Ballina Dossier IN MEMORIAM/ Sot 101 vite nga lindja e njërit prej gjigandëve...

IN MEMORIAM/ Sot 101 vite nga lindja e njërit prej gjigandëve të notit shqiptar, Mirban Kadiu….edhe detin e ka marrë malli për Bonin!

59
0

Mirban Kadiu u lind me 11 Qershor 1933, duke sjellë gëzimin në një familje durrsake po pa e ditur, duke lindur edhe kapitullin e një mjeshtri të madh, një sportisti legjendar që e filloi notin pa pretendime ne moshen femijerore dhe nuk ju nda atij madje edhe kur mbushi 8 dekada. Padyshim ai është një nga legjendat e sportit të notit dhe me kujtimet e tij që shpesh i sillte në redaksinë e “bulevard”, ai u bë edhe një nga shkruesit e historisë së notit Durrsak.

Emri i notarit Mirban Kadiu për herë të parë është dëgjuar në Ballkaniadën e vitit 1948. Ishte vetëm 14 vjeç. Garat u zhvilluan në Durrës dhe u hapën me pionierët të cilët matën përgatitjen në 50 m dhe 100 m. Morën pjesë fëmijë nga e gjithë Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit. Kadiu shpallet fitues i vendit të parë në 50 m stil i lirë. Që nga ajo ditë deri më tani, në të kapërcyer të 80 vitet çertifikatat, diplomat, fletët e ndertimit, titujt, kupat nuk do i janë ndarë asnjë çast. Së fundi rrëmbeu dy të tilla kupa dhe me shumë vlerë e peshë për sportistin. Jo shumë larg në kohë. Njëra kupë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës bijës shqiptare, humanitare e Botës dhe kupa tjetër me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kadiu i fitoi garat e notit në nderim të këtyre përvjetorëve duke shtuar në këtë mënyrë trofetë. 38 medalje në krahërorin e tij janë dëshmia më e plotë e të gjithë asaj rruge të gjatë. Karriera e Mirban Kadiut është deri më tani e pakrahasueshme me çdonjërin notar të Durrësit. Ai u aktivizua që fëmijë në sportin e notin, ndërsa jeta e gjatë i dha mundësi që t’i shtonte trofetë edhe në kohën e ushtrimit të sportit si veteran.

