Ballina Aktualitet Vendimi i KPA: Arsyet e shkarkimit të prokurorit Artan Lulaj

Vendimi i KPA: Arsyet e shkarkimit të prokurorit Artan Lulaj

75
0

Megjithëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejta disa prej shkaqeve të ngritura në ankimin e prokurorit të Tiranës, Artan Lulaj, vendimi i Komisionit për shkarkimin e tij u la në fuqi, pasi u konkludua se ai nuk arrin nivel të besueshëm për pasurinë dhe se ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Nga Edmond Hoxhaj

Prokurori i Tiranës, Artan Lulaj u shkarkua nga detyra më 13 janar 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me qëndrimin e tij jo bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit. Në vlerësimin tërësor me përfundim cënimin e besimit tek drejtësia, u përfshinë edhe gabimet procedurale dhe mangësitë profesionale të konstatuara në një çështje te hetuar nga subjekti. Për pastërtinë e figurës, Artan Lulaj u vlerësua pozitivisht.

Megjithëse Kolegji i gjeti të drejta disa prej shkaqeve të ngritur nga Lulaj në ankimin e tij, shkarkimi për probleme në kriterin e pasurisë dhe për cënim të besimit të publikut në vlerësimin tërësor, u gjet i drejtë dhe u la në fuqi.

Vlerësimi i KPA

Lidhur me pasurinë, KPK ka konkluduar se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive dhe burimeve të ligjshme të tyre në deklaratën e pasurisë veting, se ai dhe bashkëshortja kanë kryer deklarim të pasaktë të të ardhurave të krijuara nga ushtrimi i profesionit të noterit dhe nga punësimi pranë një shoqërie; se ka mungesë të burimeve të ligjshme, si dhe se ka fshehur ndërtimin e një objekti me sipërfaqe 110 m2 në vitin 2003 në Sarandë.

Komisioni ka mbajtur në konsideratë në vlerësimin e tij dhe qëndrimin jobashkëpunues të subjektit gjatë procesit të rivlerësimit. Sipas KPK, Lulaj ka tentuar të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij dhe të personit të lidhur, duke deklaruar të dhëna të pavërteta apo të pasakta ose duke mos i deklaruar fare ato, me qëllim që procesi i kontrollit e verifikimit të pasurisë, i mbështetur në këto të dhëna, të prodhojë një rezultat në favor të tij. Kjo sjellje është vlerësuar në cënim të besimit të publikut tek drejtësia

Subjekti ka kundërshtuar konkluzionet e Komisionit për një apartament me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë. Për këtë pasuri, KPK ka konkluduar ekzistencën e një çmimi fiktiv, mungesë të të ardhurave për rikonstruksionin dhe rimobilimin e apartamentit gjatë vitit 2014, deklarim të pasaktë të burimeve të financimit, se ka kryer fshehje të një objekti në Sarandë, për ndërtimin e të cilit nuk ka pasur mundësi financiare, si dhe se në çdo version të analizës financiare, ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e apartamentit në kryeqytet.

Kolegji e ka gjetur të padrejtë konkluzionin e KPK për fiktivitet të çmimin e vendosur në kontratën e shitje dhe se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë, përfundim i arritur pas analizës së akteve të administruara. Trupi gjykues konstaton se përcaktimi i çmimit të kontratën e shitblerjes në vlerën prej 3 milionë e 950 mijë lekësh duket se i përgjigjet vlerës së përcaktuar si çmim shitjeje mes palëve. Diferenca prej 1 milionë e 950 mijë lekësh, e cila rezulton e paguar prej Lulajt mbi këtë çmim, duket se u përgjigjet punimeve shtesë të kryera në apartament e të paguara si shpenzim më vete, sipas preventivit të hartuar në vitin 2001 për përcaktimin e saj. Po ashtu, Kolegji sjell në vëmendje se Lulaj e ka shënuar të plotë në deklaratën veting vlerën e shpenzuar për apartamentin, në masën prej 5 milionë e 828 mijë lekësh, që përkon me vlerën e deklaruar në 2003-in, prej 6 milionë lekësh.

Në vijim, konstatohet se subjekti në cilësinë e palës blerëse, ka qenë i zhveshur nga detyrimi për pagimin e tatimeve për vlerën e shitjes së apartamentit në Tiranë dhe në këtë mënyrë nuk konstatohet asnjë përfitim financiar prej subjektit, me anë të deklarimit të një çmimi më të ulët për blerjen.

