Ballina Dossier Kujtimet e ish-ministrit që vuajti 15 vite në Burrel: Nuk kishim fare...

Kujtimet e ish-ministrit që vuajti 15 vite në Burrel: Nuk kishim fare respekt për Enverin!

17
0

Nga Gjergj Titani

Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

 Vijon nga numri kaluar

Zoti Kristo, ju jeni dënuar si anëtar i grupit të Koçi Xoxes, mund të sqaroni njohjen tuaj me të?

Më kujtohet se në vitin 1930, unë njoha fare rastësisht barba Dhimitrin (Dhimitër Xoxe), babai i Koçi Xoxes. Ai kishte blerë një dyqan përbri dyqanit të vëllezërve Peristeri, që ndodhej përballë me dyqanet e vëllazërisë Pllaha, ku sot është kompania e transportit udhëtar për në Greqi. Atëherë, barba Dhimitri, sapo kishte ardhur nga Negovani (sot ky fshat quhet Flamburo dhe banohet nga shqipfolës), që ndodhet rreth 17-18 kilometër larg Prefekturës së Follorinës. Personalisht, Koci Xoxen, që ishte rreth tre vjet më i madh nga unë, më duket i datëlindjes 1911, e kam njohur pak pas vendosjes së të atit të tij, me punë në Korçë. Rastësia e solli takimin tone, në një nga piknikët e zakonshme që organizonim me rininë korçare, në pika klimaterike dhe turistike të krahinës.

Koçi, organizonte vazhdimisht piknikë të tillë në Dardhë, Moravë, Shën Naum, Voskopojë, Shën Marenë të Pogradecit, Shën Trivac të Hoçishtit, etj. Në to mblidhej rinia punëtore dhe studentore e Korçës e, gjatë mitingut, flitej mbi tema atdhetare dhe në të njëjtën kohë, organizoheshin skeçe dhe koncerte të vegjël me këngë patriotike. Mbaj mend se, në fund të këtyre piknikëve, iu dorëzonim studentëve, që ishin pjesëmarrës të vazhdueshëm të këtyre aktiviteteve edhe broshura me ide përparimtare e komuniste. Kur doli revista “Bota e Re” që ishte botim yni, e shpërndanim atë, duke mbledhur edhe kontributet për botimin e saj. Në këto aktivitete, më kujtohet se merrnin pjesë shumë shokë që i pranonin idetë tona.

Do të ishte me shumë interes për lexuesin, për të thënë se si dhe në ç’rrethana u organizua e zhvillua ‘Demonstrata e Bukës’. Si e përjetuat ju situatën e tensionuar, që u krijua në Korçë?

Në vitin 1936, si kryesi e grupit, vendosëm ta ngremë popullin e Korçës dhe të rrethinave, në një ditë të shtunë pazari, në protestë masive, që njihet si ‘Demonstrata e Bukës’. Si rezultat i depresionit të madh botëror ekonomik, shfrytëzuam varfërinë e tejskajshme të popullsisë të qytetit dhe të fshatit, për një revoltë masive me përmasa të gjera. Propaganduam midis pronarëve zanatçinj, të të gjitha llojeve, që atë ditë të mbyllnin dyqanet dhe të dorëzonim çelësat në bashki. Revolta filloi nga qytetarët e Korçës, përkrahësit e Grupit Komunist të Korçës dhe u mbështet gjerësisht nga studentët dhe fshatarët, që kishin ardhur për të bërë pazar.