Fëmija notar

Suksesi në Ballkaniadën e vitit 1948 do të jetë i pari për Mirban Kadiun. Aty do të marrë forcë dhe do i shtrohet me shumë zell notit. Shefi i klubit të sportit “Ylli i Kuq” që më pas do të emërtohet “Teuta”, “Lokomotiva” dhe së fundi sërish “Teuta” ishte Tom Gjini, personazh shumë punëtor dhe me besim të pathyeshëm. Ai kishte zgjedhur dy djem: Surja Kapexhiu 13 vjeç dhe Niko Kola për garën 100 m në stilin e lirë të cilët morën vendin e parë e të dytë, ndërsa për garën 50 m vendi ishte bosh. Lypsej që në garë të ishin gjashtë notarë. Ekipi kishte vetëm pesë sportistë. Kadiu afrohet dhe i kërkon profesorit të klubit ta lejojë të futet në garë dhe ashtu ndodhi. Ky vit do të shënohet në kalendarin e karrierës së tij sportive si trampolina e madhe e jetës. Garimi për vendin e parë me notarët e moshës së tij Ram Laçi, Gafurr Haznedari, Niko Noti, Eqrem Kosova qe tërheqës pasi ata ishin shumë pranë njëri-tjetrit. 14-vjeçari Kadiu nuk kishte bërë stërvitje me ekipin asnjë orë, megjithatë fitoi vendin e parë. Saktësisht përgatitje kishte bërë, madje shumë, por në dëshirën e tij, pa trajner, pa mjeshtër tek koka. Fëmijët dhe të rriturit e qytetit kishin plazhin e tyre në Currila. Atje e mësoi edhe 14-vjeçari notin. Disa vite më i vogël. Lahej me fëmijë të lagjes “Sefer Efendiu”, me djem të familjes Kapexhiu, Truma, Mara, Afezolli. Për të shkuar në Currila kishte dy rrugë. Njëra nga lagjja “Sefer Efendiu”, sipër tek depoja e ujit, kisha ortodokse dhe kodrës poshtë për tek Currilat. Rruga tjetër nga lagje 8, ngjiteshin në kodër dhe zbrisnin në det përmes 12 shkallëve. Aty mblidheshin qytetarët e shtresës së mesme dhe të varfër, kurse të pasurit shkonin për t’u larë tek vilat në Plazh. Në Currila mësuan të notonin, në kampin e pionierit që drejtohej nga Bedri Kokomani dhe më pas Stefanaq Gjiri. Kampi ishte krijuar në vitin 1946 me fëmijë nga e gjithë Shqipëria. Ata quheshin debatikas dhe ishin më shumë se 300 fëmijë.  Kadiu e kishte mësuar notin që në moshën  10 vjeç. Ka notuar në Tiranë, në pishinën pranë teatrit “Kosova”, sot Teatri Kombëtar. Lahej asokohe edhe tek katarakti mbi spital drejt Dajtit. Ishin dy të tillë: pellgu i Luanit dhe i Palaços. Mbi to gjendej Kodra e Priftit, mbuluar në një pyll të dendur. Shaku që lahej në Tiranë dhe jo në qytetin e lindjes lidhej me dëbimin e familjes së tij nga Durrësi në kohën e pushtimit gjerman. Atje vazdhoi edhe arsimin fillor. Notar të asaj kohe ishin Ram Laçi, Niko Noti, Gafurr Haznedari. Në këtë kohë nis edhe karriera e Kadiut. Për shkak të qëndrimit antifashist të të atit, familja Kadiu dëbohet në Arapaj dhe kjo i sjell telashe fëmijës. Tom Gjiri i vendosur nën presion për ta larguar notarin e vogël vetëm pse prindërit e tij nuk ishin me sy të mirë për pushtetin e kohës, e këshillon të shkojë në Tiranë tek një miku tij i quajtur Avni Zajmi i cili kishte ekipin e Tiranës.

Notar i rritur

Kryeqyteti mblidhte talente dhe kjo dihej më së miri nga Gjiri i cili i bën të ditur trajnerit të Tiranës se fëmija që po i dërgonte ishte shumë cilësor. Pikërisht ky është edhe rasti që djali nga Durrësi do të bëhej shumë shpejt i njohur. Ekipi i Tiranës kishte vetëm të rritur në not. Kjo e detyron trajnerin të parfshijë Mirban Kadiun me të rriturit ndonëse nuk i kishte mbushur të 17 vitet. Për të mos rënë në sy të të tjerëve, ndërron emrin nga Mirban në Burhan Kadiu. Edhe diplomën e fituar e ka me këtë emër. Në garat 200 m dhe 400 m zuri vendin e tretë duke lënë pas notar të zotë si Sabri Kapexhiun dhe Eqerem Korrën. Vitet ecin dhe djaloshi me t’u kthyer në qytetin bregdetar vijon studimet. Sapo përfundoi vitin e dytë gjimnaz në shkollën “16 shtatori” në Durrës përfaqëson gjatë verës shkollat e qytetit të lindjes nën patronazhin e shoqërisë qendrore “Dinamo”. Këtë herë u ringjit duke marrë vendin e parë. Shkoi edhe më tej, theu rezultatet e deriatëhershme në 200 m dhe në 400 m stil i lirë. Trajneri Ramadan Shehu do të shprehet me fjalët më të veçanta për meritat dhe treguesit e notarit Kadiu. Tani që qe rritur, Kadiu ishte bërë shumë më i pjekur edhe si sportist. Me ta thërritur në shërbimin ushtarak, interesohet për të kryer ushtrinë tek “Partizani”, por biografia e degdis në Pogradec në vitin 1952. Edhe ushtria zhvillonte shumë gara, mes tyre edhe not. Kadiu ishte tashmë shumë i njohur dhe grumbullimi i tij nuk diskutohej. Edhe këtu fitues i garave në 200 m e 400 m, përsëri të tjera rekorde. Trajnerët Shaqir Kapexhiu dhe Petrit Caclli befasohen. Sportisti Kadiu ishte shumë i përpiktë dhe përgatitej shumë seriozisht. Pas Çlirimit përfaqëson shoqatën e notit “Spartak” të Durrësit me trajner Hysen Vaqarri. Të tjera rekorde në 200 m dhe 400 m. Vit për vit organizoheshin garat e notit, përgjithësisht në Durrës. Mirban Kadiu nuk zbriste nga podiumi i vendit të parë. Kështu ecën vitet deri më 1959, kohë që detyrohet të ndërpresë studimet ngase të vëllanë ia pushojnë nga puna për biografi. Jetesa familjare vështirësohet ndaj Mirban Kadiu lë mënjanë sportin dhe i përvishet vështirësive ekonomike. Dy vite më pas, më 1962, krerë të pushtetit politik dhe të komitetit ekzekutiv të Durrësit ishin të bindur se vetëm rikthimi Kadiut në not do u jepte mundësinë për të fituar kupën me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë. Nënkryetari i komitetit ekzekutiv Petraq Tapia, trajneri Sulejman Tufa dhe shefi klubit Mustafa Çelkupa përpiqen t’i mbushin mendjen për ta kthyer në sportin e notit, por një kërkesë e tij ndesh në kundërshtinë e të riut. Me të rënë në vesh të të atit refuzimi, e bind djaloshin të kthehet në sport dhe për këtë ai i kujton se 50-vjetori është ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, ndaj duhej respektuar. Pikërisht në këtë përvjetor të Pavarësisë Kadiu theu tre rekorde të tjera dhe arrin normën për “Mjeshër sporti”. Saktësisht normat i kishte arritur që në vitin 1956. Gara e 1500 m kishte vendosur rekord në vitin 1954 me notarin Eqerem Korra, ndërsa Kadiu e thyen atë dy vite më pas. Po ashtu theu edhe rekordin në garën 400 m. Është Kadiu ai që do të shkojë edhe më tej në garat e vitit 1962 duke thyer rekodet në shumëgarësh: 100 m shpinë, 100 m bretkosë, 100 m krol. Në pjesën më të madhe garat zhvilloheshin në Durrës, por jo vetëm në këtë qytet. Kështu në vitin 1957 u zhvilluan në Shkodër; në vitin 1958 në Vlorë; në vitin 1959-1960-1961 në Korçë; në vitin 1963 përsëri në Korçë. Disa vite rresht në Durrës dhe vetëm një vit në Lushnje. Grumbullimi i sportistëve bëhej sipas një kalendari të rregullt dhe përgjegjësit e zbatimit të tij ishin të përpiktë. Përgjithësisht në gusht nisnin edhe garat, ndërkohë që ditë më parë notarët i përkushtoheshin stërvitjes itensive. Kadiu nuk mjaftohej me kohën e stërvitjes në verë, pasi gjatë gjithë vitit ushtrohej rregullisht për të mbajtur trupin si sportist. Mirban Kadiu ka marrë pjesë edhe në tre maratonat e zhvilluara. E para është organizuar nga rinia në vitin 1956, e dyta u organizua nga shoqata kinezo-shqiptare në vitin 1962, ndërsa e treta në vitin 1966, vit që shpallet kampion. Stërvitjet bëheshin në det, kurse garat e Durrësit tek kapiteneria, mes fenerit dhe kapitenerisë, në të djathtë të saj. Tre ditë fest ishte në Durrës me rastin e zhvillimit të garave të notit dhe ky qe një tjetër tregues i masivitetit të këtij sporti. Mirban Kadiu është bërë edhe pjesë e anketës së shpallur nga gazetat sportiste për 10 sportistët më të mirë të vitit 1962 në Shqipëri. Emri dhe fotot e notarit janë vendosur në shumë sallone aktivitetesh të rëndësishme, dëshmi e vlerave që kishte sportisti i Durrësit. Kadiu nuk iu nda notit asnjëherë. Pasi u largua për shkak të moshës nga kampionatet, vazhdoi garat si veteran duke bërë të njëjtën gjë, rekodre dhe thyrje të rekordeve shpesh herë të rekodreve që vet i vendoste. Ai shërbeu për 10 vite si trajner, inspektor noti dhe gjyqatar brenda e jashtë Shqipërisë. Gjatë viteve 1970-1971 shërben si trajner i voterpolius me të rinjtë dhe me djemtë e Durrësit fitoi në Shkodër vendin e parë. Në vitin 1970 komiteti shtetëror i gjyqatarëve e njeh si gjyqtar ndërkombëtar në sportin e notit.

