Ballina Aktualitet KPK e shkarkoi prokurorin Dritan Gripshi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

KPK e shkarkoi prokurorin Dritan Gripshi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

17
0

Komisioni konkludon se prokurori i Beratit, Dritan Gripshi ka kryer deklarime të pasakta si dhe rezulton me bilanc negativ të përgjithshëm në masën 8.2 milion lekë, konstatime që vlerësohen se e vendosin subjektin në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokurori i Beratit, Dritan Gripshi u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më datë 27 mars, pasi Komisioni konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Ndërkohë, ai arriti nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës dhe u vlerësua i aftë profesionalisht. Vendimi për shkarkimin e Gripshit u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilian.

Gripshi ka blerë në vitin 2005 një ngastër tokë-arë me sipërfaqe 450 m2 në Sauk të Tiranës, për çmimin 1 milion e 950 mijë lekë. Si burime krijimi të kësaj pasurie ka shënuar në deklaratën “veting” kursimet nga pagat dhe hua të marra nga shtetasi S.V., me deklaratë noteriale të vitit 2005.  Megjithëse subjekti nuk ka deklaruar burim për blerjen e tokës në deklaratën e vitit 2005, ai ka shënuar në seksionin e detyrimeve financiare marrjen e huas në shumën 1.2 milionë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Lidhur me kursimet ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se bashkë me bashkëshorten kanë kursyer 800 mijë lekë që kanë shërbyer për blerjen e tokës dhe se nuk ka pasur kursime cash në fund të vitit 2005. KPK vëren se Gripshi ka dhënë shpjegime kontradikore në lidhje me shumën cash, pasi referuar deklaratës së atij viti dhe procesverbalave kur është pyetur në ILDKPKI, ka deklaruar se kjo shumë është mbartur deri në vitin 2007, si total i gjendjes cash.

Nga hetimi i kyer për mundësinë e huadhënësit, prej dokumeteve të depozituara nga subjekti ka rezultuar se nuk janë provuar të ardhura të shtetasit S.V. përpara dhënies së huasë.

Ndërkohë, nga verifikimi i statement-it bankar, përputhet deklarimi i subjektit, i cili ka shpjeguar se për shlyerjen e huas ka shërbyer një vlerë 3 milion e 540 mijë lekë në një depozitë të mbyllur në janar të vitit 2006.

Pas kalimit të barrës së provës për pamundësinë në investimin e kësaj pasurie, subjekti ka depozituar akte shtesë për huadhënësit, prej nga është provuar se S.V. ka ushtruar aktivitet të ligjshëm dhe ka qenë i regjistruar si biznes i vogël; ka provuar xhiron e realizuar, si dhe të ardhurat e përfituara nga shërbimet e ofruara prej tij pranë një shoqërie.

KPK ka përllogaritur si marzh fitimi të huadhënësit nga biznesi 30% të xhiros vjetor në shumën 2 milionë lekë, prej nga ka rezultuar se për vitet 2004-2005, mund të kishte përfituar fitim neto jo më shumë se 1.2 milion lekë.

Po ashtu, janë konsideruar prapësimet e subjektit se familja e huadhënësit kishte në pronësi tokë bujqësore dhe ka kultivuar kultura bujqësore duke realizuar të ardhura në vite. Komisioni ka vlerësuar të përllogarisë për bashkëshorten e shtetasit S.V një pagë minimale si e vetëpunësuar në bujqësi, për këtë periudhë, por sërish nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për dhënien e huasë. KPK ka konkluduar të mos e përfshijë në analizën përfundimtare të blerjes së tokës, shumën 1.2 milion lekë të huasë.

Lidhur me gjendjen cash, KPK ka vlerësuar se deklarimi në 2005-ën se është përdorur për blerjen e truallit dhe nuk është disponuar prej tij në fund të atij viti, ka pasqyruar gjendjen faktike të situatës. Edhe pas rikryerjes së analizës financiare bazuar në prapësimet e Gripshit, sërish ai ka rezultuar me mungesë të burimeve të ligjshme në shumën 2.3 milionë lekë për vitin 2005.

Subjekti ka deklaruar se mbi tokën e blerë në Sauk ka ndërtuar një shtëpi dy kate + garazh, me vlerë rreth 5 milionë lekë. Si burime krijimi ka deklaruar kursimet familjare dhe të ardhurat nga shitja e një apartamenti në qytetin e Elbasanit në vitin 2007. Ai ka shpjeguar se për ndërtimin e banesës në vitin 2006 kanë shërbyer kursimet nga viti 1995, që janë depozituar në 2001-in në bankë. Komisioni ka bërë analizën financiare, prej nga ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1 milion e 598 mijë lekë për krijimin e depozitës 3 milionë lekë.

Analizës së Komisionit i është nënshtruar dhe një tjetër depozitë e çelur në vitin 2003 në shumën 1 milion lekë, që ka rezultuar me pamundësi në shumën 387 mijë lekë. Po ashtu, nga analiza financiare paraprake është konstatuar pamundësi në shumën 900 mijë lekë për kursimet nga pagat gjatë kohës së ndërtimit të banesës në vitin 2006 dhe subjektit i është kaluar barrë prove për një bilanc negativ total në shumën 2.8 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë.

Edhe pas prapësimeve të Gripshit, sërish ka mbetur bilanc negativ në shumën totale 2 milionë lekë, për ndërtimin e banesës dykatëshe.

Gripshi është penalizuar dhe për pamundësinë financiare të krijimit të një depozite në emër të bashkëshortes, vlerë e cila është kaluar më pas në llogari të vjehrrit, i cili e ka tërhequr në vitin 2006, kur subjekti ka kryer edhe investimin më të madh, atë të ndërtimit të shtëpisë në Sauk të Tiranës.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka pasur një depozitë gjatë periudhës 2003 – 2004. KPK vlerëson se Gripshi ka pasur detyrim për ta pasqyruar këtë depozitë në deklarimin e parë të pasurisë.

Gripshi ka pretenduar se kjo llogari nuk ka qenë e bashkëshortes dhe as në emër të saj. Sipas tij, ka qenë llogari bankare e vjehrrit, por për shkak të moshës të tij, punonjësit e bankës kanë kërkuar që të shoqërohej nga një familjar.

Ai ka argumentuar se kjo provohej nga fakti se në mandatin e lëshuar nga banka për çeljen e kësaj llogarie nuk ka nënshkruar bashkëshortja, por vjehrri. Sipas subjektit, megjithëse në mandat është shënuar nga punonjësi i bankës dhe emri i bashkëshortes, nuk ka asnjë nënshkrim të saj. Ai ka vijuar shpjegimin se bashkëshortja e ka pasur për disa muaj të drejtën për të kryer veprime, por më pas veprimet janë kaluar totalisht në llogari vjehrrit të tij, i cili sipas subjektit, ka e ka disponuar shumën tërësisht dhe në mënyrë të pavarur.

Nga verifikimi i kryer nga KPK ka rezultuar se në nëntor të vitit 2003 është depozituar cash në këtë llogari shuma 4 milion lekë. Vjehrri e ka tërhequr këtë vlerë dhe në mars të 2004-ës e ka depozituar cash në një llogari të tijën për ta tërhequr po cash në janar të 2006-ës.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për mosdeklarimin e kësaj depozite të hapur prej bashkëshortes dhe babait të saj, si dhe për pamundësinë e tyre për të krijuar me burime të ligjshme shumën 4 milionë lekë.

Në përfundim, KPK vlerëson se bashkëshortja e Gripshit në këtë llogari bankare dyemërore është në cilësinë e titullares apo depozitueses dhe jo si person i autorizuar, si pretendon ai.

“Ndryshe nga çfarë ka shpjeguar subjekti se kjo depozitë është çelur si një depozitë dyemërore, për shkak të moshës së vjetër të vjehrrit, si një kërkesë e bankës, ky pretendim është i pabazuar pasi nga hetimi rezultoi që z. I e ka tërhequr këtë depozitë totalisht dhe e ka disponuar nga viti 2004 e në vijim në një depozitë personale, pavarësisht moshës së tij të vjetër”, argumenton Komisioni.

Po ashtu, është gjetur i pabesueshëm një tjetër pretendim i subjektit për kalimin në llogarinë e vjehrrit të shumave të depozituara prej tij në vitin 2001. Sipas KPK, vjehrri subjektit ka pasur mjaftueshëm të ardhura në depozitën e tij në atë kohë dhe nuk i nevojiteshin paratë që i ka transferuar e bija, ashtu si ka shpjeguar subjekti.

Nga analiza e kryer në KPK është konkluduar se prindërit e bashkëshortes nuk kanë pasur mundësi financiare për krijimin e depozitës 4 milionë lekë. Po ashtu, ka rezultuar se as subjekti nuk ka pasur mundësi për krijimin e asaj shume.

“Për Komisionin, fakti që subjekti nuk ka deklaruar asnjë nga depozitat e çelura në bankat e nivelit të dytë, fakti që kryen veprime me vjehrrin, transfertat apo tërheqjet e këtyre shumave prej vjehrrit, faktin që këto depozita tërhiqen të dyja në vitin 2006 kur subjekti ka kryer investimin më të madh tek ndërtimi i shtëpisë 2 kate, trupi gjykues vlerëson se këto rrethana të orientojnë tek përdorimi i kësaj depozite nga ana e familjes së subjektit”, vlerëson KPK dhe konkludon se subjekti nuk arriti të përmbysë barrën e provës në rezultatet paraprake të hetimit administrativ, si dhe se gjendet në pamundësi për të krijuar depozitën në 2004-ën.

Në përfundim, Komisioni ka konkluduar se prokurori Dritan Gripshi ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive, si dhe ka rezultuar një bilanc negativ i përgjithshëm në shumën 8.2 milionë lekë. Këto konstatime konsiderohen prej KPK se e vendosin subjektin në ksuhtet e deklarimit të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.