Ballina Europë Kryeministri sllovak mund të humbasë aleatin e rëndësishëm – Viktor Orbanin

Kryeministri sllovak mund të humbasë aleatin e rëndësishëm – Viktor Orbanin

24
0

Sllovakia mund të humb një prej aleatëve të saj kryesor evropian – Hungarinë.

Amendamenti i fundit në ligjin e gjuhëve të Sllovakisë, i cili kufizon përdorimin e gjuhëve të pakicave, duke përfshirë hungarishtin, mund të prishë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, shkruan Politico.

Projektligji i ri, i cili doli në media, do të ndalonte përdorimin e gjuhëve të pakicave në transportin publik, në zyrat postare apo në menutë e restoranteve dhe do të rriste 20 herë gjobat për mosbindje ndaj ligjit, deri në 15 mijë euro.

Politikanët e opozitës sllovake nga Partia e Lirisë dhe Solidaritetit (SaS) dhe Aleanca Hungareze janë kritikë ndaj ligjit, duke theksuar se ai do të dëmtojë turizmin, do të ulë konkurrencën e Sllovakisë dhe do të provokojë kritika nga Brukseli.

“Ky ligj nacionalist, kufizon në shumë raste të drejtat e qytetarëve të Republikës Sllovake për të shpërndarë dhe marrë lirisht informacion në gjuhën e tyre dhe pengon lirinë e tyre të biznesit”, tha përfaqësuesi i SaS, Rene Parak.

Sipas opozitës, ligji të kujton qeverinë e ish-kryeministrit autoritar, Vladimir Meçiar në vitet 1990, e cila nxiti ndjenjat anti-hungareze dhe ishte i pari që prezantoi një ligj gjuhësor. Në vitet e fundit, Këshilli i Evropës ka kritikuar Sllovakinë për vazhdimin e shkeljes së të drejtave të pakicës hungareze.

Nëse ligji miratohet, marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat kanë lulëzuar kohët e fundit për shkak të qëndrimeve të ngjashme në politikën e jashtme të kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe kryeministrit sllovak, Robert Fico, mund të ftohen shpejt. Nuk do të ishte hera e parë. Në vitin 2009, Sllovakia miratoi një amendament të ngjashëm që penalizon zyrtarët shtetërorë për përdorimin e gjuhëve të pakicave, duke shkaktuar një grindje diplomatike me Hungarinë.

Fico ishte ende në pushtet në atëkohë dhe ia ndaloi presidentit të atëhershëm hungarez të vizitonte Sllovakinë. Ai tha gjithashtu Fidesz dhe liderin e partisë Viktor Orban, i cili ende nuk ishte kryeministër, si një “kërcënim” për Sllovakinë. Dy vjet më vonë, Orban ofroi nënshtetësinë hungareze për pakicat që jetonin në Sllovaki, duke bërë që Fico të ndalonte shtetësinë e dyfishtë.

Ndryshe, ministrja sllovake e Kulturës, Martina Simkoviçova, e cila udhëhoqi idenë e fundit për të ashpërsuar ligjin ekzistues, hodhi poshtë pretendimet se ligji synonte pakicat, duke thënë se qëllimi i tij ishte mbrojtja e gjuhës sllovake.

Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, rreth 420 mijë hungarezë jetojnë në Sllovaki, të cilët përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë dhe përfaqësojnë pakicën më të madhe në vend.