Ballina Aktualitet Kreu i Partisë Agrare, Agron Duka: Shqetësimi për marrjen e ujit të...

Kreu i Partisë Agrare, Agron Duka: Shqetësimi për marrjen e ujit të lumit Shushicë në Vlorë!

41
0
Partia Agrare Ambientaliste dhe unë si kryetar i saj dhe deputet, jam bashkuar më herët me shqetësimin e banorëve të zonës së Lumit të Vlorës, të cilët protestojnë vazhdimisht për marrjen e ujit të lumit të Shushicës, për ta dërguar në qytetin e Himarës. Banorët kërkojnë anullimin e projektit, pasi sipas tyre do të çonte në shterimin e burimeve ujore për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë botën e gjallë në këtë krahinë.
Në cilësinë e deputetit, unë i jam drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me një kërkesë zyrtare, për tu informuar mbi pasojat që do të shkaktojë tek banorët lokalë projekti për të marrë ujin e lumit.
Në përgjigjen zyrtare të kësaj ministrie, theksohet se devijimi i lumit nuk ndikon ujitjen e tokave të fshatrave që aktualisht përdorin ujin e lumit Shushicë, duke referuar dy ujëmbledhes që shërbejnë për këtë qëllim. Ndërsa theksohet se sistemi i kanalizimit të një prej ujëmbledhësve ende nuk është rikonstruktuar dhe kjo pritet të ndodhë në vitin 2025.
Duke qenë se qëllimi i angazhimit tim është vetëm mbrojtja e interesit të mijëra banorëve të zonës, unë e konsideroj si jo shteruese përgjigjen.
Kjo për faktin se ujëmbledhësat nuk dërgojnë dot ujë në çdo fshat, për shkak të dëmtimit të sistemit të kanalizimeve. Por, gjithashtu, lumi nuk shërben vetëm për ujitjen, por ai përdoret për të pirë ujë bagëtitë përgjatë gjithë rrjedhës, dhe banorët nuk do ti dërgojnë tufat e bagëtive në ujëmbledhës. Gjithashtu, devijimi i ujit dhe tharja e lujmit në verë do të shkatërrojë edhe ekosistemet natyrore, kafshët e egra dhe bimësinë që ushqehet në mënyrë natyrale nga lumi.
Për këtë arsye ne si PAA vazhdojmë të jemi të angazhuar në kundërshtimin e këtij projekti, i cili merr në masën 100% ujin e lumit.
Kjo do të ndikojë në shpopullimin e zonës dhe dëmtimin e bujqësisë, blegtorisë dhe mjedisit.