Ngjarjet e romanit zhvillohen në një fshat të Shqipërisë së Mesme. Tre vllezër të ardhur në atë fshat nga Myzeqeja, në pamundësi për të punuar ju bashkuan Sigurimit të shtetit. Konkureca lindi mes tyre se kush pjellë më shumë fëmijë për të narrë veprat e shokut Enver. Dembelizmi, servilizmi, spiunllëku i degradoi në njerëz të pështirë ku më pas pinjollët e tyre do nisin incestin, kontrabanden dhe aq me shume do të bëheshin pjesë e administratës. Vetëm njëri vendosi që të merrte nje kurvë për të bërë letrat si qytetar!
Ngjarjet dhe personazhet janë produkt artistik
Tymi që dilte nga oxhaku dukej që ishte me dru të njoma. Ajo ishte zonë ku rritej vetëm plepi dhe shelgjet. Shtëpia ishte një ngrehinë që më shumë se e tillë dukej si një grumbull kashte i harruar në atë fshat që kishte kohë që e kujtonin vetëm nevojtarë apo miq të familjarëve që banonin aty. Gratë ishin mbledhur në dhomën matanë që ndahej nga një rrogoz i mbledhur nga një carcaf që kishte marrë më shumë ngjyrën e tymit se sa mbante të tijën. Ashtu ishte zakon mblidheshin shumë gra dhe bënin sikur ndihmonin në lindje, po më shumë bënin zhurmë që të mos dëgjoheshin ulërimat e dhimbjes së lindjes. Kur ishte kohë e mirë qoftë dhe natë, burrat dilnin dhe qëndronin në oborr dhe ashtu duke thithur cigaret, mundoheshin të ulnin ulerimat e zhurmës së lindjes. Kur moti ishte i keq si ditën kur lindi Lashi, ku jashtë rrebeshi kishte mbyllur edhe oborrin me një pellg të madh uji, ju duhej grave që të bënin zhurmë nga ana tjetër që të mos dëgjoheshin thirrjet e dhimbjes.
Më të rinjtë që ende nuk e kishin provuar këtë eksperiencë qëndronin disi të veçuar duke e parë si gjë turpi, ndërsa kishte nga ata pleq që ju kishte shkuar jeta duke dëgjuar lloj lloj ulërimashe, gjitha kjo se kishin lindur shumë fëmijë e më pas fëmijët po ashtu. Ata thithnin çibukun
Shumica e gjërave bëhej nga përvoja e më të vjetrave që nga lidhja e kërthizës që edhe burrat nxitonin të thonin se duhet pasur kujdes.
-Sill atë çarçafin e larë? Dëgjon?
-Është i palarë…
-Po gjej një të larë të them,- bërtiste më e vjetra e grave që kishte lindur vetë dhjetë fëmijë.
-Janë vetëm dy dhe të dy janë të palarë…
-Po ti moj e uruar nuk e more me mend që mund të pillje sot që të kishim sjellë ne ndonjë çarçaf apo beze…e mirë sillmi ato që janë.
Gratë lëvizën të gjitha duke sistemuar gjithçka përreth, përvec të qarës së fëmijës që vazhdonte papushim. Ajo që quhej “mamia” që edhe e kishte pritur fëmijën e lëshoi mbi dyshekun me byk në një mënyrë të çuditëshme dhe e qara u duk sikur u shtua.
-Përse e hodhe ashtu se vritet!
-Nuk vritet jo. Që qau më shumë do të thotë që nuk është budalla dhe do të pjellë dhe ky kur të rritet fëmijë të mençur. Ajo mori fëmijën në duar e mbështolli me një triko leshi në fillim dhe pastaj me një batanije të holluar dhe u nis për nga dhoma ku ishte oxhaku dhe burrat po thithnin duhan pa folur pa e kuptuar në ulërimat e lindjes apo e qara e fëmijës ishin më të padurueshme.
Ajo u përkul lehtë dhe ai gjysëm i ngritur në gjunjë e mori duke i ruajtur kërthizën që ende nuk ishte sistemuar mirë dhe e ngriti para fytyrës. I largoi me dorën e madhe dhe të kafenjtë nga tymi duhanit pak teshat e mbeshtjella dhe duke e afruar pranë oxhakut që as ngrohte dhe as ftohte nga drurët e njoma që lëngështonin në fundin e tyre sikur kërkonin të pështynin dikë, futi fytyrën e parrojtur në këmbët e asaj qenie të vogël dhe i puthi bilushin pa e ditur në po i pikonte gjak apo shurrë.
-Të rrojë partia që më martoi. Të rrojë partia që më solli këtu. Të rrosh ti Lashi im. U bëfsh brigadier e na sjellsh të gjithë të mirat. O bilushi i babit tat! Kur të bëhesh edhe ti me fëmijë puthja bilin djalit dhe mos I puthi kokën. Ne jemi fis që nuk kemi pas mend e koka nuk nuk na ka hyë në punë, ne jem fis që kemi puthur bilet për t’u shumuar nën pushtetin popullorë.
Kaq tha ai. Qau dhe pasi ja la fëmijën në duar gruas që ja solli dhe duke ju përgjigjur urimëve në atë dhomë që tashmë dukej se kishin lindur ata nga mënyra se si u çliruan në muhabet, ai mori katruven që e kishte pas vetes dhe iu drejtua atyre që ishin aty rrotull tij:
-Kthejani o miqtë e mi. Më ka lindur Lashi që do ma mbushi shtëpinë kur unë të kem vdekur se sa të jem gjallë do ta mbush përsëri unë, se nuk e le me kaq unë, nuk e lë vetëm me këtë! Pa punë jam se mos di me bo gjo tjetër. Raki nuk kam, po nëse e sillni ju e pijmë nga një gotë. Sillni edhe meze po deshët se shpinë e kam të hapur për të gjithë. Po për Lashin do ta ngrejmë me ujë! Do ta lagim! Lashi i partisë tonë që të bën me pjellë edhe kur s’ke bukë me hëngër! Se ja Zefi që nuk është me partinë nuk polli dot “Lash”. I rroftë trimnia. Puthi gjithë jetën plumba, po bile kalamajsh kurrë! Po ky Lashi im kushedi se çfarë xhevahiri do më sjelli mua. U rritsh me parti bir!
Kishte lindur Lashi, ai që do të bëhej më pas babai i Zakës! Lajmi u hap shpejt në fshat se ajo familja që kishte ardhur së fundmi në fshat ishte bërë me djalë…..
vijon







