Ballina Dossier Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, për Shqipërinë dhe për luftën antifashiste!...

Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, për Shqipërinë dhe për luftën antifashiste! Përshëndetja për 32-vjetorin e Pavarësisë më 28 nëntor 1944

21
0

Nga ALBERT HITOALIAJ

Dy ditë para Çlirimit përfundimtar të Shqipërisë nga pushtimi nazist, Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përgatiste një deklaratë për shtyp, në shenjë përshëndetjeje për 32-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe që theksonte rëndësinë që kishte lufta antifashiste e popullit shqiptar. Kjo deklaratë e sekretarit të komanduar të Shtetit, është lëshuar dy-tre ditë para se sekretari më jetëgjatë i Shtetit, z. Cordell Hull, të mbyllte mandatin e tij në mënyrë përfundimtare. Demokrati Cordell Hull (1871-1955) e kreu funksionin e sekretarit të Shtetit nga 4 marsi i vitit 1933 deri më 30 nëntor 1944. Ai qëndroi pothuajse dymbëdhjetë vjet në këtë detyrë dhe u pasua nga Sekretari i Shtetit, Edward Stettinius Jr. (1900-1949) i cili qëndroi në detyrë nga 1 dhjetori i vitit 1944 deri më 27 qershor 1945. Sekretari Hull ishte i njohur për qëndrimet në mbështetje të luftës antifashiste shqiptare dhe në favor të pavarësisë së Shqipërisë.

Më 9 prill 1939 gazeta e njohur The New York Times shkruante me të madhe mbi deklaratën e bërë nga Hull më 8 prill, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste: “Sulmi i Italisë ndaj Shqipërisë u denoncua sot nga sekretari i Shtetit, Cordell Hull, si një ‘pushtim me forcë dhe i dhunshëm’ që përbënte ‘pa diskutim një kërcënim të shtuar ndaj paqes botërore’” (“Attack on Albania assailed by Hull”, në: The New York Times, 9 prill, 1939, f. 34). Times, sqaronte se “ky denoncim i z. Hull, u bë në një konferencë zyrtare për shtyp, në mesditë, si një qëndrim zyrtar që kishte miratimin e shprehur të presidentit amerikan Roosvelt. Përpara se ta shpallte, Hull-i komunikoi në telefon me presidentin, në Warm Springs. Pas kësaj deklarate zyrtare të pozicionimit të SHBA-së, pasoi një notë proteste drejtuar Departamentit të Shtetit, e bërë nga ambasadori shqiptar në SHBA, Faik Konica, kundër pushtimit, të cilin ai e konsideronte si shkelje të Paktit Kellog-Briand. Konica e dërgoi këtë notë, sipas udhëzimeve të bëra nga qeveria e tij dhe të marra qysh para se sekretari Hull të bënte deklaratën zyrtare” (po aty).

Edhe më e mirënjohur është deklarata zyrtare e sekretarit Hull, lidhur me Shqipërinë, e cila u lëshua më 10 dhjetor të vitit 1942 (Cordell Hull, “Statement Released to the Press, December 10, 1942”, Department of State Bulletin, 12 dhjetor, 1942, f. 998). Përsëri, shtypi amerikan i kohës do t’i bënte jehonë kësaj deklarate: “Përmes një deklarate që paralajmëronte ndihmën ushtarake amerikane për çetat guerile që operojnë kundër forcave italiane në atë vend, populli shqiptar, u inkurajua sonte nga sekretari i Shtetit, z. Cordel Hull, që të përmbyste pushtimin italian” (“Hull says Albania will be kept free”, në: The New York Times, 11 dhjetor, 1942, f. 4).

The New York Times, vendoste titull të madh me deklaratat e tij: Hull thotë se “Shqipëria do të çlirohet”; ai citon Kartën e Atlantikut në një apel të ri për popujt e pushtuar për të dëbuar italianët; lëvdon guerilët; Radioja Britanike raporton se ata [guerilët] arritën së fundi në qendrën e Tiranës dhe vranë 777″ (po aty).

Pothuajse një vit më pas, më 4 nëntor 1943, duke iu përgjigjur një anëtari të Kabinetit në lidhje me guerilët në Shqipëri, kryeministri Winston S. Churchill, do të shprehej:

“Mijëra guerilë shqiptarë tani po luftojnë në malet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit amtar. Nga përvoja e vendeve të tjera të pushtuara ata kanë mësuar se e ashtuquajtura pavarësi e ofruar nga Gjermania është një mashtrim mizor. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin për më shumë se katër vite ata kishin refuzuar ta pranonin, u zëvendësua nga thundra gjermane. Gjermanët po përdorin të gjitha metodat e zakonshme me të cilat ata kërkojnë të nënshtrojnë popujt luftarakë; tashmë, kanë bombarduar fshatrat shqiptare dhe kanë vrarë gra e fëmijë shqiptarë, por guerilët vendas vazhdojnë të sulmojnë armikun dhe të godasin linjat e tij të komunikimit.

