Dy persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë zhdukur pas përmbytjeve të mëdha në Uellsin e Ri Jugor (NSW), që kanë lënë më shumë se pesëdhjetëmijë njerëz nën paralajmërime për evakuim, raporton BBC.
Reshjet rekord të shiut, të cilat tashmë janë shpallur si fatkeqësi natyrore, janë shkaktuar nga një zonë presioni të ulët që lëviz ngadalë, dhe për disa banorë ato janë më të mëdhatë në kujtesën e tyre, sipas Komisionerit të Shërbimeve të Emergjencës së Shtetit.
Më shumë se dymijë punonjës të shërbimeve të emergjencës janë duke marrë pjesë në operacione shpëtimi, përfshirë persona që kanë mbetur në çatitë e shtëpive gjatë natës.
“Ende nuk kemi dalë nga rreziku”, tha Kryeministri i NSW, Chris Minns, duke i bërë thirrje banorëve të ndjekin me vëmendje njoftimet e emergjencës, pasi priten reshje të tjera të dendura në ditët në vijim.
Kërkime të ndara janë duke u zhvilluar për personat e zhdukur në Bregun Verior të Mesëm. Një grua u zhduk pasi makina e saj u bllokua në ujërat e përmbytjes. Një burrë tjetër u raportua i zhdukur pasi ecte pranë një rruge të përmbytur dhe nuk u kthye më në shtëpi.
Më shumë se njëqind shkolla janë mbyllur për shkak të përmbytjeve, të cilat kanë lënë mijëra shtëpi dhe biznese pa energji elektrike. Qendra evakuimi janë hapur për ata që po ikin nga përmbytjet.
Policia e NSW-së thotë se njëzet e dy persona janë shpëtuar me helikopter, përfshirë 18 të evakuuar nga shtëpi dhe rrugë të përmbytura, si dhe katër të shpëtuar nga një urë. Katër qen dhe një mace janë shpëtuar gjithashtu bashkë me pronarët e tyre.
Taree, një qytet në Bregun Verior të Mesëm, është ndër më të prekurit. Të mërkurën, niveli i ujit në një lumë të madh në zonë kaloi gjashtë pikë tri metra, duke thyer një rekord pothuajse njëqind vjeçar për nivelin më të lartë.
Autoritetet konfirmuan se trupi i një burri gjashtëdhjetë e tre vjeçar u gjet të mërkurën pasdite në një pronë në Moto, pranë Taree. Viktima më vonë u identifikua nga ABC Neës si David Knoëles. Policia lokale ka nisur një hetim për incidentin.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës përmes një postimi në X, duke e quajtur vdekjen e tij “shkatërruese”.
Të enjten në mëngjes, trupi i një burri në të tridhjetat u gjet në ujërat e përmbytura pranë Roseëood në Bregun Verior të Mesëm, pas raportimeve të mëparshme për një burrë të ngecur në përmbytje ndërsa po ngiste makinën.
Deri të premten, parashikohet që disa zona të marrin deri në treqind milimetra shi.
Pothuajse dhjtëmijë shtëpi janë në rrezik përmbytjeje në Bregun Verior të Mesëm të shtetit.
“Po përgatitemi për më shumë lajme të këqija”, tha Minns në një konferencë për shtyp.
“Është shumë e vështirë të dërgojmë furnizime në disa prej këtyre komuniteteve të izoluara”, shtoi ai, duke theksuar se kryeministri ka premtuar mbështetje nga qeveria federale për çdo ndihmë të nevojshme.
Minns gjithashtu i bëri thirrje atyre që ndodhen në zona të paralajmëruara për evakuim të largohen nëse munden, duke pranuar se disa nuk do të jenë në gjendje.
“Ata mund të jenë të moshuar, të sëmurë ose me fëmijë të vegjël. Por nëse arrijmë të nxjerrim shumicën e njerëzve jashtë rrezikut, kjo ua lehtëson punën të gjithëve”.
Shërbimi i Emergjencës së Shtetit të NSW (SES) tha se ka reaguar ndaj më shumë se treqind rasteve shpëtimi nga përmbytjet në 24 orët deri në orën 05:00 me orën lokale – dhe më shumë se 500 raste që nga fillimi i përmbytjeve.
“Jemi përballur me reshje të vazhdueshme dhe lumenj shumë të rrëmbyeshëm, të cilët së bashku me rrugët e përmbytura e kanë bërë të vështirë arritjen te disa persona të izoluar”, tha Komisioneri Ndihmës i SES, Colin Malone.
Ai shtoi: “Ndërsa dhjetëra shpëtime janë realizuar gjatë natës, thirrjet për ndihmë vazhdojnë të vijnë dhe SES e Uellsit të Ri Jugor, së bashku me agjencitë partnere, po përdorin helikopterë, varka dhe automjete të përshtatura për terrene të vështira për të ndërhyrë kur është e sigurt”.
Jihad Dib, Ministri i Shërbimeve të Emergjencës në NSW, tha se qeveria e shtetit vazhdon të “hedhë çdo burim që ka” në operacionet e shpëtimit.
“Këto nuk janë rekordet që do të dëshiroje të thyesh, por kemi parë më shumë shi dhe më shumë përmbytje në bregun e mesëm dhe verior sesa ndonjëherë më parë”, tha ai.