Ballina Europë Vrau të bijën dhe italianin, video tronditëse shfaqet në sallën e gjyqit!...

Vrau të bijën dhe italianin, video tronditëse shfaqet në sallën e gjyqit! Shqiptari Taulant Malaj nis të bërtasë dhe godet me kokë kafazin

18
0

Në Itali vijon procesi gjyqësor ndaj 45-vjeçarit shqiptar Taulant Malaj, i cili më 7 maj 2023 vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçare Jessica dhe fqinjin italian Massimo De Santis. Seanca e dytë gjyqësore u zhvillua në gjykatën e Foggia-s të premten e 3 majit. Mediat italiane kanë zbardhur detaje nga seanca, ndërsa u shfaqën dy video të vrasjes së vajzës dhe italianit dhe plagosja e gruas së tij, Tefta Malaj.

Taulant Malaj akuzohet për vrasje të dyfishtë me dashje dhe vrasje të rëndë në tentativë. Përveç vrasjes së vajzës së tij, Malaj vrau edhe fqinjin e tij Massimo De Santis sepse besonte, se gruaja e kishte tradhtuar me të.

Taulant Malaj u largua nga salla e gjyqit

Videoja e parë e shfaqur para gjyqtarëve është regjistruar nga kamerat e shtëpisë, ndërsa tjetra me celularin e Malajt. Në këtë të fundit shfaqet edhe trupi i De Santis në shkallët e pallatit. I akuzuari qëndroi në sallën e gjyqit vetëm për disa minuta. Disa sekonda pas videove (që zgjasin gjithsej 15 minuta) ai filloi të bërtiste dhe të përplaste kokën pas hekurave kafazit në sallën e gjyqit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë më pas urdhëroi largimin e tij nga salla e gjyqit. Videot u shfaqën me kërkesë të prokurorëve Sabrina Cicala dhe Antonio Laronga, për të mbështetur dëshminë e një karabiniere nga njësia operative e kompanisë San Severo, ndër të parët që mbërritën në vendngjarje dhe kryen hetimet.

Pamjet pasqyrojnë si momentet e masakrës, të kapura nga kamerat e vendosura në shtëpi nga Tefta Malaj, ashtu edhe sjelljen e Taulant Malajt pas këtij akti të rëndë. Malaj, në fakt, ka filmuar kufomat dhe gruan e tij pasi ngjarjes. Duke pasur parasysh imazhet e rënda, Gjykata vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Gruaja në sallën e gjyqit

E pranishme në sallën e gjyqit ishte edhe bashkëshortja e tij Tefta, me avokatin Roberto de Rossi. Të pranishëm ishin edhe avokati Matteo Tenace, i cili përfaqëson familjarët e Massimo De Santis.

“Ishte shumë e vështirë për klienten time, video riktheu ato momente dramatike në mendjen e saj dhe qau gjatë gjithë kohëzgjatjes së videove”, komentoi avokati De Rossi.

Avokati tha se Tefta Malaj kërkon drejtësi për vajzën e saj, ndërsa seanca e radhës mbahet më 7 qershor.