Oficerët britanikë të ndërlidhjes, të cilët janë bashkë me këta guerilë i nderojnë së larti cilësitë e tyre luftuese. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e vet, në përputhje me traditat e tyre të lashta luftarake, në zhvillimet e ardhshme ushtarake në rajonin e Mesdheut. Politika e Qeverisë së Madhërisë së Tij mbetet e shpjeguar nga miku im i nderuar, sekretar i shtetit për Punët e Jashtme, në deklaratën e tij më 18 dhjetor 1942; do të thotë, se ne, dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e Boshtit dhe të rikthyer në pavarësinë e saj. Kufijtë, sigurisht, që do të merren parasysh në Marrëveshjen e Paqes.” (“Albanian Guerrillas”, në: Delphi Collected Works of Winston S. Churchill. UK: Delphi Classics, 2023).

Por, pavarësisht mbështetjes së pakufishme për luftën antifashiste shqiptare, qëndrimet e politikës së jashtme britanike, çështjen e nxehtë të kufijve të copëtuar të Shqipërisë e trajtonin me kujdes dhe nuk bënin premtime. Kurse amerikanët, e shihnin pavarësinë e Shqipërisë si një çështje natyrale dhe të përputhshme edhe me parimet ndërkombëtare.

“Qëndrimi i presidentit Wilson kundër propozimeve për ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Parisit, të vitit 1919, siguroi në atë kohë ekzistencën e pavarur të vendit. Në vazhdim të traditës së krijuar në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara nuk e njohën aneksimin e Shqipërisë nën Kurorën e Italisë, pas pushtimit italian të 7 prillit 1939, por e panë Shqipërinë si viktimë të agresionit të Boshtit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, këtij vendi iu dha inkurajim dhe mbështetje rezistencës së popullit shqiptar kundër forcave pushtuese fashiste dhe naziste. Më 10 dhjetor 1942 Sekretari Hull deklaroi se rivendosja e pavarësisë në Shqipëri ishte e natyrshme, sipas parimeve të Kartës së Atlantikut” (CIA, Obopus BG Fiend Vol. 1, Country Plan Albania, 1950).

Pavarësisht tërheqjes së Misionit Amerikan nga Shqipëria, më 14 nëntor 1946 dhe ndërprerjes së marrëdhënieve, në dokumentin “shumë sekret” të inteligjencës amerikane (cituar më sipër), shprehimisht shkruhej:

“Siç u tha më janar 1947, politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë synon të mbështesë pavarësinë e atij vendi dhe t’i garantojë popullit shqiptar lirinë për të realizuar çështjet e veta pa dominim nga ndonjë shtet i huaj ose grup shtetesh; nga ana tjetër, është thënë se ndikimi politik, burimet ekonomike dhe forca ushtarake e Shqipërisë janë të papërfillshme nga pikëpamja e sigurisë së SHBA-së. Rëndësia strategjike e Shqipërisë qëndron vetëm te vendndodhja e saj, si një bazë potenciale operacionesh, në hyrje të Adriatikut dhe në kufirin veriperëndimor të Greqisë. Në këtë mënyrë, interesi i SHBA-së në Shqipëri është rrjedhojë e interesit të SHBA-së për Italinë, për Adriatikun dhe për Greqinë” (po aty).

Nën këtë frymë të ndikimit gjeografik e atij strategjik, mund të kuptohet disi më qartë edhe shtrirja në kohë, e ndërtimit të një profili të caktuar gjeopolitik, në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Deklarata e mëposhtme e Departamentit amerikan të Shtetit gjendet e ruajtur në AQSH (Arkivi Qendror Shtetëror. Fondi 490, Viti 1945, Dosje 24, fleta 1). Ajo është lëshuar tre ditë para se sekretari Hull të linte detyrën e tij. Ishin orët e fundit të çlirimit të Shqipërisë dhe Departamenti i Shtetit përshëndeste këto veprim përfundimtare:

DEPARTAMENTI I SHTETIT. PËR SHTYPIN, 27 NËNTOR 1944, NR. 583. SHËNIM KONFIDENCIAL, PËR PUBLIKIM TË ARDHSHËM.

Njoftim konfidencial për publikim në orën 20:00, (koha e parashikuar e pritjes).

E hënë, 27 nëntor 1944.

Nuk duhet të publikohet më parë, të citohet ose të përdoret në ndonjë mënyrë.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË KOMANDUAR TË SHTETIT, LIDHUR ME SHQIPËRINË, 28 NËNTOR 1944

Populli shqiptar ka kontribuar në mposhtjen e armikut të përbashkët me rezistencën e tij të guximshme ndaj agresionit dhe pushtimit të Boshtit. Ata e kanë mbajtur më këmbë këtë luftë të pabarabartë, për më shumë se pesë vjet. Forcat patriotike, në bashkëpunim me operacionet Aleate tejendanë rajonit të përgjithshëm të Ballkanit, kanë dëbuar tashmë pushtuesin gjerman nga zonat jugore dhe qendrore të vendit dhe nga kryeqyteti, Tirana. Sot, në 32-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ata po përparojnë drejt përfundimit të veprës së çlirimit. Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara shpresojnë se me rivendosjen e lirisë së tij, populli shqiptar do t’i kthehet i bashkuar synimeve të paqes dhe detyrave të rindërtimit që i dalin përpara.