Ballina Politika “SPAK ka rifilluar hetimet për rolin e Olsi Ramës te kokaina e...

“SPAK ka rifilluar hetimet për rolin e Olsi Ramës te kokaina e Xibrakës”, Gazment Bardhi: Më kanë thirrur për sqarime të mëtejshme

17
0

Deputeti demokrat Gazment Bardhi thotë se është thirrur në SPAK për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me denoncimin ndaj vëllait të Edi Ramës, Olsit, si i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Bardhi thotë se kallëzimi prej tij është bërë më herët në SPAK dhe se kryeministri Edi Rama tentoi ta kthente në lojë, se gjoja në SPAK nuk ishte dorëzuar asnjë kallëzim.

Më tej Bardhi thotë se është njoftuar zyrtarisht nga SPAK se ka rifilluar hetimet për rolin e Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës.

Deklarata e plotë e Bardhit:

E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë.

Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia.

Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej,  sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.

SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK.

Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!