Ballina Kulturë E vërteta e shqipes 6000-vjeçare! Flet Anila Omari, gjuhëtare: Ja pse…!

E vërteta e shqipes 6000-vjeçare! Flet Anila Omari, gjuhëtare: Ja pse…!

19
0

Prof. dr. Anila Omari, akademike, gjuhëtare dhe leksikografe e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina foli për herë të parë, për debatin e madh për vjetërsinë e shqipes që nisi pas publikimit të artikullit të Science, ku u konfirmua se gjuha shqipe është një ndër tre gjuhët më të vjetra indo-europiane, që flitet ende. Zonja Omari shpjegon arsyen pse pseudo gjuhëtaret hapën debatin për vjetërsinë e shqipes, menjëherë pas këtij artikulli, duke hedhur tezën se bota e njeh shqipen si gjuhën më të vjetër në botë, ndërsa gjuhëtarët shqiptarë e mohojnë.

“Thelbi i këtij projekti të Revistës Science i bërë nga një numër i madh autorësh, ishte t’i jepej përgjigje se kur janë shkëputur gjuhët indoeuropiane nga trungu i përbashkët indoevropian. Sepse deri tani vonë ka pasur dy teza. Njëra tezë ishte ajo anatoliane e cila sugjeronte se para 9 mijë vjetësh popujt indoevropianë janë shkëputur nga trungu i tyre i përbashkët në zonën e Anatolisë. Ndërsa teza e dytë pohonte se popujt indoevropianë janë shkëputur para 6 mijë vjetësh nga trungu i tyre për të ardhur drejt Evropës valë-valë. Këto janë dy teza krejt të kundërta me njëra-tjetrën që nuk kishin marrë një përgjigje përfundimtare. Ky projekt prodhoi një teori hibride: teoria e periudhës 8100 vjeçare, duke i pajtuar të dyja këto teza. Pra janë nisur nga zona anatoliane, 8100 vjet më parë dhe pastaj një degë ka shkuar drejt veriut dhe kanë ardhur drejt veriut të Evropës e më tej janë shpërndarë.
Në këtë projekt të revistës Science janë përcaktuar me tabela dhe grafikë periudhat kur janë shkëputur grupet e gjuhëve indoevropiane. Sipas të dhënave të tyre shqipja është shkëputur 6 mijë vjet më parë. Shqipja duke qenë një gjuhë indoevropiane, rrjedh nga ky trung i përbashkët indoeuropian dhe kush më parë dhe kush më vonë është shkëputur nga ky trung.
Nëse do të flasim për vjetërsinë e shqipes, duhet të flasim për vjetërsinë ë e gjuhëve në përgjithësi ose e gjuhëve njerëzore. Dhe kjo është një përgjigje shumë e vështirë për tu dhënë, sepse nuk ka një përgjigje të saktë. Gjuhët nuk kanë moshë, nuk iu dihet me saktësi mosha.
Mendohet që gjuha njerëzore ka lindur në Afrikë, në një periudhë kohore rreth 200 mijë deri 60 mije vjet më parë.
Në këtë kuptim të gjitha gjuhët janë po aq të lashta sepse rrjedhin nga kjo gjuhë, që mendohet të ketë qenë një dikur, dhe pastaj është degëzuar.
Gjuhëtarët dhe autorët e gramatikave historike të shqipes, që e kanë studiuar shqipen në themel historikisht, e kanë përcaktuar kohën e krijimit të shqipes, në periudhën e vonë latine para ardhjes së sllavëve.
Kjo është një fazë e shqipes 6 mijë vjeçare. Gjuhëtarët shqiptarë i përmbahen tezës së prejardhjes ilire të shqipes. Ndaj kur thonë shqipja, përfytyrojnë këtë gjuhë me pak a shumë këto tipare që njohim ne sot. Kjo tezë i referohet në mënyrë të veçantë ndarjeve dialektore që pohohet të ndodhur në këtë periudhë. Pra i referohen shqipes me dy dialekte kryesore, të cilat sa janë të vjetra janë edhe të reja sepse gjuha lëviz.
Gjuhëtarët shqiptarë pranojnë se shqipja është vazhdimësi e ilirishtes. Për këtë bazohen te leksiku.
Shqipja ka një numër të madh fjalësh të përbashkëta me gjuhët e tjera indoevropiane. Llogaritet që mesatarisht një gjuhë ruan 200 fjalë të lashta. Për shqipen Gustav Meyer ka nxjerrë mbi 400 fjalë të trashëguara.
Profesor Bardhyl Demiraj në librin Etimologjia Shqipe me fjalë të trashëguara ka identifikuar mbi 500 njësi leksikore. Pra shqipja ka një numër të madh fjalësh të vjetra. Dhe këto dëshmojnë lashtësinë e të paktën periudhës indoevropiane.
Këto të dhëna na shfaqen në bazë të gjuhësisë krahasimore, sepse ne nuk kemi të dhëna shkrimore. Po të kërkoni në internet dalin të dhëna se ka shumë gjuhë të vjetra. Por nëse themi që gjuhët janë njësoj të vjetra deri në periudha dhjetëra-mijëra vjeçare, atëherë pse duhet të diskutojmë për gjuhë të vjetra dhe më pak të vjetra?
Dallimi është te gjuhët e shkruara. Në këtë rast ne i referohemi fakteve shkrimore, pasi thuhet që një gjuhë është e vjetër kur bazohet në dëshmi shkrimore. Sepse mbështetesh në një provë.
Përsa i përket gjuhëve të gjalla, në revistën Science thuhet se shqipja është një ndër tre gjuhët e lashta që ende flitet sot, së bashku me armenishten dhe greqishten.
Por përsa i përket lashtësisë ne mund të themi që jemi ndër popujt më të vjetër në Ballkan.”, u shpreh gjuhëtarja Anila Omari në Dritare TV.