Për gazetarin e Bulevard, Xhevahir Gradica, ai do të jepte edhe intervistën e fundit, ndërsa bën edhe një autorrëfim për bashkëshorten e tij  në një nga ditëlindjet.

Durrësi ka traditë shumë të mirë në sportin e notit. Njihet edhe për shumë emra të mëdhenj notarësh.

Mjafton të kujtojmë se në ditët e zhvillimit të garave të notit në Durrës vinte princesha Myzejen, motra e Ahmet Zogut. Durrësi kishte notarë shumë të mëdhenj. Festohej 3 ditë aktiviteti notit. Këtu vinin jo vetëm sportistë, por edhe dashëmirës të sportit nga shumë qytete. Pas Çlirimit mori edhe më shumë zhvillim. Djem e vajza futeshin në garë. Durrësi kishte ekip noti të fëmijëve, të djemve dhe të vajzave. Hamit Rama e Vasil Beligradi u pasuan nga dhjetra të tjerë si: Sabri Kapexhiu, Burhan Truma, Eqerem Korra, Ilmi Kapllani, Zyd’hi Mara, Dhimitraq Goga, Shaban Belba, Ram Kërçuku, Ferit Velja, Koço Afezolli. Më pas Niko Koroni, Kastriot Karamuça, Qemal Mara, Hysen Sharra…Edhe vajza me emër pati Durrësi në not si: Xhevrie Golemi, Engjellushe Barushi, Violeta Rama, Lumturi Cerloi, motrat Tabaku, Benardina Qeraxhiu, Luçie Bekerdheli, Jolanda Gila, Afërdita Stërmilli, Pina Duma…

Ti je ndër notarët me më shumë fitore, medalje, rekorde. Sa orë i kushtoje detit?

Bashkë me Eqerem Korrën kam bërë deri në 8 mijë m. Tani që kam kaluar të 80 vitet notoj deri në 3000 m. Rrinim shumë, 3 orë, 4 orë. Dilnim në rërë, pushonim pak dhe ktheheshim në det. Nga viti 1948 deri në vitin 2012 nuk i jam ndarë garave të notit, fillimisht me të rinjtë e të rriturit dhe më pas si veteran. Kur ishte ftohtë, pra nga vjeshta deri në pranverë, stërviteshim në shtëpi, me susta, gjimnastikë, veprime të ndryshme. Nuk është për t’u çuditur kur them se e kam provuar birrën në moshën 40 vjeç. 38 medalja i kam fituar si sportist, ndërsa 12 medalje si shoqatë veteranësh. Është shumë e rëndësishme për një sportist të stërvitet pa ndërprerje. Kjo na ka dhënë shumë fitore. Ka qenë kryetar i shoqatës së notit nga viti 1998 deri në vitin 2008.

