Një vatër me murtajën afrikane është identifikuar në Malin e Rrencit në Lezhë. Sëmundja është shfaqur tek derrat dhe, sipas informacioneve, të paktën 10 krerë kanë ngordhur, prej të cilëve pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë përgjatë masivit pyjor të kësaj zone.
Pas identifikimit të rasteve, Shërbimi i Veterinarisë në Lezhë është vënë menjëherë në lëvizje dhe nga analizat e kryera ka rezultuar se derrat kanë ngordhur nga murtaja afrikane.
Për këtë arsye, zona është vendosur në karantinë, ndërsa po kryhen verifikime në të gjithë zonën. Shërbimi veterinar nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa vazhdon punën për analizimin e situatës.
Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se murtaja afrikane është një sëmundje që prek derrat e butë dhe të egër, por nuk ka konfirmim se sëmundja mund të transmetohet nga derrat tek njerëzit apo tek kafshë të tjera.