Ballina Kuriozitete Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve në celular

Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve në celular

27
0

Secilën herë e më shumë, njerëzit po u shmangen lajmeve, duke i konsideruar depresive dhe të mërzitshme, ka bërë të ditur një hulumtim global, i kryer prej Institutit Reuteres të Universitetit të Oksfordit.

Pothuajse katër në 10 njerëz – 39 për qind – në gjithë botën, kanë thënë se shpesh ose ndonjëherë u shmangen me qëllim lajmeve, në krahasim me 29 për qind më 2017, sipas hulumtimit.

Lufta në Ukrainë dhe ajo në Lindje të Mesme mund të kenë kontribuuar në dëshirën e njerëzve për të qenë larg lajmeve, kanë thënë autorët e raportit.

Sipas tyre, injorimi i lajmeve tani është në nivele rekorde.

Një total prej 94.943 të rinjve në 47 shtete në gjithë botën, janë anketuar prej organizatës YouGov në janar dhe shkurt për qëllime të raportit për lajmet këtë vit.

Këto gjetje janë bërë të ditura kur miliarda njerëz në gjithë botën kanë votuar ose do të votojnë më 2024 për zgjedhje kombëtare dhe rajonale.

Raporti ka gjetur që zgjedhjet e kanë rritur interesimin në lajme në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, trendi në përgjithësi është negativ, sipas studimit.

Në gjithë botën, 46 për qind e njerëzve kanë thënë se janë jashtëzakonisht të interesuar në lajme – për dallim prej 63 për qind më 2017.

Rezultatet kanë treguar që audienca e televizionit dhe gazetave të printuara ka rënë ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi të rinjtë po preferojnë që lajmet t’i shohin në faqe online, apo në rrjete sociale.

Plaforma më e rëndësishme për lajme është ende Facebook-u, ndonëse po shënon rënie vit pas viti.

YouTube dhe WhatsApp janë platforma shumë të rëndësishme për lajme për një pjesë të audiencës, derisa TikTok-u është në rritje dhe e ka tejkaluar platformën X – të njohur më parë si Twitter – për herë të parë.

Sipas gjetjeve, 13 për qind e njerëzve e përdorin TikTok-un për lajme, në krahasim me 10 për qind që janë deklaruar për X.

Shifra është e më lartë për TikTok-un te grup-mosha, 18-24 vjeç – 23 për qind./REL