Historia po troket për Crystal Palace në finalen e FA Cup këtë të shtunë në Wembley, ndërsa Manchester City ka një mundësi të fundit për të shmangur një sezon pa trofe – një rast i rrallë nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Palace ka qenë dy herë nënkampione në FA Cup, por nuk ka fituar kurrë një trofe madhor në historinë 119-vjeçare të klubit.
“Shqiponjat” ndiejnë se ky mund të jetë momenti i tyre, përballë një skuadre të Cityt që është larg formës së lavdishme të sezoneve të mëparshme të mbushura me trofe.
Palace arriti një fitore të pastër 2-0 ndaj Tottenham fundjavën e kaluar, duke barazuar rekordin e tyre me 49 pikë në Premier League, dy ndeshje para përfundimit të sezonit.
Klubi nga jugu i Londrës përfundoi për herë të parë në top 10 në epokën e Premier League sezonin e kaluar.
Edhe pse një tjetër përfundim në dhjetëshen e parë duket i vështirë, progresi ka vazhduar falë paraqitjeve të shkëlqyera në FA Cup, përfshirë një fitore bindëse 3-0 ndaj Aston Villas në gjysmëfinale – një skuadër që arriti deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Eberechi Eze është njeriu kryesor që City duhet të frikësohet, pasi ka shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit. Ai është një nga katër përfaqësues të Anglisë që pritet të nisin titullarë për Palace në finale, së bashku me Dean Henderson, Marc Guehi dhe Adam Wharton.
“Do të thotë gjithçka,” tha Eze lidhur me mundësinë për t’i dhënë klubit trofeun e parë në histori.
“E dimë sa rëndësi ka për tifozët, për klubin. Do të japim gjithçka që kemi për të vënë veten në pozitën më të mirë të mundshme.
“Jemi të sigurt. E dimë se duhet vetëm të bëjmë atë që dimë dhe të japim versionin më të mirë të vetes. Nëse e bëjmë këtë, mund të mposhtim çdo skuadër.”
Fitorja në FA Cup do t’i siguronte gjithashtu Palace-it pjesëmarrjen për herë të parë në një nga garat kryesore evropiane për klube, me një vend në Europa League në lojë.