Ballina Kulturë Arratisjet dhe vrasjet në kufi, Autoriteti i Dosjeve çel ekspozitë dokumentare me...

Arratisjet dhe vrasjet në kufi, Autoriteti i Dosjeve çel ekspozitë dokumentare me dëshmi nga familjarët

15
0

Tiranë, 8 maj 2024- Në 8 maj 1990, kur Evropa kremtonte prej 45 vjetësh gjerësisht Ditën e Fitores mbi Nazizmin dhe Totalitarizmin, Shqipëria ende dëshmonte se tentativat për arratisje në kufi rezultonin fatkeqe. Presidiumi i Kuvendit Popullor zbuti ne dukje Kodin Penal, sipas te cilit kalimi i kufirit nuk konsiderohej me “tradhti ndaj atdheut”, por vrasjet në kufi vijuan.

Në këtë kuadër AIDSSH, me pjesëmarrjen e të prekurve nga arratisjet në kufi, studiueseve shkencorë, përfaqësuesve të pushtetit lokal, organizoi sot një ekspozitë me dokumente arkivore, me fakte nga ngjarje tragjike në rajonin kufitar të zonën juglindore të vendit, Kolonjë, Korçë, Pogradec, ku arratisjet kanë qenë të shumta, djem të rinj mbetën të vrarë dhe të tjerë janë ende të pagjetur. Dokumentet dëshmojnë fakte nga brutaliteti i shtetit komunist si dhe koston e përpjekjeve vetëmohuese të shqiptarëve për t’iu larguar varfërisë, dhunës dhe persekutimit.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha: “Lëvizja e lirë për shqiptarët ishte një mit, një ëndërr e largët dhe e drejtë e mohuar. Në 45 vjet për shqiptarët u ndërtua një mur i madh ideologjik, një kafaz i pangjashëm edhe me vendet e tjera komuniste te Lindjes, një izolim i ashpër me kontroll të rreptë të lëvizjes brenda e jashtë vendit në shkelje të standardeve ndërkombëtare të lirisë se lëvizjes. Kërkesat për gjetjen e eshtrave të të vrarëve në kufi, e drejta e publikut për t’u informuar mbi ngjarjet tragjike, ku vepra penale e arratisjes dënohej me burg, me pasoja që përfshin dënimin dhe internimin e familjen nxiti AIDSSH të nisi nga puna për hedhjen dritë mbi ngjarjet në kufi.

Qëllimi përfundimtar i Autoritetit është realizimi e një memoriali në kujtim te jetëve të humbura dhe sakrificave njerëzore për liri. Për këtë po punojmë bashkë me Shoqatën Anti-Komuniste të Ish-të Përndjekurve politikë, e cila do të sigurojë kontaktet me të prekurit, si dhe Bashkinë e Ersekës për integrimin kësaj ideje në projektin vendor“Shtegu i Lirisë”.

Kryetari i Bashkisë së Ersekës, z. Erion Isai u shpreh se: “Dokumentimi i ngjarjeve historike, mbi shkelësit e kufirit, deri në këtë nivel, pavarësisht se i kemi dëgjuar edhe në qytet, ishte vërtet rrëqethës. Ne kemi kohë që e kemi të konceptuar dhe sa mirë që gjërat bëhen bashkë, për të ndërtuar atë që ne e kemi titulluar si “Shtegu i lirisë”, rrugën që një numër i lartë njerëzish kanë tentuar për tu arratisur, disa me sukses dhe disa fatalisht, të cilët patën të njëjtin vijimësi, duke i ndjekur pas vetes, përndjekja e tmerrshme familjare.

Me rëndësi kjo për ta ofruar për të gjithë vizitorët, turistët, shqiptarë dhe të huaj, si një ecje përdrejt dhe përgjatë rrugës ku njerëzit tentonin të kalonin apo arrinin të kalonin, dhe duke kulmuar prej Rehovës deri tek pika e lartë kufitare, ku një hapësirë me format e një trekëndëshi kufiri, mbart brenda saj peshën e historisë së njerëzve që kanë humbur jetën apo ia kanë dalë të kalonin kufirin. Këto ndodhi historike të dokumentuara, tepër tronditëse, padyshim, do të ndërtojnë rrymën përcjellëse në njohjen më të gjerë të kësaj historie për të mos u përsëritur kurrë më.”