Fare i ri jeni bërë pjesë e lëvizjes politike duke u renditur përkrah debatikasve

Edhe pse i vogël, për shkak të temperamentit të hedhur u miqësova më krerë të lëvizjes komuniste të asaj kohe në Tiranë si me Jalldis Begeja dhe Fiqerete Vaqari. Takimi me të rinjtë e lëvizjes politike më futi në rrugën e vështirë dhe me rreziqe ngase u aktivizua për të ndarë trakte komuniste në qytet. Këtë veprim e bënim në fshehtësi. Shisnin cigare “Tatlliset” dhe “Diamant” dhe bashkë më to u linim në dorë traktet njerëzve të porositur, veprim për të cilin familja ime nuk kishte dijeni. Këtu nis edhe rekrutimi në organizatën e njohur “Debatiku”. Veç shpërndarjes së trakteve kemi kryer edhe akte të tjera. Teksa laheshim në pishinën “Kosova” vodha një revolver të një xhandari i cili shoqëronte djalin e një personi me pushtet të lartë. Nga vapa xhandari ishte zbërthyer, Kështu që revolveri i qe varur. E pashë dhe pasi afrohem ia heq me kujdes dhe pa u nider revolverin nga xhepi. Armën e dërgova tek rrobaqepësi Llambi Koçi. Në Tiranë vajtëm në kohën kur qyteti u pushtua nga gjemanët. Kthimi në Durrës do të ndodhë pas çlirimit, një vit më pas, kohë që babai, Sulejmani, qe dënuar me 10 vite burg për aktivitet politik kundër qeverisë.

Debatikasi

Mënyra se si Mirban Kadiu u rreshtua në rradhët e fëmijëve debatikas ka të bëjë me një ndodhi të asaj kohe dhe që lidhet me qëndrimin e familjes së tij kundër pushtimit italian. I ati Mirban Kadiut quhej Sulejman Kadiu. Ai qe patriot dhe antifashist. Një dëshmi më vetë dhe që tregon dashurinë për vendin është ajo e takimit të parisë së Durrësit me prefektin. Në pari bënin pjesë burra të familjeve fisnike, që kishin dhënë kontributin e tyre për vendin. Ftesa për takim qe bërë nga prefekti Shit Merlika dhe kryetari i bashkisë Llazar Tuni. Qëllimi i takimit kishte të bënte me formulimin e një telegrami për t’i dërguar Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Thelbi telegramit ishte besnikëria e parisë së Durrësit ndaj mbretit të Italisë, Duçes. Prefekti dhe kreu bashkisë ishin porostiur të bënin një veprim të tillë që do të shërbente për të mos pasur telashe me popullin dhe forcat kundër fashizmit. Sulejman Kadiu ishte anëtar pleqësie. Pa pritur t’i shkohej deri në fund kërkesës, ai ngrihet në këmbë dhe proteston ashpër. “Italia ka ardhur me pushkë dhe ne nuk bëjmë telegram besnikërie”, -mësohet të jetë shprehur patrioti. Me të lëshuar këtë protestë, del i pari nga zyra pa kërkuar leje dhe pa dëgjuar ansjë fjalë tjetër. Pas tij lënë takimin edhe Vangjel Golgota (avokat), Haver Haveriku) tregtar). Një nga një e gjitha salla. Telegrami nuk iu dërgua. Fjalët dhe protesta e Kadiut shkoi shumë shpejt në veshin dhe zyrën e Ministrisë së Brendshme. Kadiu ishte antifashist me bindje të plotë. Veç të tjerash ndikon në këtë bindje edhe një ngjarje të cilën vet Sulejmani ua ka treguar të bijve: Mirbanit dhe Bashkimit. Gjatë një përplasje me armë të Ramazan Voglit dhe Filip Dhimas me një patrullë italiane në Durrës qe plagosur Ramazan Vogli. I plagosuri u dërgua në shtëpinë e Halil Kokës i cili asokohe ishte i fronit. Për të mos u kuptuar, pasi mjekohet e transferojnë fshehurazi në shtëpinë e Sulejman Kadiut. Këtu e mjekon infermieri i zoti dhe me përvojë të gjatë Petrit Ismailati. Rrëfime të tilla për qëndresën ndikojnë tek fëmija i familjes, Mirban Kadiu i cili vendos të bëhet debatikas pa marrë më parë pëlqimin e të atit.

