Ballina Kulturë Shpresa Fundo Gjergji – një zë i veçantë në letërsinë për fëmijë

Shpresa Fundo Gjergji – një zë i veçantë në letërsinë për fëmijë

41
0

Nga Gjon Marku 

Letërsia për fëmijë shpesh mbetet në hijen e letërsisë për të rritur, megjithatë ajo përfaqëson një nga segmentet më delikate dhe më të rëndësishme të krijimtarisë letrare. Pikërisht këtu spikat emri i autores Shpresa Fundo Gjergji, një zë i qartë dhe i përkushtuar, që me dashuri, mjeshtëri dhe ndjeshmëri ndërton botë letrare të pasura për lexuesit më të vegjël. Kjo kritikë synon të hedhë dritë mbi veprën e saj dhe mbi kontributin e çmuar që ajo i jep edukimit dhe formimit shpirtëror të fëmijëve përmes letërsisë.

Shpresa Fundo Gjergji është autore dhe mësuese e përkushtuar, pak e njohur për krijimtarinë e saj në fushën e letërsisë për fëmijë. Me një përvojë të gjatë në arsim dhe edukim, ajo ka ditur të ndërthurë përvojën jetësore me artin e fjalës, duke krijuar vepra që prekin ndjeshëm botën e brendshme të fëmijëve. E njohur për stilin e saj të thjeshtë, figurativ dhe emocionalisht të ngrohtë, Shpresa Fundo Gjergji ka fituar vlerësim si zë origjinalë dhe i qëndrueshëm në letërsinë bashkëkohore për fëmijë në gjuhën shqipe.

Letërsia për fëmijë është një fushë e veçantë që kërkon ndjeshmëri të hollë, aftësi gjuhësore, imagjinatë të pasur dhe një njohje të thellë të psikologjisë së moshave të vogla. Në këtë peizazh të veçantë letrar, shkrimtarja Shpresa Fundo Gjergji ka ditur të krijojë një profil të qartë dhe të dallueshëm, duke e vendosur fjalën në funksion të një bote plot ëndrra dhe ndjeshmëri fëmijërore.

Në veprat e saj, fjala merr një fuqi magjike. Ajo e ndërton me kujdes rrëfimin, duke hyrë në psikologjinë e fëmijëve, e duke përdorur figura letrare të thjeshta e të kuptueshme – veçanërisht krahasimin dhe fabulën e shkurtër -për t’u përshtatur botës së tyre imagjinare. Autoria përdor gjuhën si mjet për të ndërtuar ura emocionale me lexuesin e vogël, duke e bërë letërsinë e saj të afërt, të dashur dhe lehtësisht të përvetësueshme.

Në shumë poezi, ajo nuk ndalet vetëm në tregim apo përshkrim, por shkon më tej – duke sjellë metoda interpretimi që u japin kuptim të thelluar emocioneve dhe përjetimeve fëmijërore. Fjalës i jep peshën dhe nderimin e merituar, duke vlerësuar përdorimin e figurave stilistike si një urë lidhëse mes botës reale dhe asaj të imagjinatës.

Krijimtaria e saj është e mbushur me figura nga natyra, me elementë të florës dhe faunës, të cilat ajo i përdor me zgjuarsi për të ndihmuar në zhvillimin intelektual dhe ndjesor të fëmijëve. Por Gjergji nuk kufizohet brenda një kornize të ngushtë letrare: ajo e shtrin penën e saj në një dimension më të gjerë, duke e lidhur krijimtarinë me traditën kombëtare dhe universale të letërsisë për fëmijë. Kjo lidhet ngushtësisht me përvojën e saj si nënë, edukatore dhe mësuese – role që e ndihmojnë ta kuptojë thellësisht shpirtin e brezit të ri.

Ajo studion dhe formëson me përkushtim stilin e saj të të shprehurit, duke e përshtatur me botën mendore dhe ndjesore të fëmijëve – një shtresë shoqërore që kërkon jo vetëm ndjeshmëri, por edhe përkushtim të sinqertë. Ajo di ta përcjellë mesazhin fisnik pa didaktikë të thatë, përmes lojës, figurës poetike dhe fjalës së ngrohtë. Në veprat e saj, loja nuk është vetëm argëtim – është strukturë, është thelb. Fëmijët e saj letrarë janë mbretër të botës së tyre, ndërsa ajo është rrëfimtarja që ua jep zërin dhe formën.

Sot, edhe si gjyshe, autorja e di më mirë se kurrë se është fjala ajo që formëson shpirtin – “gurin gdhend”, siç do të thoshte Dritëro Agolli. Në kohët e sotme, kur edukimi bëhet gjithnjë e më shumë një sfidë, ajo e sheh misionin e vet si një thirrje të shenjtë – një përpjekje për të ndërtuar të ardhmen me dashuri, durim dhe përkushtim. Dhe është pikërisht ky përkushtim i heshtur, i thellë e i qëndrueshëm, që e bën Shpresa Fundo Gjergji një emër të veçantë në letërsinë shqipe për fëmijë.