Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në një intervistë televizive, tha se gjatë vitit 2024 numri i vrasjeve të shkaktuara nga krimi i organizuar ka qenë më i vogël se viti i kaluar, por se të shtrira në kohë kanë sjellë probleme të shumta.
Ai deklaroi më tej se janë shtatë vrasje që i dedikohen grupeve kriminale në Shqipëri por se prej tyre nuk është zbardhur asnjëra.
Sipas tij mos zbardhja e ngjarjeve lë vend për vetëgjyqësi gjatë vitit 2025 apo dhe më pas.
Bregu shtoi se gjatë këtij viti kishte më pak vrasje në Shqipëri, pasi pjesa më e madhe e elementëve të grupit kriminal janë larguar nga Shqipëria dhe se krimet janë shpërndarë jashtë vendit.
“Padyshim vëmendja në janar ishte në Vlorë ku një i ri humbi jetën dhe pasoi më tej me ngjarje të tjera në formën e hakmarrjes, ishte një vrasje me snajper e gjithë vëmendja e shtetit u përqendrua në Vlorë, RENEA ndejti 6-7 ditë për kontrolle, por nuk u gjet asgjë.
Nuk kanë ndodhur shumë vrasje por zbulueshmëria e tyre ka qenë zero, sa i takon krimit të organizuar.
Parandalimi është arrestim, parandalim tjetër nuk ka. Prisja që të paktën gjysma e ngjarjeve të ishin zbardhur.
Pas janarit do vinte vrasja e Gentjan Bejtja në Fushë Krujë. Katër persona hynë në Fushë Krujë, kryen një vrasje dhe u larguan.
Kjo ishte e pritshme se personi ishte në përplasje me grupet rivale, madje policia i kishte kërkuar bashkëpunim.
Bëri dy herë takime policia, kërkoi ta bënte bashkëpunëtor, madje bëhej fjalë se do e dërgonin në SHBA nëse do të zbardhte 3-4 vrasje, ku mendohej se kishte marrë dhe ai pjesë.
Nuk pranoi dhe ndodhi ajo që ndodhi. Ngjarja që ndodhi verën e këtij viti në Memaliaj, aty u vranë dhe dy persona të tjerë, kamarieri i lokalit dhe një klient.
Ngjarja e Shkodrës, në Dobraç, për nga natyra si ndodhi ishte vrasja më e dhunshme, një grup tipik vdekje ai që qëlloi atë ditë në Shkodër, pasoja e rëndë katër persona, pavarësisht se dy prej tyre nuk u vranë nga plumbat.
Gjithsesi ishte një ngjarje e rëndë. Policët që shkuan në vendngjarje nuk bën ndalimin e Ibrahim Licit.
Çështja i kaloi SPAK, duke qenë se ka verifikim, prova shkencore se kush ka qëlluar, mjeti i djegur i autorëve ku janë gjetur shumë prova shkencore, dhe nga ana e personave që qëlluan ka pasur të plagosur, kjo ngjarje ka dritëhijet e saj, çfarë rëndësie ka nëse e ka SPAK ose jo.
Të gjitha këto ngjarje që nuk kanë asnjë autor, pasojnë mbase në 2025 me histori të tjera, se kur ti nuk arreston kur ka informacion dhe dyshim, përbëjnë atë që në të ardhmen mund të ketë vetëgjyqësi.
Vrasja e fundit në Tiranë e krimit të organizuar, e djalit të gjyqtarit, duket tipike se vjen prej krimit të organizuar.
Pastaj vrasje kemi 42 vrasje me rreth 55 viktima.
Ajo që ra në sy është se gjatë 2024-ës kishte më pak vrasje në Shqipëri, se pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga Shqipëria, por kjo nuk do të thotë se atje nuk kanë ndodhur vrasje.
Shqiptarët kudo ku janë do vazhdojnë të përplasen. Statistikat e Shqipërisë nuk është se ulen për vrasje, por thjesht janë shpërndarë në shtete të ndryshme.”