Nga Mark Brunga
Kwto vite janw botuar dokumente të reja për Shqipërinë në shtypin rus. Të cilat hedhin në dritë nwn optiken e tyre, mbi situatën e Shqipërisë ne arenën nderkombetare në periudhen e luftës dhe më pas si dhe mbi “ rivalitetin e pashpallur për kontrollin e ardhshëm mbi Shqipërinë që u shpalos me forcë të re nga autoritetet angleze ashtu edhe ato sovjetike të cilat, u përpoqën të ndikonin në lëvizjen partizane shqiptare”. Më 17 maj 1961, Presidiumi i KQ te partisë komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) vendosi të tërheqë anijet e flotës sovjetike ushtarake-detare nga baza ushtarake-detare në Vlorë. Në bazë të dokumenteve, shumica e të cilave nuk janë botuar asnjëherë më parë, kemi rindërtuar historinë se si një vend i rëndësishëm strategjik për BRSS u “fitua” së pari nga Britania e Madhe, dhe pastaj “humbi” nga Republika Popullore e Kinës . “Kommersant” shkruan se po të hartohej një renditje e vendeve, të cilat për fuqitë botërore ishin valixhe pa dorezë – vështirë për t’u mbajtur, por keq për ta braktisur, atëherë Shqipëria, natyrisht, do të merrte një nga trofetë. Pozicioni i saj gjeografik e bënte plasdarm ideal për të ndikuar në Greqi, Itali dhe vendet e Ballkanit. Duke bazuar anijet luftarake në Shqipëri, ishte e mundur të kontrollohej transporti detar në Detin Adriatik. Shtoni kësaj mineralet: nafta, qymyri dhe kromi. Nga ana tjetër, Shqipëria për dekada me të drejtë konsiderohej si një nga vendet më të varfra të Evropës dhe kishte në planin religjioz përbërje të përzier të popullsisë: myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Dhe të tre komunitetet, sikurse konfirmohet në dokumente, ishin një lloj partish politike dhe me shumë vështirësi arritën kompromis mbi çështjet e reja kombëtare. Në dekadat e para të shekullit të 20-të, pozicioni strategjik i këtij vendi, sikurse mendonin në Romë, në rast të pushtimit të tij nga armiku, kërcënonte seriozisht Italinë, dhe për këtë qeveria italiane bëri maksimumin e përpjekjeve për vendosjen e kontrollit mbi Shqipërinë. Në një informacion të sektorit të 3-të për Evropën të Komisariatit të Popullit (kështu quhej atëherë një ministri) për Punët e Jashtme të BRSS, e datës 13 dhjetor 1941, thuhej: “Pavarësia e Shqipërisë nga Turqia u shpall më 28 nëntor 1912 në Vlorë (në origjinal, sipas italishtes: Valona). Pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Traktati i Londrës (Konferenca e Ambasadorëve) më 20 dhjetor 1912. Konferenca e Ambasadorëve në 26 mars 1913 përcaktoi kufijtë e Shqipërisë. Kjo situatë nuk i përshtatej Italisë, e cila, gjatë Luftës së Parë Botërore, paraqiti një nga kushtet për t’u bashkuar me vendet e Antantës për t’i kaluar kontrollin si minimum mbi një pjesë të territorit të Shqipërisë. “Në fund të vitit 1917, – thuhet në informacion, – Italia, e cila kishte pushtuar të gjithë jugun e Shqipërisë, shpalli pavarësinë nën protektoratin e saj dhe formoi një qeveri të përkohshme. Në konferencën e paqes, Italia u përpoq të merrte mandatin për Shqipërinë, por si rezultat i lëvizjes kryengritëse në vend, Italia u detyrua të braktisë këto plane dhe në fund të vitit 1920 nënshkroi marrëveshje sipas së cilës njihte pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe evakuoi trupat e veta”. Por ky dështim, si dhe ndikimi në rritje i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (MSKS) në çështjet shqiptare, çoi vetëm në një ndryshim në mënyrën e veprimit të italianëve. “Në qershor 1924, peshkopi Fan Noli bëri kryengritje me mbështetjen e Italisë kundër diktatorit shqiptar Ahmed Zogu, i cili mbështetej tek Jugosllavia. Fan Noli vendosi pushtetin e tij dhe me të Italia fitoi një pozitë nderi monopolist në tregtinë me Shqipërinë … Por tashmë në dhjetor 1924 qeveria e Fan Nolit u detyrua të largohej, sepse Ahmed Zogu pushtoi Shqipërinë në krye të çetave të armatosura”. Fitorja për njësitë e Zogut u sigurua nga mbështetja e trupave të MSKS-së dhe trupave të gjeneralit Vrangel, të cilët ishin në MSKS. Por italianët nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin. “Në nëntor 1926, Italia arriti të përulë Zogun, që nënshkroi një traktat që ishte pothuajse i barabartë me vendosjen e një protektorati italian mbi Shqipërinë. Në nëntor 1927, Italia i imponoi Shqipërisë një traktat të ri “ushtarak-mbrojtës”, i cili më në fund vendosi protektoratin italian mbi Shqipërinë”. Sukseset e Italisë kryesisht shpjegoheshin dhe me faktin se politikën e saj e mbështetnin katolikët shqiptarë. Një taktikë e ngjashme u vendos të përdoret nga qarqet drejtuese të Britanisë së Madhe, për të cilët liria e lundrimit dhe prania plasdarmeve për të ushtruar ndikim kudo në botë kishin rëndësi parimore themelore. Siç thuhet në një pasqyrë të hartuar nga misioni ushtarak sovjetik në Shqipëri në vitin 1945, nga mesi i viteve 1920 britanikët filluan të rrisin ndikimin e tyre mbi popullsinë myslimane të Shqipërisë: “Anglezët ushtrojnë ndikimin e tyre nëpërmjet kuadrove myslimanë që dalin nga universitetet islamike në Egjipt dhe Indi. Anëtarët e Komunitetit Mysliman në Tiranë Sadik Bega dhe Vexhi (në origjinal: Bexhi) Buharaja u diplomuan në Universitetin Al-Ahzar në Kajro. Anëtari i Komunitetit, Sharif Putra, i cili është gjithashtu drejtori i revistës “Kultura Islame”, mbaroi universitetin islamik në Indi (në qytetin e Lahora-s). Të gjithë ata janë ithtarë të politikës myslimane angleze në Lindjen e Mesme dhe vazhdimisht e propagandojnë midis popullsisë myslimane të Shqipërisë… Në Medresenë e Tiranës mësimi bëhet në arabisht dhe anglisht. Tekstet e Medresesë botohen gjithashtu në arabisht dhe anglisht dhe janë shkruar në frymën e politikës myslimane angleze”. Ata nuk ndenjën duarkryq as në Moskë. Në Historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, botuar në vitin 1968, në përshkrimin e ngjarjeve të 1924-1925 shënohej: “Internacionalja Komuniste (Kominterni) nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike dha një ndihmë të çmuar në organizimin e demokratëve revolucionarë shqiptarë”. Sidoqoftë, shpërthimi i kryengritjeve të armatosura nga komunistët shqiptarë u shtypën shpejt dhe italianët dita-ditës forcuan kontrollin e tyre mbi Shqipërinë, e cila kishte burime natyrore shumë të çmuara për Italinë, që vuant nga deficiti i karburantit.
“DËSHIRON TA SHOHË SHQIPËRINË TË ÇLIRUAR”
“Në vitin 1928, – vërehej në informacionin e sektorit të 3-të për Evropën të KPPI-së, – Zogu u vetëshpall mbret, dhe kjo forcoi më tej ndikimin e Italisë, mbi të cilën orientohej kryesisht Zogu. Në vitin 1931, me kërkesën e Italisë, u krijua një komision ekonomik “i përzier”, i cili shumë shpejt u kthye në organ kontrolli mbi të gjithë veprimtarinë e qeverisë shqiptare”. Kurse në vitin 1939 në Romë u vendos që Mbreti Zogu I, i cili herë pas here u përpoq të kthehej në sundimin e pavarur, u bë pengesë e panevojshme. “Më 4 prill 1939, – thuhej në informacion, – autoritetet italiane paralajmëruan qeverinë shqiptare se në Vlorë do të zbarkonin trupat italianë. Gjatë 5 dhe 6 prillit, qeveria shqiptare bëri bisedime me italianët, duke u përpjekur të arrinte kompromis. Më 6 prill, Italia njoftoi qeverinë jugosllave për “marrjen e masave për mbrojtjen e interesave të veta në Shqipëri”. Më 7 prill, qeveria shqiptare hodhi poshtë kushtet e paraqitura nga qeveria italiane … Më 8 prill, trupat italianë hynë në Tiranë dhe më 9 prill, u krijua një “qeveri” e përkohshme në Shqipëri, e cila shpalli mbretin Zog të paligjshëm. Më 16 prill, mbreti italian pranoi kurorën shqiptare me “kërkesën” e asamblesë kushtetuese shqiptare “. Lehtësia me të cilën këtë herë italianët arritën të vendosnin kontrollin e plotë mbi Shqipërinë u shpjegua thjesht. Në dokumentet thuhej se në çdo njësi ushtarake shqiptare kishte oficerë-këshilltarë italianë që zgjidhnin dhe promovonin kuadro oficerë, kryesisht nga shqiptarë katolikë. Dhe pothuajse kudo, me përpjekjet eë përbashkëta të oficerëve dhe këshilltarëve të tillë, u mundësua ose bllokimi i ushtarëve në kazermat, ose duke mos u dhënë armë. Më 28 qershor 1941, Shqipëria italiane i shpalli luftë BRSS-së. Dhe së shpejti filloi një etapë e re në luftën e fuqive botërore për kontrollin mbi të. Ajo u iniciua nga “mbreti në mërgim” Zogu. Në shtator 1941, iu drejtua vendeve të koalicionit antihitlerian me kërkesën për ta njohur si autoritetin e vetëm të ligjshëm në Shqipëri. Por monarku, që ndryshonte