Anëtari i Autoritetit z. Gjergj Marku në fjalën e tij theksoi se: “Pas ndryshimeve në Kodin Penal, në 8 maj 1990, kalimi i paligjshëm i kufirit nuk konsiderohej me “tradhti ndaj atdheut”, por dënohej me 5 vite burg. Kjo i krijoi njerëzve një iluzion se nuk do të ndëshkoheshin me vdekje, por pikat kufitare nuk e zbatuan këtë vendim. Ministria e Brendshme nuk lëshoi asnjë urdhër për ndalimin e hapjes se zjarrit, por kërkoi zbatimin, në kushtet e reja, të rregulloreve te mëparshme ku kufiri vijohej të konsiderohej Objekt i Rëndësisë se Veçantë.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik, z. Et’hem Fejzullari, rrëfeu për të pranishmit historinë e tij të arratisjes bashkë me familjen për në territorin jugosllav përmes liqenit të Pogradecit, duke lundruar me një varkë të bërë vetë. Babai i tij ishte arratisur kur ai ishte 4 vjeç ndërsa ritakimi mes tyre ndodhi 26 vite më vonë në Australi. Varka ruhet sot në Muzeun e Kriminologjisë në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Pranë saj janë fotot e anëtarëve të familjes Fezollari në varkë.

Artistja e mirënjohur e artit vizual, Anila Zajmi, prezantoi projekt -idetë për ndërtimin e këtij memoriali, i cili vjen në kujtim të jetëve të humbura përgjatë tentativës në kalimin e kufirit. Nga vëzhgimet në terren, për shkak edhe të historive; fshati Rehovë është konsideruar si më i përshtatshmi për realizimin e këtij memoriali.

Të pranishmit ndoqën intervistën e znj. Luljeta Milo Rapo, motra e Safet Rrapos, të riut 30 vjeçar nga Erseka që u vra gjatë tentativës së arratisjes në mëngjesin e datës 23 gusht të vitit1990. Ajo foli me dhimbje për ankthin e atyre ditëve, kur pa trupin e vrarë të vëllait, si dhe përpjekjet e saj private për t’a kujtuar ketë histori përmes ngritjes se një memoriali.

Aktiviteti u moderua nga znj.Bukurie Sokoli, AIDSSH, e cila tha se: “ Puna jonë me dokumentin dhe të prekurit synon ti japë zë dhe dritë ngjarjeve tragjike në frymën e filozofisë humaniste të Volterit, i cili shprehet se : “Njeriu është i lirë në atë moment që ai dëshiron të jetë.”

Ekspozita arkivore

Në këtë ekspozitë u shpalosën 31 njësi dokumente arkivore me 3531 fletë si: fonde hetimore-gjyqësore, historiket, indekset alfabetike të të arratisurve, regjistra për shkelësit e kufirit, listat e të arratisurve për vitet nga 1972 -1990 për tre zonat, Kolonjë, Korçë dhe Pogradec.

Në analizë janë marrë edhe Komunikatat Ditore, të DPB,(‘49-‘91), në 36042 faqe. Për të ashtuquajturit shkelësit e kufirit në zonën juglindore janë mbledhur te dhëna nga fondit nr. 142, i Komunikatave Ditore për periudhën 1978 -1991, me 13463 fletë. Rreth 13.600 persona u numëruan te arratisur ne raportet e Sigurimit te Shtetit, nga 1944 deri ne vitin 1990, pa llogaritur ato te ikur përmes ambasadave. Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmije. Dominonin këtu te ikurit e vitit 1945 dhe 1948. Rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi ne ketë përpjekje. Mbledhja e dëshmive gojore me të mbijetuar dhe familjarë të tyre, krijimi i një website multidimensional dedikuar këtyre ngjarjeve, si dhe mbajtja e një simpoziumi me historianë e kërkues shkencore për hedhjen drite mbi te vrarët ne kufi ne te gjithë vendin gjatë regjimit komunist 1944-1991, janë akte të tjera ku do të vijojë puna e AIDSSH-së për dokumentim e përkujtim.