Kolegji ka rrëzuar dhe një tjetër konkluzion të KPK, lidhur me deklarimin e pasaktë të të ardhurave të subjektit nga aktiviteti si noter. Sipas KPA, subjekti ka dështuar të provojë vlerën dhe ligjshmërinë e të ardhurave të deklaruara nga ky aktivitet duke e marrë pasojën e mosllogaritjes së tyre në analizën financiare. Sipas trupit gjykues të Kolegjit, kjo situatë nuk duhet të barazohet me një deklarim të pasaktë, duke e ndëshkuar Lulajn dy herë për të njëjtën shkelje.

Po ashtu, është gjetur i drejtë pretendimi e subjektit për përfshirjen në analizën financiare për shlyerjen e apartamentit në Tiranë, të një pjese të fondeve të përfituara nga shitja e një apartamenti tjetër në Sarandë në vitin 2001. Sipas Kolegjit, nga vlerësimi i akteve ka rezultuar se një shumë 5000 USD është shlyer pas shitjes së apartamentit në Sarandë, duke u përfshirë në analizë të kësaj pagese të ardhurat nga tjetërsimi banesës në bregdet.

Ndërkohë, nuk është pranuar pretendimi se janë përdorur fonde të përfituara nga shitja e dy trojeve në Sarandë, pasi ka rezultuar se janë tjetërsuar pas pagesave të kryera për apartamentin në Tiranë. Pretendimi se të ardhurat nga shitja e trojeve janë përfituar para formalizimit të akteve të tjetërsimit, nuk është gjetur i mbështetur në prova. Për rrjedhojë, është vlerësuar i bazuar konkluzioni i KPK për mospërfshirjen e këtyre të ardhurave në analizën për blerjen e banesës në kryeqytet.

Në vijim, KPA analizon pretendimet e subjektit, me të cilat ai kundërshton si jo të drejtë konkluzionet e vendimit të Komisionit se ka fshehur në deklaratën veting dhe në deklarimet periodike vjetore ndërtimin e një objekti me sipërfaqe 110 m2 në vitin 2003 në Sarandë, si dhe mungesën financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Trupi gjykues i KPA konstaton se subjekti ka shënuar në deklaratën veting të ardhura të krijuara nga shitja e truallit, ndërsa nga kontrata e shitblerjes së kësaj pasurie, rezulton se ai nuk ka shitur vetëm truallin, por edhe objektin njëkatësh mbi të, me të njëjtën kontratë.

Përveç kësaj, Lulaj ka deklaruar në deklaratën veting se nuk disponon të dhëna për këtë pasuri pasi nuk gjendet dokumenti, ndërsa ka rezultuar se kontrata e shitblerjes, si edhe objekti njëkatësh në pronësi të subjektit para shitjes, figuronin të regjistruara në regjistrin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në ZVRPP Sarandë. Po ashtu, deklarimet e mëpasshme se ndërtimi është kryer prej blerësve të truallit, ndërsa leja e ndërtimit rezulton të jetë lëshuar për subjektin në pronësi të të atit dhe më pas është regjistruar në emër të tij, konsiderohen si përpjekje të Lulajt për të deklaruar fakte të pavërteta në deklaratën veting, me qëllim shmangien nga hetimi administrativ i një pasurie për të cilën jo vetëm që nuk kishte bërë asnjë deklarim në vite, por as nuk ka pasur burime të ligjshme për ta krijuar.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se këto rrethana e evendosin subjektin në kushtet e deklarimit të rremë.

Edhe nga analiza financiare e kryer në Kolegj, ka rezultuar pamundësi financiare për pagesën e një pjesë të çmimit të apartamentit në Tiranë dhe mbulimit të shpenzimeve jetike, pasi ka rezultuar bilanc negativ në shumën prej 703 mijë lekësh. Ndërkohë, është gjetur i drejtë pretendimi se ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e rikonstruksioneve dhe mobilimit.

KPA ka rrëzuar si të pabazuar pretendimin e subjektit se Komisioni me të padrejtë ka konstatuar pamundësi financiare për pagesën e këstit të dytë të një apartamenti në Durrës. Sipas KPA, pamundësia është dhe më e madhe nga ajo e konstatuar në KPK. Trupi gjykues konstaton se nëse përllogaritja e të ardhurave nga pagat e subjektit, si dhe të bashkëshortes së tij, do të bëhej duke iu referuar statement-eve respektive të llogarive bankare të pagave, atëherë do të rezultonte bilanc negativ në shumën 674 mijë lekë për shlyrjen e këstit të dytë në vitin 2009, nga 501 mijë lekë që ka qenë pamundësia e konkluduar në shkallën e parë të vetingut. Megjithatë, në konsideratë të garantimit të parimit për mospërkeqësimin e situatës, pamundësia është konsideruar ajo e konkluduar në KPK.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji ka konstatuar pamundësi të subjektit për blerjen e një automjeti në vitin 2012.

Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të një automjeti nga vajza e subjektit, ndryshe nga vlerësimi i KPK, Kolegji çmon se Lulaj nuk duhet të përgjigjet për deklarim të pamjaftueshëm, pasi duket i besueshëm shpjegimi se mjeti ka qenë jashtë përdorimit në momentin e plotësimit të deklaratës veting, nisur dhe nga fakti se ka qenë prodhim i vitit 1989. Sipas KPA, kjo rrethanë duhet të konsiderohet në vlerësimin tërësor.

Subjekti ka kundërshtuar analizën financiare të KPK që ka rezultuar me bilanc negativ në vlerën 4.4 milionë lekë, nga momenti i fillimit të detyrës, deri në dorëzimin e deklaratës veting. Nga analiza e kryer në Kolegj, për periudhën e rivlerësimit 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë, që vlerësohet se e vendos Lulajn në kushtet e pamundësisë financiare.

Komisioni ka ngritur dyshime dhe për dy apartamente të blerë nga vajza e subjektit dhe bashkëshorti i saj. Duke vlerësuar se Lulaj nuk ka bashkëpunuar për të qartësuar burimet e këtyre pasurive pasi ka refuzuar të japë përgjigje, Komisioni ka çmuar të mos e vazhdojë më tej me hetimin dhe ngriti dyshime se ky qëndrim vinte për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme të vajzës për krijimin e këtyre pasurive, si dhe për fshehje.

Lulaj e ka cilësuar në ankim si të pakuptimtë konkluzionin e KPK për pasuri të fshehur në këtë rast, duke argumentuar se vajza i ka përfituar apartamentet në vitin 2021. Subjekti ka pretenduar se është e padrejtë përfshirja e vajzës së tij dhe e bashkëshortit në rrethin e personave të lidhur.

Pretendimet e Lulajt janë gjetur të drejta nga Kolegji në këtë rast, duke sjellë në vëmendje se vajza e subjektit nuk i ka pasur në pronësi këto apartamente në momentin e plotësimit të deklaratës veting. “[…]për sa kohë pasuritë objekt kontrolli janë fituar pas deklaratës vetting dhe nuk rezulton ndonjë e dhënë që ato të kenë burimin nga pasuritë e deklaruara apo të gjeneruara gjatë periudhës së rivlerësimit, trupi gjykues, […], vlerëson se ato nuk mund të jenë objekt kontrolli nga organet e rivlerësimit”, citohet në vendim.

Në përfundim të shqyrtimit të shkaqeve të ankimit për pasurinë, KPA arrin në përfundimin se prokurori Artan Lulaj gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në këtë kriter.

Kolegji ka shqyrtuar edhe shkaqet lidhur me konkluzionet e Komisionit për profesionalizmin dhe cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. KPK ka konstatuar probleme në kriterin profesional në një çështje të hetuar nga subjekti, që janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Në këtë vlerësim janë konsideruar dhe konstatimet se Lulaj nuk ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit administrativ pasi ka refuzuar të përgjigjet ose të vendosë në dispozicion dokumentacion provues, se me deklarimet kontradiktore në raport me provat e administruara ka tentuar të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij, duke deklaruar të dhëna të pavërteta apo të pasakta ose duke mos i deklaruar fare ato.

Në analizë të shkaqeve të ankimit të ngritura për profesionalizmin, Kolegji çmon se ndonëse mangësitë e konstatuara nuk rezultojnë të jenë të mjaftueshme për të konkluduar se subjekti i rivlerësimit është i paaftë, ato janë të vlefshme për tu konsideruar në vlerësim e përgjithshëm.

Lidhur me konkluzionin e Komisionit për cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, trupi gjykues shprehet se ka analizuar rrethanat e konstatuanra në kriterin e pasurisë dhe atë profesional.

“…ndërsa nuk ishin elemente përbërëse për të konkluduar për pamjaftueshmëri/papërshtatshmëri brenda secilit prej kritereve, të konsideruara/vlerësuara së bashku, të çojnë në konkluzionin që me të drejtë Komisioni ka arritur, se subjekti e ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë” vlerëson Kolegji.