Ballina Aktualitet Listat e mbyllura, zbardhet afati i seancës në Kushtetuese kur do të...

Listat e mbyllura, zbardhet afati i seancës në Kushtetuese kur do të shqyrtohet kodi zgjedhor

30
0

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ta zhvillojë më 26 nëntor seancën publike lidhur me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor.
Kjo seancë është në përgjigje të kërkesave të dy partive politike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit dhe Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, të cilat kanë apeluar në këtë gjykatë duke kërkuar shfuqizimin e nenit që parashikon përbërjen e listave për deputetë.

Kodi i ri zgjedhor u miratua në seancën plenare të 26 Korrikut me 106 vota pro dhe 2 kundër, pas një pakti të arritur mes dy partive kryesore, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike.
Kodi i ri parashikon mbylljen e 1/3 të listës së kandidatëve për deputetë dhe padia në Kushtetuese është bërë vetëm për shfuqizimin e këtij neni dhe jo për pjesën tjetër, siç është vota e diasporës.
Më konkretisht neni parashikon mbylljen e pjesës së parë të listës 1/3 e saj dhe pjesa tjetër 2/3 do të jetë listë e hapur, ku edhe një votë do të bëjë diferencën.

Me këtë kod zgjedhor, rreth 30% e emrave të deputetëve në krye të listës që do ta kenë vendin e sigurt në Kuvend, do të përcaktohen nga kryetarët e partive. Emrat e renditur më poshtë më pas do të zgjidhen me vota preferencia, nëse partitë arrijnë të marrin më shumë se rreth 30% të mandateve në një qark.
Më konkretisht, në Qarkun Tiranë që janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të sigurt për t’u futur në Kuvend, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në parlament 12 deputetë.

Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votë preferenciale, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.
Kështu, ka një hapje të vogë të listës, teksa kryetarët e partive do të arrijnë të futin “besnikët” e tyre në Kuvend, pa i vendosur në sfidën se sa vota preferenciale kanë në terren. Gjithçka do të jetë në dorë të kryetarëve të partive se kë do të futin në listën e sigurt dhe kë jo.

Por, duke qenë se lista e kandidatëve për deputetë është shumë e gjatë, vetëm emrat e parë arrijnë të futen në Kuvend dhe numri i deputetëve që do të zgjidheshin nga votat preferenciale do të jetë shumë e vogël.
Nëse kjo formulë do të ishte aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëherë 31 deputetë do të ishin zgjedhur të mbështetur nga vota e qytetarëve dhe 109 të tjerë do të ishin të mbrojtur/favorizuar nga renditja e partisë.

Dy subjektet politike, LZHK dhe Shqipëria Bëhet argumentojnë se kjo dispozitë dëmton demokracinë e brendshme të partive dhe të drejtën e zgjedhësve për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tyre.
Seanca e 26 nëntorit pritet me interes të lartë nga opinioni publik dhe politik, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të ndikojë ndjeshëm mbi zgjedhjet e ardhshme dhe mbi procesin e hartimit të listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike.