Me nisjen e sesionit të ri dhe të fundit parlamentar për këtë legjislaturë, mazhoranca pritet t’i rikthehet zgjedhjes së Avokatit të Popullit, pasi mandati i Avokates aktuale të Popullit, Erinda Ballanca, ka përfunduar që maj të vitit 2022. Zonja Ballanca qëndron prej më shumë se dy vitesh në detyrë, ndërkohë që mandati i ka përfunduar. Sipas burimeve, grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të propozojë dhe mbështesë me firma avokatin e njohur Idajet Beqiri për postin e Avokatit të Popullit. Vitet e fundit Beqiri ka trazuar politikën e Tiranës me disa kallëzime penale në SPAK, për politikanë të nivelit të lartë, disa nga të cilat janë kthyer në akuza penale nga SPAK-u, siç është dosja për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
Sipas parashikimeve ligjore, vetëm kandidatët që marrin mbështetjen e 28 deputetëve do të kenë mundësinë të votohen në Kuvend dhe zgjidhet me 3/5 e të gjithë anëtarëve. Ky parashikim kërkon që kandidati për Avokat të Popullit duhet të ketë një mbështetje me votë në Kuvend përtej shumicës socialiste.
Në praktikën parlamentare të së shkuarës, Avokati i Popullit është propozuar përgjithësisht nga opozita, por këtë radhë, maxhoranca dhe rrymat e ndryshme brenda opozitës nuk kanë gjetur konsensus, duke shkelur afatet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni.
Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall fillimisht nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 pas përfundimit të mandatit të Erinda Ballancës. Thirrja u shty disa herë, ndërsa grupet parlamentare të dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, deklaruan se po negocionin për një emër konsensual duke i qëndruar traditës politike për të mbështetur një emër që vjen nga opozita.
Por, me rikthimin e Sali Berishës në krye të PD, nongrata nga SHBA dhe Britania e Madhe për minimin e demokracisë në Shqipëri, duket se Edi Rama do t’a zgjedhë në mënyrë të njëanshme Avokatin e Popullit.