Demonstrata filloi me sukses, punëtorët e qytetit dhe fshatarët na përkrahën masivisht, duke mbajtur në duar flamurët tradicional të profesioneve. Këpucarët, rrobaqepësit, hekur punuesit, llamarinistët, teknikët e ndryshëm, shoferët, samarxhinjtë, shegertët dhe kamarierët, u drejtuan fillimisht për në bashkinë e qytetit dhe pas parullave të para, komandanti i Xhandarmërisë të Qarkut të asaj kohe, kolonel Dedë Jakova, sipas urdhrit dhe përforcimeve që kishte marrë nga Tirana, lëshoi kundër demonstruesve paqësorë xhandarmërinë e armatosur. Kjo ishte përleshja e parë e madhe e organizuar e punëtorisë qytetare dhe studentëve korçarë, kundër pushtetit lokal dhe Xhandarmërisë Mbretërore.

Punëtorët u gjakosën, u bënë arrestime masive dhe si rezultat, demonstrata jonë u thye, por ne dolëm nga kjo përleshje edhe më të fuqishëm. Në qytet, ato ditë, xhandarët qarkullonin në patrulla treshe dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët që çonin në Pogradec, Bilisht, Kolonjë, Voskopojë, Dardhë, etj. Pra, kjo ishte një përvojë e mirë, pasi mësuam se si duheshin organizuar në të ardhmen revoltat mbarëpopullore, sepse po afronin edhe zgjedhjet e pushtetit lokal.

Si u arrit që komunistët të fitonin zgjedhjet e Këshillit Bashkiak?

Po afroheshin zgjedhjet vendore për Këshillin Bashkiak të qytetit. Ne kishim vendosur të organizonim propagandimin e kandidatëve tanë të cilët për herë të parë do të përballeshin me kandidatët zyrtarë të forcave të tjera. Korça, atë kohë, kishte një masë punëtore të organizuar mirë në sindikatat e tyre, sipas profesioneve dhe të rinisë shkollore. Po përgatiteshim që përveç fitores në pushtetin vendor, të kishin përfaqësuesit tanë edhe në Parlament. Si rezultat i këtij organizimi të mirë, të bërthamave dhe celulave të Grupi Komunist i Korçës, duke i maskuar celulat komuniste, nën emrin e shoqërisë “Puna”, ne i fituam zgjedhjet e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetar i këtij këshilli, u zgjodh shoku ynë i Grupi Komunist i Korçës, Koçi Xoxe.

Pra, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat legale që lejonte Kushtetuta Mbretërore, bëmë të pamundurën për të fituar ato të drejta që na takonin me ligj. Dua të theksoj, se Grupi Komunist i Korçës, nuk u aktivizua kurrë në veprimtari terroriste. Sa mbaj mend unë, ne mund të kritikoheshim për veprimtari të vetë mbyllur apo, për ngathtësi për veprime masive dhe dalje më të gjerë e më të thellë, nga kuadri i Qarkut të Korçës, por ne mendonim atëherë se, më mirë të ishim më të ngadalshëm në ato rrethana të shtypjes sociale dhe mospërgatitjes në kohën e duhur të vetëdijes klasore, sesa të nxitohesh në aktivitetet politike dhe propagandistike, e të pësonim mandej disfata. Jehona e ‘Demonstratës së Bukës’ dhe fitorja e zgjedhjeve lokale, ishte shumë e madhe, jo vetëm në Qarkun e Korçës, por edhe më gjerë. Po hidheshin themelet e luftës dhe përpjekjeve të organizuara të klasës punëtore e shtresave të gjera popullore të qytetit dhe të fshatit.

Në vitin 1939, ju u dënuat për veprimtari komuniste nga Gjykata Mbretërore Shqiptare, çfarë ju kujtohet nga ajo kohë?

Gjyqi kundër komunistëve, që u zhvillua në fillimin e vitit 1939, në Tiranë, ishte i pari gjyq politik i atyre përmasave. Qeveria Mbretërore Shqiptare dhe politika e saj, po drejtohej drejt marrjes së masave qetësuese kundër elementëve, të cilët ajo padrejtësisht, i quante elementë turbullues, ç’ka në fakt nuk ishte ashtu. Zogu, e para ndjente një pushtim të afërt të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai e ndjente rrezikun e afërt që pasi solli rrëzimin e tij dhe largimin e Zogut e të Oborrit Mbretëror në një ekzil, që do të zgjaste për shumë e shumë vite. Në atë kohë, me porosi të Grupit Komunist të Korçës, punoja në Tiranë, në punëtorinë “Zik-Zak”, pronë e mikut tonë Gaqo Kondakçi, nga Korça. Në këtë punishte, u dërgova për të zëvendësuar Sotir Vullkanin.

