Është arrestuar ditën e sotme në Lezhë 27-vjeçari Xhejson Seferaj, i cili akuzohet se është një nga personat që kanë kërcënuar babain e kandidates për deputete Klotilda Ndreca dhe kreun e PS në Lezhë, Emirjan Lazri.
Sipas njoftimit të policisë, Seferaj, autor i kërcënimit me armë zjarri në Dajç të Lezhës, do të hetohet në gjendje të lirë pas konsultimit me prokurorin.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të komunikatës së datës 05.05.2025, ku është shpallur në kërkim shtetasi Xh. S., 27 vjeç, si një nga autorët e dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ju informojmë se: Më datë 18.05.2025, nga Forcat e Posaçme Shqiponja në DVP Lezhë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit të shpallur në kërkim policor, Xh. S., 27 vjeç, banues në Lezhë. Në përfundim të veprimeve dhe pas konsultimit me Prokurorin, ky shtetas do ndiqet në gjendje të lirë. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme.