Ballina Politika Agron Duka: Kot nuk e caktuan edhe Drejtorin e Policisë si drejtues...

Agron Duka: Kot nuk e caktuan edhe Drejtorin e Policisë si drejtues partie në ndonjë qark….

199
0
Treguesi më flagrant i vdekjes së demokracisë në këtë vend është shkrirja e qeverisë me partinë që ka pushtetin. Qeveria, ministrat dhe zyrtarët e tjerë, zgjidhen dhe paguhen për të qeverisur. Paguhen për t’u marrë me punët dhe hallet e njerëzve – me shkollat, spitalet, rrugët, bujqësinë, plehrat që kanë mbytur vendin… Në fakt, një dyzinë ministrash dhe kryetarësh bashkie ngarkohen paralelisht edhe me detyrën e drejtuesit të partisë në qarqe.
Këto nuk janë poste honorifike!
Me afrimin e zgjedhjeve, ata do të punojnë natë e ditë për fushatën elektorale. Do të braktisin detyrat për të cilat paguhen dhe do ta vënë administratën që komandojnë, tërësisht në shërbim të zgjedhjeve.
Kjo është edhe më keq se në kohën e komunizmit. Atëherë, kryeministri ishte kryeministër dhe merrej me qeverisjen e vendit, ndërsa drejtuesi i partisë ishte tjetërkush – Sekretari i Parë i Partisë, që ishte Enveri deri sa vdiq. Në nivel lokal, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (kryetari i bashkisë sot) merrej me punët e qeverisë – prodhimi, plani, industria, bujqësia… Ndërsa me politikën dhe partinë merrej Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit. Pra, edhe Enver Hoxha e kishte ndarë partinë nga ekzekutivi.
Sot Rama i ka bashkuar, duke filluar nga vetja, tek ministrat dhe deri te kryetarët e bashkive. Rama e ka çuar standardin e shtetit edhe më poshtë se Enver Hoxha. Po si është e mundur që një ministër të lërë zyrën dhe drejtimin e punëve dhe, me makinën e shtetit, të bredhë rrugëve për të bërë fushatë elektorale?
Si është e mundur që një kryetar bashkie, të cilin populli e ka zgjedhur për të qeverisur qytetin, ti e emëron tani si drejtues të partisë dhe e ngarkon të merret me fushatën elektorale? Po qytetarët nuk e votuan për Sekretar të Parë atë!
Në këtë kuadër, vetëm Drejtori i ri i Policisë së Shtetit mbeti pa ndonjë post politik. Publikisht, sepse pas perdes, ai është drejtuesi më i rëndësishëm politik i Ramës.