Ambasadori Lamberto Zannier, kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it ndodhej sot në njësinë numër 10 në Tiranë ku po votohet në mënyrë elektronike. Zannier tha para mediave se po mbledh informacion dhe se duhet të sigurohen se zgjedhjet janë me standarde ndërkombëtare.
Ai shtoi se dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ata si mision janë këtu që nga fundi i marsit. Zannier tha se kanë vëzhguar dhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit, nesër shtoi ai do të kenë një konferencë për shtyp.
“Jemi këtu për të vrojtuar zgjedhjet dhe për të vëzhguar nëse këto zgjedhje janë me standardet ndërkombëtare. Kjo është një nga qendrat e votimit nga qendrat e shumta ku jemi ne sot. Kemi 240 vëzhgues, por janë dhe 135 të tjerë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe Parlamenti Europian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar dhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit, nesër do të kemi një konferencë për shtyp.
Konferenca do të jetë nesër në 15:00 dhe do të jeni të gjithë të ftuar. Nuk do të ishte domethënëse nëse do të jepja një mendim sot. Unë jam një person në një qendër votimi. Sigurisht që jam duke mbledhur informacion dhe jam në këtë QV sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që 10% e votimit të jetë elektronik”, tha ambasadori i OSBE-së.