Ballina Aktualitet Masakroi me thikë gruan për shkaqe xhelozie, Gjykata lë në burg 52-vjeçarin...

Masakroi me thikë gruan për shkaqe xhelozie, Gjykata lë në burg 52-vjeçarin Jakup Shahu

23
0

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 52-vjeçarin Jakup Shahu, i cili masakroi me thikë për shkaqe xhelozie bashkëshorten e tij, Edlira Shahu.

Shahu akuzohet për veprën penale e “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë (23 Maj) rreth orës 02:15 në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet.  Çifti janë prindër të një fëmije, por që nuk ka qenë në banesa kur ka ndodhur ngjarja.

52 vjeçari është person me precedent penal pasi në vitin 2011 ka vrarë një person 13 vite burg.

Konkretisht më 7 shtator 2011, në atë kohë 39 vjeç, Jakup (Arben) Shahu ka vrarë me armë zjarri Arjan Mejdanin. Ndërkohë në atë ngjarje janë përfshirë edhe disa persona të tjerë, të cilët mbetën të plagosur.

Personat janë të komunitetit rom dhe po ashtu edhe ngjarja e 13 viteve më parë ka ndodhur për arsye xhelozie. Pas kësaj ngjarje, autori Jakup Shahu është dënuar me 13 vite burg, dhe para pak kohësh ai është liruar, por sapo ka dalë sërish është përfshirë në ngjarje, duke plagosur këtë herë gruan e tij.

NJOFTIM PER MEDIA

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 23.05.2024, rreth orës 04:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale J.Sh, i cili pas një konflikti të çastit në banesën e tij në Rrugën “Hysen Xhura”, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) në disa pjesë të trupit bashkëshorten e tij shtetasen me iniciale E. Sh, duke i shkaktuar asaj dëmtime të rënda

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestimin në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale J. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1378 Regj. Them, datë 25.05.2024, ka vendosur:

1. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit J. Sh.
2. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit J. Sh “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale lidhur me hetimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
3. Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale J. Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal, duke caktuar arrest në burg me afat.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 18.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Valbona Vata, vendosi:

-Miratimin e vendimit me nr. 1378 regj.them, datë 25.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tiranë, më 18.06.2024
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Historia e Jakup Shahut

Jakup (Arben) Shahu ka qëlluar për vdekje Arjan Mejdanin në atë kohë 28 vjeç, më 7 shtator 2011 rreth orës 20:40, në lagjen “Selitë”, te rruga “Irfan Tomini” në Tiranë.

Në sherr u përfshinë autori i krimit, shtetasi Agron Isiu, si edhe viktima, Bujar Mejdani e Arben Muharremi (Këta dy të fundit mbetën të plagosur).

Pas ngjarjes u arrestuan Jakup Shahu, i cili qëlloi për vdekje 28-vjeçarin Arjan Mejdani, ndërsa Agron Isiu su autori i plagosjes së dy personave të dëmtuar në ngjarje, Bujar Mejdani e Arben Muharremi.

Viktima, të plagosurit dhe autorët, që i përkasin komunitetit rom, kanë pasur një konflikt për motive xhelozie, konflikt që pati pasoja tragjike.

Sherri mes Jakup Shahut dhe viktimës, Arjan Mejdani, ka pasuar si shkak konfliktin e vazhdueshëm të bashkëshorteve të tyre. Gratë e dy protagonistëve të ngjarjes pretendonin për tradhti bashkëshortore.

Pas ngjarjes autorët ngjarjes u arratisën por u lanë në baltë nga makina me të cilin po tentonin të largoheshin nga Tirana. Mjeti nuk ka qenë i furnizuar mjaftueshëm me karburant, duke i lënë në mes të rrugës, pranë rrethrrotullimit të Doganës, në drejtim të Kthesës së Kamzës.

Ata janë kapur në flagrancë kur po shtynin makinën në drejtim të karburantit më të afërt dhe janë arrestuar. Policia tha se në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar një pistoletë e kalibrit 7.62 mm, model 54 TT, dhe një krehër automatiku me fishekë.

Xhelozia

Një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë konfliktit me armë mes banorëve të komunitetit rom në Selitë të Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:40 të 7 shtatorit, në mes të pallateve ku banon pjesa më e madhe e komunitetit rom.

Policia dhe dëshmitarët okularë thanë se ngjarja mund të kishte pasur përmasa edhe më të mëdha nëse autorit nuk do t’i bllokohej arma automatike tip “Kallashnikov”, me të cilën kreu vrasjen dhe plagosjen e dy personave.

28-vjeçari Arjan Mejdani u plagos rëndë dhe ndërroi jetë 15 minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak. Ndërsa u plagosën babai i tij, Bujar Mejdani dhe kunati i këtij të fundit, Arben Muharremi.

Gruaja e të dyshuarit Jakup Shahu, një javë para ngjarjes, ka shkuar për te lokali i viktimës, aty ku ndodhi edhe vrasja, dhe ka nisur të debatojë me gruan e Arjan Mejdanit, duke e akuzuar se i kishte marrë bashkëshortin.

Aty ka nisur konflikti mes dy bashkëshorteve, fillimisht me fjalë e më pas janë kanë nisur të godasin njëra-tjetrën me sende të forta. Gjatë këtij debati kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e familjes së viktimës, të cilët kanë ndërhyrë duke i dhënë fund përkohësisht dhunës mes tyre. Sherri ka vijuar pothuajse çdo ditë.

Sipas dëshmitarëve, të dyja gratë, sa herë që përballeshin në rrugë apo në lokal, ziheshin me njëra-tjetrën duke u kapur nga flokët, derisa shkonin persona të tjerë për t’i ndarë. Për këtë konflikt të vazhdueshëm ishte vënë në dijeni viktima Arjan Mejdani, të cilit i kanë treguar të afërmit e vet, por edhe banorë të tjerë të lagjes që kishin parë sherret e vazhdueshme të bashkëshortes së tij me të shoqen e autorit.

Pasi ka dëgjuar variantin e gruas së tij, me të cilën kishte 3 fëmijë, Mejdani ka shkuar të takojë Jakup Shahu, i cili banonte pranë shtëpisë së tij. Duke debatuar me të, në mes është futur bashkëshortja e Shahut, e cila ka rrëfyer edhe historinë e tradhtisë nga ana e të shoqit dhe gruas së viktimës. Ky debat është bërë dy ditë para se të ndodhte krimi.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky ka qenë edhe shkaku i debatit që nisi para se të përdoreshin armët. Fillimisht viktima dhe të plagosurit kanë nisur të debatojnë me dy autorët në lokalin e tyre dhe më pas ata kanë nxjerrë armët nga një “dum-dum” që ishte i parkuar para lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të tyre.