vazhdimisht orientimin politik, në fakt, u përzu. Por në atë moment në Londër, Moskë dhe pas hyrjes në luftë të SHA-së dhe në Uashington ishin të interesuar për zgjerimin e luftës partizane në Shqipëri, që largoi forcat e trupave italianë dhe gjermanë nga veprimet ushtarake në frontin lindor dhe teatrin afrikan të operacioneve. Sidoqoftë rivaliteti i pashpallur për kontrollin e ardhshëm mbi Shqipërinë u shpalos me forcë të re. Si autoritetet angleze ashtu edhe ato sovjetike u përpoqën të ndikonin në lëvizjen partizane shqiptare. Britanikët kishin më shumë mundësi për furnizime me armë dhe gjithçka të nevojshme, por në udhëheqjen e rezistencës shqiptare në pozicion drejtues ishte komunisti E. Hoxha. Kryeministri britanik U. Çurçill , me anë te një manovre të shkathët, u përpoq të përmirësonte ndjeshëm pozicionin e tij në këtë përballje. Më 30 nëntor 1942, Sekretari amerikan i Shtetit K. Hall , iu drejtua popullit shqiptar me thirrjen për rezistencë të përgjithshme ndaj pushtuesve. “Halli theksoi, – thuhej në njoftimin e agjencisë telegrafike sovjetike TASS, – se detyra e çdo shqiptari që është një qytetar i mirë, në takimin e parë, të qëllojë mbi çdo ushtar italian që ka ardhur në territorin shqiptar për t’i privuar popullit shqiptar të drejtat dhe liritë e tij të ligjshme”. Nuk pasuan kurrfarë shpjegimesh ose shtesash ndaj deklaratës së Hallit. Por qeveria britanike njoftoi se Shtetet e Bashkuara garantuan integritetin territorial të Shqipërisë pas luftës dhe mosndërhyrjen e fuqive të mëdha në zgjedhjen e rrugës së zhvillimit të saj të mëtejshëm. Shumë shpejt, në kohën e duhur, parlamenti britanik i bëri kërkesë qeverisë që të shprehej mbi pozicionin e saj ndaj Shqipërisë, për të cilën, më 16 dhjetor 1942, mori përgjigje nga Ministri i Punëve të Jashtme E. Iden : “Qeveria e Madhërisë tij shpreh ndjenjat e simpatisë kundrejt popullit shqiptar, një nga viktimat e para të agresionit fashist. Ajo dëshiron ta shohë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe pavarësinë e saj të rivendosur. Forma e regjimit dhe qeverisë, që do të vendosen në Shqipëri do të jetë një çështje, që vet populli shqiptaro do ta vendosë në fund të luftës. Ajo që kam thënë nuk paragjykon në asnjë mënyrë çështjen e pozicionit të Shqipërisë në lidhje me rregullimet e ardhshme që mund të arrihen midis shteteve të ndryshme të Ballkanit. Qeveria e Madhërisë së Tij e shikon çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas lufte si një çështje, e cila do të shqyrtohet në Konferencën e Paqes”. Më 17 dhjetor 1942, Hall-i konfirmoi se Shtetet e Bashkuara mbështesnin rivendosjen e një Shqipërie të lirë. Pastaj Londra i ofroi Moskës që zyrtarisht të bashkohej me garancitë anglo-amerikane të mosndërhyrjes në punët shqiptare. Më 18 dhjetor 1942, në shtypin sovjetik u botua një deklaratë nga KPPJ të BRSS, në të cilën thuhej: “Qeveria Sovjetike ka besim se lufta e popullit shqiptar për pavarësi do të shkrihet me luftën çlirimtare të popujve të tjerë ballkanikë të shtypur nga pushtuesit italo-gjermanë, të cilët, në aleancë me të gjitha vendet liridashëse, do të dëbojnë pushtuesit nga toka e tyre. Çështja e sistemit të ardhshëm shtetëror të Shqipërisë është çështja e tij e brendshme dhe duhet të vendoset nga vetë populli shqiptar “. Dukej se Britania kishte korrur një fitore diplomatike. Dhe në rast ndërhyrjeje sovjetike në punët e Shqipërisë, ajo mund t’i kujtojë BRSS-së për detyrimet dhe besnikërinë që kishte marë mbi veten ndaj detyrës aleate. Por pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman, i cili zëvendësoi atë italian pas dorëzimit të Italisë në 1943, Qeveria e Përkohshme e vendit drejtohej nga gjeneral-koloneli Hoxha. Dhe të gjitha postet kryesore i morën komunistët. Në të njëjtën kohë, Fronti Demokratik ishte zyrtarisht forca politike në pushtet. Kurse Partia Komuniste sikur ndodhej ishte në një pozicion joligjor. Pavarësisht kësaj, britanikët kishin argumentet më bindëse për të fituar në këtë sherr, thekson përditshmja ruse “Kommersant”, e cila sjell me pas shifra të hollesishme të gjendjes së keqe ekonomike të Shqipërisë në atë periudhe si dhe betejat politike që pasuan deri në prishjen me sovjetiket.