë në skemën e pensioneve dhe tek privati!

63
0

Pak ditë më parë është miratuar vendimi për rritjen e pagave për administratën, ku pritet që deri në fund të këtij viti paga mesatare të arrijë në 900 euro.

Por si do të ndikojë kjo në aspektin makro dhe mikrofinanciar dhe a do të mundet buxheti i shtetit ta përballojë? Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi tregon se për vite me radhë pagat e administratës publike kanë qenë të ulëta dhe si pasojë janë krijuar probleme me performancën dhe korrupsionin. Por si do të ndikojë rritja e pagave të sektorit publik në sektorin privat? Ekspertja nënvizon se nëse sektori privat nuk do të reagojë, atëherë do të bëhet më pak i preferuar nga punonjësit.

Në muajin korrik do të ketë një rritje pagash sërish për administratën, duke arritur në 900 euro. Si e vlerësoni këtë vendim?

Pagat e administratës publike kanë qenë tepër të ulëta dhe nuk janë indeksuar për një kohë të gjatë, ndaj ky vendim ishte një domosdoshmëri. Niveli i ulët i pagave në administratë ka krijuar probleme me performancën dhe korrupsionin. Megjithatë, në Shqipëri ekziston një paradoks edhe pse gjatë këtyre viteve punonjësit në sektorin publik ishin më pak të paguar, dëshira për të punuar në administratë ishte tepër e lartë.

Gjatë një studimi të kryer në vitin 2019 me kampion 500 individë rreth 70% e tyre dëshironin të punonin në administratë publike dhe arsyet ishin ditët e pushimit, punonin më pak dhe mundësia për të bërë favore me pozicioni e punës. Vendimi i rritjes së pagës është i drejtë edhe pse konsiderohet i vonuar, sepse kosto e lartë e jetesës ka rritur emigrimin e profesionisteve ka krijuar mungesa dhe probleme në performancën e shërbimeve publike. Rasti i largimit të mjekëve dhe infermiereve është shembulli konktet i demonstrimit të pakënaqësisë të nivelit të pagave dhe kushteve të punës.

A ka mjaftueshëm para buxheti i shtetit për këtë rritje page?

Nëse do të luftohet evazionin fiskal, nëndeklarimi i pagave dhe punësimi informal në sektorin privat; buxheti i shtetit nuk do ta ndjejë rritjen e pagave dhe nuk do të sakrifikojë investimet publike për të rritur pagat. Kërkohet një mirëmenaxhim i financave publike dhe një shpërndarje e drejtë me qëllim që rritja e pagës mos të kthehet në një barrë për buxhetin e shtetit. Gjithashtu, rritja e pagës duhet të shoqërohet dhe me rritje të performancës në administratën publike sepse taksat e qytetarëve shqiptar, duhet të përkthehen në shërbime më të mira publike dhe ulje të korrupsionit.

Si e shihni këtë ndërhyrje të qeverisë në aspektin mikro për familjet shqiptare dhe në aspektin makro për ekonominë shqiptare?

Punësimi ka ndikim në nivelin mikro dhe makroekonomik. Rritja e pagës përmirëson financat personale/familjare, rrit mirëqenien dhe ul varfërinë. Niveli i pagave në Shqipëri kënaq vetëm nevojat bazë dhe nuk kontribuon në mirëqenie apo rritje të kursimeve të qytetarëve shqiptar. Ndaj, qeveria duhet të ndërhynte për rritjen e pagave në sektorin publik, sepse kjo ndikon pozitivisht në buxhetin familjar të punonjësve në këtë sektor dhe rritet fuqia blerëse. Në aspektin makroekonomik kemi përmirësimin e skemës së pensioneve, e cila me vite me radhë është deficit dhe efekte pozitive sociale si zbutja e varfërisë dhe frenimi i emigracionit.

A do të ketë ndikim te biznesi (sektori privat) rritja e pagës së punonjësve të administratës?

Rritja e pagës në sektorin publik do të ketë ndikim në sektorin privat për rritje të pagave. Nëse sektori privat nuk do të reagojë, atëherë do të rritet dëshira për t’u punësuar në sektorin publik sepse ka paga më të larta dhe sektori privat do të bëhet më pak i preferuar. Një efekt tjetër negativ që mund të sjellin pagat më konkurruese në sektorin publik është mungesa e transparencës dhe meritokracisë në rekrutim, që është një plagë e hershme e vendit tonë.

A do të ndihet i presionuar për të rritur pagat edhe biznesi dhe a i ka realisht këto mundësi?

Sektori privat po përballet me mungesë të punonjësve dhe rritja e pagës në administratën publike është një sinjal që dhe ato duhet t’i rrisin. Megjithatë, ato biznese që operojnë në sektorin e turizmit dhe ndërtim i kanë rritur pagat që prej dy vitesh. Një punëtor në ndërtim apo në mobilieri paguhet më tepër se një akademik. Një sanitar në sektorin e turizmit ka një pagesë më të lartë se paga minimale. Rritja e pagës për një biznes është një kosto e shtuar, por çdo biznes e di që ky shtimi kostove do të shoqërohet me rritje të performancës në punë si pasojë e motivimit nga paga. Kriza e pandemisë dhe e inflacionit goditi shumë biznese në Shqipëri, ndaj jo të gjithë bizneset kanë mundësi të rrisin pagat e punonjësve. Eksportuesit janë shembulli konkret se sa u dëmtuan, sidomos nga nënçmimi i euros, ato në periudhë afatshkurtër e kanë të vështirë të rrisin pagat, edhe pse ato punonjësit e tyre i paguajnë mbi pagën minimale.

Si ndikon rritja e pagave të administratës në skemën e sigurimeve shoqërore?

Rritja e pagës shoqërohet me përmirësim të sigurimeve shoqërore. Kjo skemë me vite me radhë është në deficit sepse numri i kontribuuesve dhe përfituesve të skemës nuk është në një raport pozitiv aq sa të mund të përballoj vetë skema. Ndaj për të minimizuar deficitin është rritja e moshës së daljes në pension, rritja e vjetërsisë së punës dhe rritja e pagave.

Pse niveli i pagës minimale sot në Shqipëri është më i ulëti në rajon? Cilët janë faktorët që kanë ndikuar?

Dimë që rritja e pagës minimale është një instrument që ndikon në mirëqenien e individëve me të ardhura të ulëta. Shqipëria është me një ekonomi të brishtë me strukturë të sektorit privat të vogël dhe të mesëm. Niveli i lartë i korrupsionit dhe informalitetit ka ndikuar negativisht në rritje reale të ekonomisë tonë. Për t’i përmbledhur disa nga faktorët janë: korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme, probleme në klimën e bizneset, mungesa e politikave stimuluese për të tërhequr investitor të huaj, pamjaftueshmëri të skemave të mbështetjes për zhvillimin e sektorëve strategjik.

Duke marrë parasysh nivelin e inflacionit dhe krizën ekonomike, a është rritja e pagës minimale e mjaftueshme për të përballuar jetesën?

Siç e dimë, rritja e kostos së jetesës godet individët me paga minimale dhe mesatare. Kriza ekonomike dhe inflacioni ka ndikuar në krizë dhe të financave personale/ familjare. Rritja e pagës minimale nuk është e mjaftueshme dhe referuar vendeve të rajonit ne kemi pagë minimale më të ulët. Një problem tjetër është se jo i gjithë sektori privat ka reflektuar rritje page sa paga minimale, ka biznese që deklarojnë punonjës sa është aktualisht paga minimale, por në të vërtet ato paguhen më pak.

Sipas mendimit tuaj, sa duhet të ishte rritja e pagës minimale përgjatë një viti, duke marrë parasysh kushtet ekonomike në të cilat ndodhet vendi?

Rritja e pagës minimale duhet të bëhet në varësi të kostove të jetesës, sepse vendi ynë ka një kosto të lartë jetese madje radhitet i dyti pas Serbisë dhe e fundit pas Kosovës për nivelin e pagës minimale dhe mesatare. Ky hendek i madh rrit nivelin e varfërisë relative në vend. Rritja e pagës duhet t’i përgjigjet rritjes së inflacionit në vend.

Sa arrin një qytetar shqiptar ta përballojë jetesën me një pagë minimale në muaj? Mund ta konkretizojmë me një shembull llogaritjeje të thjeshtë për një çift me pagë minimale, që paguan qira dhe ka dy fëmijë në arsimin parauniversitar?

Shqiptarët e kanë të pamundur të përballojnë koston e jetesës nëse ato paguhen me paga minimale sepse në Shqipëri ekziston një hendek midis kostos së jetesës dhe nivelit të pagave. Rritja e kostos së jetesës godet individët me paga mesatare dhe minimale dhe referuar INSTA-t pjesa më e madhe e të punësuarve paguhet me paga minimale dhe mesatare. Nëse bëjmë një llogaritje të një çifti që paguhet me pagë minimale që ka edhe dy fëmijë në sistemin parauniversitar atëherë kemi: Të ardhurat nga paga për çiftin= 35500 lekë *2= 71,000 lekë/muaji.

Referuar llogaritjeve të tabelës së kostove të jetesës në Tiranë një çift me dy fëmijë e ka të pamundur të jetojë kur të dy paguhen me pagë minimale. Referuar ‘Numbeo’, kosto e jetesës në Tiranë për një individ është afërsisht 60,000 lekë pa përfshirë shpenzime qiraje pra dalim në përfundim se me page minimale nuk mund të jetojë një individ në Tiranë jo më një familje. Varësia nga importi dhe çmimi i qirave e ka bërë tepër të shtrenjtë jetesën në Shqipëri për këtë arsye vendi ynë po përballet me: rritje të nivelit të varfërisë, emigrim, rritje të kriminalitetit, ulje të lindshmërisë.