Ballina Kulturë Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me...

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

21
0

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut të butë që e çoi atë në majat e muzikës botërore, pasi pushtoi zemrat e miliona fansave gjatë karrierës së tij prej gati pesë dekadash, performoi dje në Tiranë.

Për herë të parë, Adams u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve ku biletat për të ndjekur performancën e tij ishin shitura të gjitha.. Koncerti zgjati mbi dy orë i cili përshkroi kufijtë e diskografisë së gjerë të kanadezit.

Adams e filloi shfaqjen e tij me hitin “Let’s Make A Night To Remember”, e cila ishte hapja perfekte e koncertit, ndërsa salla u mbush me tingujt e kitarës. Energjia ishte fantastike që nga fillimi i koncertit dhe vazhdoi të rritej ndërsa Adams performonte me hitet e tij duke e bërë të gjithë turmën të këndonte së bashku me “Everything i do, i do it for you”.

Zëri i Adams jehoi në të gjithë Pallatin e Kongreseve me “Please forgive me”, ndërsa fuqia e këngës dhe muzikës iu bashkua edhe më tej publiku që këndoi me gjithë shpirt. Ishte një moment magjik.

Është e mahnitshme të mendosh se sa shumë hite ka Adams gjatë karrierës së tij dhe ai i luajti pothuajse të gjitha, përfshirë edhe bashkëpunimet e shumta si dhe këngë, kolona zanore të filmave të njohur të Hollivudit.

E pabesueshme se sa i ngjashëm tingëlloi zëri i Adams dje me albumet që ai ka bërë dekada më parë dhe se si ai po njësoj, këndoi në skenë përballë një publiku qe e admiroi gjatë gjithë kohës.

Edhe pse Adams nuk e pati të nevojshme të performonte ndonjë cover duke pasur parasysh diskografinë e tij të jashtëzakonshme, ai këndoi një superhit të tij me Tina Turner, “It’s Only Love”, një moment i ndjeshëm dhe për vetë këngëtarin.

Ai e mbajti audiencën në këmbë ndërsa nisi të këndojë “Summer of ’69”.

Adams e mbylli koncertin me këngën “Straight from the Heart” të cilën ia dedikoi nënës së tij 97-vjeçare. Mënyra e tij e thjeshtë për ta mbyllur natën dhe komunikimi fantastik gjatë gjithë koncertit, u shpërblye me të njëjtën dashuri edhe nga publiku.

Bryan Adams, një këngëtar i mezipritur në Shqipëri, shkëlqeu me vokalin dhe muzikalitetin e tij me vetëm një kitar dhe një piano.

Për publikun, koncerti i mbajtur në “Pallatin e Kongreseve”, ishte gjithçka që mund të kërkonte nga një këngëtar i këtij niveli ndërkombëtar, dhe e vetmja gjë që mund të shpresojmë është që kjo të mos jetë hera e fundit.