Autorrëfim: Një surprizë nga bashkëshortja ime

Ishte 11 qershor 2008.

“Boni, -më foli gruaja, -sot për darkë kemi dy vajzat, të lutëm mos u vono”.

Mua nuk m’u kujtua se kisha datëlindjen. Vera kishte filluar. 22 qershori po afronte. Bashkë me të edhe Festa e Detit. Përgatitesha bashkë me shokët në det për 22 qershorin që ishte fetsa e qytetit. Prandaj në ditë të tilla vonoheshim. I premtova gruas se do të shkoja në shtëpi para orës 13.00. Vërtetë nuk u vonova. Sapo hyra në shtëpi, gruaja dhe vajzat më përqafuan. Në moment u habita dhe më kapi një e rrënqethur gëzimi. Në sallonin e pritjes, në qoshe, ishte vendosur një bufe e thjeshtë ku kishin vendosur kupat, flamujt sportiv, fletët e nderit, titujt që kisha marrë nga Kuvendi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik, Federata e notit, klubi i ssportit “Teuta” dhe shoqata “Durrësi”.

I hutuar nga kjo surprizë falenderova gruan. Ajo m’u kthye: “A nuk po më pyet se çfarë më shtyu që të bënin këtë kënd të sportit, se çfarë është kjo ditë?”.

“Po, -i thashë, -e dini se notit i kam dhuruar fëmijërinë, rininë dhe tani pleqërinë. Nuk u kam lënë rehat edhe tani ngase nuk po i ndahem notit”. “Po tjetër” Ç’gjë më shtyu të të bëja këtë dhuratë”, -vazdhoi gruaja. U përpoqa të gjej të tjera arsye siç është rasti i përgatitjes në shtëpi me susta dhe kjo ishte mundësi për të treguar respekt ndaj meje. “Po, -më tha, -por ajo që më shtyu më shumë është 75-vjetori i datëlindjes tënde, si ai 65, 70. Edhe në këtë përvjetor shoqatës suaj, pushtetit të Durrësit, shoqatës “Durrësi”, nuk i ra ndërmend emri juaj, qoftë dhe për një falenderim. Ju ia keni bërë respketin dhe vlerësimin notarëve dhe keni ndërhyrë tek pushteti lokal, në Federatë, Komitet Olimpik, ministri…” Më pas ajo përpiqej të justifikonte atë që kishte bërë shoqata e notit për t’i dhënë meritat çdonjërit notar e sportist. Më kujtoi vitet e përkushtimit në sport, medaljet e arit dhe të argjendit, kupat, titujt në përvjetoret e klubit dhe shoqatës. Foli e foli dhe isha i detyruar ta dëgjoja deri në fund. I dhashë të drejtë, megjithatë nuk është se ia pohova me zë. Rruga ime ishte shumë e gjatë në sportin e notit dhe asnjëherë nuk u kujtuan në mënyrë serioze për të bërë atë që duhet bërë ndaj çdo sportisti që ka thyer rekorde, që ka marrë për vite me rradhë pjesë dhe vende nderi në gara.

“Hë, i them, mos më thuaj asgjë sepse jam gëzuar çdo herë me gëzimet e shokëve. Sa herë i kemi bërë këto vlerësime dhe festime për shokët, kam gëzuar edhe unë me ta. Gëzimi i tyre ka qenë edhe gëzimi im”. Gruaja e dinte se jam munduar gjithnjë për shokët dhe realisht jemi kënaqur sa herë kemi mundur të organizohemi për të vlerësuar një sportist. Duke ditur shpirtin tim, gruaja heshti. Kështu, të gëzuar, drekuam bashkë me dy vajzat në ditëlindjen timë, një nga më të mirat festime. /Xh.G/ Bulevard news