Ilary Blasi po përgatitet të shfaqë një anë të re të saj me një serial të ri, që mban emrin “Ilary”, i cili do të debutojë më 9 janar. Ky projekt synon të paraqesë një version tjetër të prezantueses së famshme. Regjia është në duart e Tommaso Deboni, ndërsa skenari mban firmat e Romina Ronchi, Peppi Nocera, Ennio Meloni dhe Jacopo Ghirardelli.
Rreth një vit pas rrëfimit personal në dokumentarin “Unica”, ku trajtoi temën delikate të ndarjes nga ish-bashkëshorti Francesco Totti, dhe pas publikimit të një autobiografie nga Mondadori, Ilary Blasi është gati të hapë një kapitull të ri në jetën e saj. “Ilary” është një udhëtim që çon spektatorët pas kuintave të jetës së një prej figurave më ikonike të televizionit italian, një grua që nuk ka frikë të tregojë anën më autentike të saj, duke alternuar shkëlqimin e famës me momente të thella intimiteti.
Seriali futet në jetën aktuale të Ilary-it, ku rinisja, energjia dhe bashkëpunimi me miqtë e saj të vjetër dhe partnerin e saj aktual, Bastian, janë në qendër. Për herë të parë, Bastian – i cili nuk u përmend në dokumentarin “Unica” – do të ndajë historinë e tij, duke filluar nga dita kur nisi marrëdhënia e tyre.
Në pesë episode, “Ilary” do të shfaqë “normalitetin e jashtëzakonshëm” të protagonistes, duke rrëfyer se çfarë do të thotë të jetosh midis shkëlqimit të shfaqjeve pa humbur autenticitetin.
Njoftimi për serialin e ri u bë përmes një postimi në rrjetet sociale të Netflix dhe vetë Ilary Blasi-t. Në një video të shpërndarë në Instagram, Ilary bisedon me një fallxhore:
“Kështu këtu lexohet e ardhmja? Vetëm letra të mira, ju lutem. Është një periudhë e mbarë, po del seriali im.”
Fallxhorja përgjigjet: “Bota. Ke arritur në fund të një cikli dhe je gati të nisësh një fazë të re të jetës.”
Ilary, me humor: “Eh, kjo ishte e lehtë, e dinë edhe kalldrëmet.”
Kur Ilary këmbëngul të dijë si do të pritet seriali, fallxhorja thotë: “Sigurisht që do të jetë ndryshe nga e kaluara. Njerëzit presin diçka, por ti do t’i mahnitësh.”