Doemos, ne një bërthamë veteranësh të Grupit Komunist të Korçës, ishim vendosur në kryeqytet, për tri arsye të mëdha; të përhapnim idetë komuniste, të zgjeronim luftën kundër okupatorit, e cila tashmë kishte filluar në stil të gjerë, dhe të hidhnim themelet për bashkimin e Grupeve Komuniste dhe krijimin e PKSH-së. Mbaj mend se, ashtu si Sotir Vullkani, banoja në shtëpinë e Dhori Karagjozit, një komunist dhe antifashist i bindur, që e kishte shndërruar shtëpinë e tij në bazë të rëndësishme të Grupit Komunist të Korçës. (Vajza e tij, Lidra, sot është martuar me pedagogun e universitetit shtetëror të Tiranës, Rexhep Meidani. Kurse vajza tjetër, është martuar me djalin e Hysni Kapos).

Kur u kryen arrestimet masive të Grupit Komunist të Shkodrës, na arrestuan bashkë me Sotirin. Ky me ndihmën e ish-ministrit të Drejtësisë, avokat dhe deputet i asaj kohe, Thoma Orollogai, u lirua nga akuzat që i ngarkonin, kurse unë u gjykova dhe u dënova së bashku me anëtarët e Grupit Komunist të Korçës, si; Zef Mala, Vasil Shanto, Qemal Stafa, Niko Xoxi, Ilo Panduku, Emin Duraku, Tuk Jakova, Jorgji Shuteriqi e të tjerë. Pak më vonë na transferuan në burgun e Mbrezhdanit, të Beratit, ku na gjeti edhe shembja e shtetit Monarkist, pas pushtimit fashist të vendit, më 7 prill 1939. Ndërkohë, funksionimi i shtetit u paralizua pas një rezistence të shkurtër disaditore, Ushtria Mbretërore Shqiptare dhe forcat popullore të vetëmbrojtjes, e ndërprenë rezistencën.

Mbreti, oficerët e lartë të Ushtrisë e të Xhandarmërisë, bashkë me ithtarët e tjerë të qeverisë zogiste, ministra, deputetë, e personalitete të tjera të lartë, të cilët, sipas të dhënave, ishin rreth 2000-3000 vetë, u dislokuan, jo pa vështirësi, fillimisht në qytetin e më të afërt kufitar grek, të Follorinës dhe më pas në Larisa. Ndërkohë ne, e shpërthyem burgun dhe vendosëm të arratiseshim. Pjesa më e madhe e të burgosurve, u arratisën jashtë shtetit, kurse unë menjëherë vendosa të krijoj lidhjet me shokët e mi në qytetin e Korçës, ndaj dhe nxitova të shkoj atje. Mbasi u ktheva urgjentisht në Korçë, ato ditë të prillit 1939, takova Sotir Vullkani me Koço Tashkon, të cilët i gjeta shumë të shqetësuar për mbrojtjen e qytetit që kishte mbetur pa qeveri lokale dhe pa mbrojtje ushtarake.

