Drejtësia për aferat e korruptive në Bashkinë e Tiranës nga Erion Veliajt do të bëhet, por është e vonuar. Është ky vlerësimi i nënkryetarit demokrat të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i cili në një studio televizive u shpreh se në rastin e Veliaj kemi një drejtësi të vonuar, e cila është një drejtësi e munguar pasi padrejtësitë dhe vjedhjet në Bashki kanë vijuar pavarësisht hetimeve që po zhvillon Prokuroria e Posaçme.
“Ne kemi 44 javë që protestojmë përpara Bashkisë së Tiranës, që sipas meje ndonëse është një kohë e gjatë, pasi po flasim për protesta që zgjasin prej 10 muajsh tashmë, ka qenë një protestë që ka dhënë rezultatin jo të plotë të saj, por një rezultat të mirë. Pasi po të mos ishte për këtë protestë sot nuk do të flitej fare as për Erion Veliajn; as për incineratorët, që janë 132 milionë euro të zhdukura; s’do flitej as për “5D”-në; as për betonizimin e pafundëm të Tiranës e kështu me radhë.
Ju e keni parë që protestat tona nuk janë thjesht një retorikë politike, por janë momente që ne denoncojmë çdo gjë që ndodh në Bashkinë e Tiranës, por edhe hallet dhe shqetësimet që kanë qytetarët e Tiranës.
Është për t’u thënë diçka, unë besoj se drejtësi do të bëhet një ditë. Pra, që do të vijë dita që Erion Veliaj do të përballet me drejtësinë kjo do të ndodhë. Por, jemi shumë vonë.
Dhe shpeshherë drejtësia e vonuar përkthehet edhe në drejtësi të munguar. Ne kemi shkresat, e vetëm shkresa e parë fare që ka dalë, që Erion Veliaj merrte angazhimin financiar pa mbledhur Këshillin Bashkiak, ajo është të marrësh një zyrtar publik i cili merr funksionet e një zyrtari tjetër të një institucioni krejtësisht të ndryshëm.
Kryetari i Bashkisë merrte kompetenca e Këshillit Bashkiak, e kjo është hapur në shkelje të ligjit dhe penalizohet me “shpërdorim detyre”. Vetëm kaq do të mjaftonte që Erion Veliaj të vendoset para drejtësisë. Në këto 30 vite janë vënë persona të tjerë për gjëra shumë herë më pak se kaq, për shkresa shumë më pak sinjifikative se kjo, por i vetmi që nuk ndëshkohet është vetëm ky kryetar bashkie.
A ekziston procesi i incinerimit ku këtë vit do të paguajmë 13 milionë euro të tjera. I kemi harxhuar 133 milionë deri tani, t’i shtojmë dhe këto 13 milionë e tjera, ku paguajmë 40 mijë euro për incineratorin e Tiranës, ku realizohet ky procesi fizik? Pasi ky është një proces fizik, nuk është konsulencë apo këshillim, dhe ky proces ka nevojë për ambiente fizike, pra ky kryhet? Nuk ka mundësi prokuroria ta verifikojë këtë gjë?! E ka, të shkojë te Landfilli i Tiranës, të pyesë ku është godina ku kryhet procesi i incinerimit, nëse ekziston mirë, nëse jo ama, t’i vendosë prangat nga personi i parë deri tek i fundit që realizohet kjo lloj afere.
Në anën tjetër, a u ngrit kjo skema e “5”-së në Bashkinë e Tiranës nga drejtorë të saj.
Unë jam i parimit që kush punon edhe gabon, dhe gabimet nuk janë të patolerueshme, por ama ti mund të gabosh 1-2-3 herë, se po gabove 3 herë për të njëjtën gjë ose je i mangët profesionalisht, ose gabimin ti po e bën në mënyrë të qëllimshme. Ndaj le ta zgjidhi vetë kryetari i Bashkisë cilin rast do të referojë si alibi, sepse të identifikohet që 29 herë “5D”-ja mori paratë 100 % të buxhetit të Bashkisë dhe Ujësjellësa ta marrim si tolerancë, apo ta marrim si mungesë paaftësie.
Sepse 29 raste nuk mund t’i kalojnë nëpër këmbë Veliajt dhe ai të mos dijë gjë. 29 raste janë ato që dimë ne, por mund të jenë dhe dhjetëra raste të tjera që nuk dihen ende.
Pram le ta zgjidhi vetë, në të gjitha rastet ai nuk e meriton që të jetë në krye të Bashkisë së Tiranës.
Po për ato rastet me qindra mijëra euro dhe miliona euro ka kontrollet e ndryshme që bëhen.
Në rastin konkret unë besoj që drejtësia do të bëhet, pasi janë sheshit provat, por e përsëris çdo ditë që vonohet është një drejtësi e munguar. Nuk duhet të vazhdojmë më kështu, pasi çdo ditë që Erion Veliaj qëndron në atë detyrë ai me stafin e tij menaxhojnë 1.5 milionë euro në ditë, para këto buxhetore.
Pa llogaritur më tej interesat me ndërtimet, pronat publike, apo në zonat rurale, ku ne e dimë shumë se çfarë bëhet me lejet e ndërtimit apo me trojet si publike ashtu dhe private, të cilat merren dhe jepen në mënyrë të frikshme dhe skandaloze dhe shpeshherë në mënyrë kundraligjore”, u shpreh nënkryetari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti.







