Ballina Politika Evi Kokalari: Po pres arrestimin e Ilir Metës nga SPAK, ja pazaret...

Evi Kokalari: Po pres arrestimin e Ilir Metës nga SPAK, ja pazaret e tij të pista me Sali Berishën, si i prisha planet e ish-presidentit, nga marrja e “Foltores”, te deputeti i PD që po e përgatiste si kryeministër

116
0

Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka komentuar situatën politike në vend. Në një reagim në rrjetet sociale, ajo shprehet se po pret me kërshëri arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta nga Prokuroria e Posaçme për të ndjerë drejtësi në nivel personal. Sipas Kokalarit, Meta e ka sulmuar në dy vitet e fundit me njerëzit e tij besnikë dhe ish-kryeministri Sali Berisha nuk e ka mbrojtur se i duhej bashkëpunimi pasi në mes kishte pazare të pista. Ajo përmend lejet për kullën e malit, duke shitur zgjedhjet e bashkive në maj. Nga ana tjetër, Kokalari, thotë se i ka prishur Ilir Metës shumë plane dhe një nga ata ka qenë edhe përgatitja që po bënte për të bërë kryeministër deputetin e PD Ervin Salianjin. Gjithë këtë reagim ajo e nis pas emërimit që i bëri Ilir Meta, Esmaralda Demirajt, gruas së Kolonelit Dritan Demirajt si kryetare e LGI te ish-LSI. “Gruaja e Kolonel Legenit zgjidhet Kryetare e LGI te LSI-se. Si ka mundësi që çdo individ që me ka sulmuar këto dy vitet e fundit është i lidhur me Ilir Metajn? Fillimisht pa dashje dhe me vone me vullnet të plotë i kam prishur shumë plane që Meta kishte për Rithemelimin dhe PD-në, që nga instalimi i Këlliçit si kryetar, tek Salianji si kryeministër, grupi i Lapjat, shkrirja me PD, etj. Faji Berishës dhe atyre që kishte afër, ishte qe nuk mori mundimin të më mbronte sepse i duhej koalicioni me Metën, dhe sigurisht lejet për kullën e malit, pra pazaret me zgjedhjet e bashkisë. Pres me kërsheri arrestimin e Metës nga SPAK, thjesht që të ndjej dhe pak drejtësi në nivel personal”, shprehet Kokalari.

Si u bashkua Meta-Berisha nga frika e SPAK

Ilir Meta së fundmi i ka shtrirë Sali Berishës dorën për të krijuar një front të përbashkët anti-SPAK dhe anti-SHBA. Edhe pse qëndroi gati një vit larg, Meta ka vendosur të ndjekë rrugën e doktorit, i cili intimidon dhe shan drejtësinë. Si duket pazaret nuk ecën dhe Meta tani kërkon që të jenë bashkë kundër SPAK, me shpresën se kjo do ta shpëtojë nga burgu. Pak më parë ai i ka shkuar Berishës poshtë ballkonit, duke mos ndalur elozhet. Po ashtu mbante veshur dhe bluzën me sloganin “Lironi liderin e opozitës”. Por siç thekson edhe Kokalari mes tyre ka vetëm interesa. Si mund të gëlltitin sërish Berisha-Meta akuzat e llahtarshme që kanë shkëmbyer ndër vite.

Disa nga akuzat tronditëse të Sali Berishës për Ilir Metën:

Dhjetor 1999

“Jeni vendosur në çatinë e botës për sa i përket korrupsionit. Unë nuk i besoj Dritëro Agollit kur thotë të gjithë jemi të përlyer, jam i bindur që në këtë grup parlamentar dhe kudo ka shumë të papërlyer dhe këtu…”.

Maj 2000

“Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë. A doni dokumente të tjera?”.

Korrik, 2000

“As me 30 ditë nuk përshkruhen bëmat dhe gjëmat tuaja. Unë detyrohem tani të ftoj shtypin që të bëj konferencë shtypi jashtë”.

Shtator, 2000

“Ti Ilir Meta, do të më falni për shprehjen, që të kapin banditët në mal të Dajtit pa pantallona, ti Ilir Meta, që më 14 Shtator mbushe poturet, ti Ilir Meta, që herë flet si pulë, kurse gjetiu tund vithet si gjel mbi pe. Ti je ai që do të thuash më 2 Tetor, “mbathja Fatos se prapa të vjen Meta”.

Korrik 2000

“Ai e mori si çdo qeveri tjetër pasurinë për të vazhduar luftën, kurse ju vodhët thesarin, jo në vitin 1941, jo më 1939, por vodhët thesarin më 1999. Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve. Është e thjeshtë t’u thuash shqiptarëve se Leka Zogu mori thesarin, po edhe qeveria juaj e mori thesarin, dhe e mori atë më 28.12.1999, dhe e mori atë të tërin nga data 28 dhjetor deri në datën 22 prill”.

Nëntor 2000

“Dënoj si autorë kryesor të kësaj masakre Kryeministrin terrorist Ilir Meta i cili dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve, feston ditën e flamurit me gjakun e adoleshentëve të Tropojës”.

Gusht 2001

“Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbylli jetën e tij pas hekurave të burgjeve…

Gusht 2001

“Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit ky mbeti njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit në trafiqet e skllevërve të seksit, të fëmijëve, të drogës dhe të armëve. Ai është vrasësi dhe terroristi i opozitës, është njeriu që urdhëroi hedhjen e granatave mbi gjimnazistët në Tropojë.. Meta përfaqëson vrasësin e vërtetë të fjalës së lirë, është simbol i injorancës njerëzore, i tmerrit nga fjala e lirë”.

Mars 2015

“Mund të flasësh gjithë ditën për krimin dhe lidhjet tuaja me krimin. Je kokë e qelbur! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë dhe në botë. Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.

Mars 2015

“Të protestojmë kundër Ilir Metës, të akuzuarit me zë dhe figurë si porositës i vrasjes së dy deputetëve dhe që nuk jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën hetimit. Pasnesër në ora 11:00 të gjithë në sheshin “Skënderbej” nën moton: të hedhim, të hedhim murin e krimit! T’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!”.

Shtator 2015

“Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”.