Ata, më thanë se kishin takuar rastësisht në një lokal të Korçës, Enver Hoxhën, i cili iu kishte thënë se, po përgatitej të shkonte në Rumani, për të marrë “honorarët”, për disa shkrime që paskësh bërë në gazetat e Bukureshtit dhe të Konstancës! Ky fakt apo trillim i Enverit, më ka vënë vazhdimisht në dyshim, sepse, po të kishte shkruar vërtet diçka të tillë, ai nuk do ta linte pa përmendur në “veprat e tij voluminoze”. Kështu që, as këta artikuj dhe as ata që ai pretendon se ka shkruar në gazetën e Partisë Komuniste Franceze, “Hymanite”, nuk janë vërtetuar kurrë. Po vrisnim mendjen se, ç´ishte vallë ky trillim i Enverit, në ato ditë kaq të rënda?!

Më kujtohet mirë kur, Koço Tashkoja, na thotë, Miha Lakos dhe mua: “…Aktivizoheni këtë profesorin në ndonjë punë…”! U pamë sy ndër sy të habitur dhe Miha i tha:“ …Lërna rehat o Koço, me gjithë këtë profesor…”! Dua të theksoj se të gjithë ne, komunistët e Korçës, nuk kishim asnjë respekt për të. Madje, dyshonin për disa veprime e deklarime të pasinqerta të Enver Hoxhës. Ne ato ditë ishim shumë të shqetësuar për fatet e vendit dhe të qytetit tonë, kurse Enveri, e kishte mendjen për të shkuar për ca groshë, deri në Konstancë dhe Bukuresht.

Si ishte situata në qytetin e Korçës në ditët e para të pushtimit fashist?

Së pari, e dija që shokët e Grupit i kishin marrë të gjitha masat, për ta pritur pushtimin fashist ashtu siç e meritonte, me revolta dhe demonstrime mbarëpopullore, antifashiste. Pushtimi fashist, si rezultat i rezistencës së dobët të Ushtrisë Mbretërore, përparoi relativisht shumë shpejt. Komandanti i Xhandarmërisë së Qarkut, kolonel Preng Pervizi, ndonëse gëzonte një farë popullariteti në Korçë, nuk veproi energjikisht, sepse, nuk kishte një urdhër të tillë zyrtar nga Mbreti. Mendoj se, Qarku i Korçës, Skraparit dhe malësitë e tjera të tij, ishin vendi më i përshtatshëm për të filluar një rezistencë popullore të mirëfilltë, ç’ka nuk ndodhi për shumë arsye subjektive të kuadrit ushtarak të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare. Dua të theksoj se shokët, më treguan që Mbreti u tregua i kujdesshëm për veten e tij dhe njerëzit që e shoqëronin, ndaj ai nuk ndaloi në Korçë, por te besnikët e tij, në fshatin Zemblak.

Koço Tashkoja dhe Koçi Xoxja më thanë, kur u takuam, se i kishin organizuar një pritë Mbretit, për të mos ta lejuar të largohej nga Shqipëria, por ai ishte treguar dinak, sepse nuk kishte ndjekur rrugën automobilistike kombëtare, Pogradec-Maliq-Korçë, por rrugën sekondare: Pogradec-Zemblak-Bilisht-Kapshticë. Ai, pasi kishte fjetur një natë në Zemblak dhe kishte takuar kolonel Preng Pervizin, komandantin e Xhandarmërisë së Qarkut, u nda prej tyre. (Sigurisht këto të dhëna unë i kam nga materialet sekrete të dikasterit të zbulimit kur mora detyrën në Qeverinë e re Demokratike të Beratit). Populli i Korçës dhe i Pogradecit, Bilishtit, Ersekës, Leskovikut e i fshatrave, e pritën futjen e trupave fashiste, me indinjatë, revoltë dhe demonstrime masive antifashiste.

Ato ditë, populli i Korçës sipas traditës, dilte me flamur kombëtar dhe parulla kundër pushtuesit në duar, duke kënduar këngët patriotike “Për Mëmëdhenë”. E kam parë me sytë e mi se si patriotët pleq, shokë të Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit, Spiro Ballkamenit, etj., dilnin në demonstrate, bashkë me të rinjtë dhe me lot në sy shprehnin indinjatën e tyre kundër pushtimit. Këto ishin hapat e parë të organizimit të rezistencës antifashiste dhe luftës për krijimin e PKSH-së. Është pikërisht kjo kohë, kur shokët më me përvojë të Grupit Komunist të Korçës, u dërguan në qytete të ndryshme të Shqipërisë, për zgjerimin e rezistencës antifashiste nën drejtimin e Partisë Komuniste Shqiptare, që ishte në pragun e themelimit të saj.

