Ballina Aktualitet Koçiu: Rreth 300 mjekë dhe infermierë, aplikuan për shërbim në qendrat shëndetësore...

Koçiu: Rreth 300 mjekë dhe infermierë, aplikuan për shërbim në qendrat shëndetësore verore

42
0

Nga 1 qershori deri në 30 shtator turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin do t’iu ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur gjithashtu punën edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë, që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se deri tani thirrjes së MSHMS për aplikime për personel shëndetësor i janë përgjigjur rreth 300 mjekë dhe infermierë.

Në videon e publikuar Koçiu solli edhe shembullin e mjekes Steljana Lapa, e cila ka qenë në shërbim të qytetarëve në qendrën shëndetësore në Drimadhes gjatë sezonit të kaluar veror.

“Doktoreshë Steljana edhe këtë sezon veror ka aplikuar në thirrjen për personel shëndetësor në Qendrat Shëndetësore Verore”, tha Koçiu.

Mjekja Lapa u shpreh se “jam mjeke specializante ORL dhe vitin e kaluar kam punuar në qendrën shëndetësore verore të Drimadhes. Gjithashtu edhe këtë vit kam aplikuar për të qenë pjesë e qendrave shëndetësore verore për sezonin turistik 2024”.

Me një shtrirje nga Thethi, në Ksamil, qendrat shëndetësore verore do të ofrojnë shërbime me standarde e profesionalizëm për pushuesit nga jugu, në veri. Janë 200 pozicione pune për personel mjekësor dhe staf mbështetës.