Cila është origjina e familjes suaj?

Babai im, Kristo Gusho, sepse ne në fakt kemi patur këtë mbiemër, ishte punëtor-këpucar, por ai kryente edhe profesione të tjera. Shkurt, ç’t´i dilte përpara, sepse me rrogën e tij, duhej të mbante familjen dhe të ushqente gjashtë fëmijë, 4 vajza e dy djem. Kumbara im, e them me mburrje këtë, ishte profesor Spiro Konda i famshëm, nga Dardha e Korçës. Babai, ishte i lidhur me çetën atdhetare të Mihal Gramenos. Mbaj mend se ai, vdiq në moshën 74-vjeçare, në vitet ´30-të, kur isha goxha i rritur. Nëna ime, Polikseni, u detyrua të punonte si kuzhiniere, akçeshë, në familjet e pasura, por ajo lante edhe rroba, lyente e kryente punë të tjera. Në këto kushte të rënda ekonomike, dua të them se isha i detyruar të le shkollën dhe të mësoja autodidakt, sepse duhej të punoja tashmë edhe në vend të babait, për të mbajtur dhe për të dërguar në shkollë të gjitha motrat dhe vëllanë tim.

Punën e fillova, duke u futur çirak këpucar në dyqanin e Sotir Vullkanit, që ishte afër Kishës së Mitropolisë së Korçës. Ne banonim pranë doktor Harisjadhit, që ishte diplomuar në Aleksandri të Egjiptit. Vëllai i tij, Petro Harisi, ka shkruar librin me mjaft vlera, “Historia e Korçës”. Dua të shtoj se doktor Harisjadhi ishte kushëriri i parë i Sotir Vullkanit, i cili kishte xhaxha, kapedan Makriun me famë, që është vrarë rreth vitit 1911, në Janinë, në një betejë me turqit e drejtuar nga Xhavit Pasha. Në këto luftime, të cilat u kurorëzuan me sukses, duke e mundur Xhavit Pashën dhe duke e dëbuar atë nga Janina, kanë marrë pjesë edhe shumë shqiptarë nga viset e jugut, sidomos nga Korça. Ndoshta u zgjata pak me këto shpjegime, por këtë e bëra me synimin, për të shpjeguar se kush ishte qëndrimi i doktor Harisiadhit në luftën italo-greke.

Kur italianët sollën në Korçë, trupa të shumta për t’u bërë gati për luftën në fjalë, thirrën në një mbledhje të gjerë, të gjithë parinë e qytetit: priftërinj, hoxhallarë, baballarë bektashinj dhe nga shtresa intelektuale e vendit, në mënyrë që të bënin një deklaratë pro Italisë fashiste, ishte i vetmi doktor Harisjadhi, që nuk e firmosi një deklaratë të tillë të turpshme. Duke u drejtuar pjesëmarrësve, ai pyet: “Sikur të kthehen grekët si fitimtarë të kësaj lufte, që nuk ka të bëjë me ne shqiptarët, ç´do të bëni ju”?! Sigurisht që kjo pyetje e doktorit, nuk ka nevojë për komente. Ai u largua në Greqi, te njerëzit e fisit të vet, shqiptarë me banim atje, dhe u kthye në Korçë, para çlirimit të saj nga pushtuesit e huaj. Po atë ditë, ai vdiq. Nënkuptohet doktor Harisjadhi ishte filogrek, por jo grekoman. Ai ishte padyshim patriot shqiptar. Memorie.al